‘Emocionet i mposhtën’ – shqiptarët dhe futbolli
Gazetat gjermane komentojnë në numrat e fundjavës kryesisht ndeshjen Shqipëri Zvicër dhe raportin e shqiptarëve me futbollin.
Nën titullin: “Shqipëria reziston bindshëm, por nuk arrin të shënojë gol”, në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung ndër të tjera lexojmë:
“E gjitha qe si një takim në një familje të madhe: me njerëz që flasin me zë të lartë, pak kaos dhe shumë emocione. Festa sportive e takimit midis zviceranëve me origjinë shqiptare dhe shqiptarëve që janë rritur në Zvicër kishte një atmosferë intensive, të cilën në fushën e futbollit mund ta quash të ashpër, por të përzemërt. Pjesë e tablosë ishte që kufijtë mes ekipit favorit dhe ekipit “të jashtëm” herë pas here zhdukeshin. Zviceranët, prej të cilëve pritej shumë…e mundën ekipin “e jashtëm” me mundim me rezultatin 1:0, me një gol të hershëm të bërë me kokë nga lojtari gjermano-zviceran i Hoffenheimit, Fabian Schär…
(Trajneri i kombëtares zvicerane) Petkovic thotë se herë pas here zviceranët e tij u treguan “mendjemëdhenj” dhe tha se “ne e ftuam kundërshtarin, që të jetë i rrezikshëm”. Ndërsa De Biasi, tha duke pasur parasysh profesionistët e tij “emocionet e tyre i mposhtën”.
Siç ndodh shpesh në futboll, ekipi që mendohej se nuk kishte shanse, megjithëse luajti me më pak lojtarë, tregoi guxim dhe katër minuta para fundit të ndeshjes u ndodh para barazimit, kur Shkëlzen Gashi u shfaq i vetëm përpara portierit Yan Sommer dhe me goditjen e tij të mirë dështoi përballë portierit edhe më të mirë të Borussia Mönchengladbach”
Ndërsa Süddeutsche Zeitung ndalet në raportin e shqiptarëve me futbollin dhe me Gjermaninë, mbi bazën e një udhëtimi në Shqipëri të korrespondentit të kësaj gazete. “Ta shpjegosh botën me futbollin? E guximshme” shkruhet ndër të tjera në këtë gazetë dhe më tej:
“Arian Leka është një njeri i fjalëve, shkrimtar, por kur tregon ai preferon të përdorë edhe duart…
“Futbolli”, thotë Arian Leka, “ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e fantazisë sonë. Futbolli, ka qenë për ne një copë liri.”
Shqipëria nuk ka marrë pjesë asnjëherë më parë në një Kampionat Evropian apo Botëror të Futbollit. Në turneun në Francë ka debutimin e saj të parë. Arian Leka pyet: “Çfarë u vjen në mend gjermanëve, kur mendojnë për Shqipërinë?” Boo. Epo mirë: u kujtohen azilkërkuesit, për të cilët ne kemi ngritur qendra të reja dëbimi. Korrupsioni. Tregtia e njerëzve. Krimi në përgjithësi. Varfëria. Gjakmarrja. Karl May, natyrisht, Land der Skipetaren, një njollë e tmerrshme e botës. Po diçka e mirë? Hm. Altin Rraklli, trupvogli nga Unterhaching! Igli Tare, trupmadhi i Kaiserslautern! “E shikon”, thotë me butësi Arian Leka.”Futbolli”. “Ne kemi pritur që të zbulohemi. Por nuk erdhi askush. Ne ende po presim.”