Energjia 2016/Ulen humbjet, rriten arkëtimet dhe reduktohet stoku i borxhit
Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri bashkë me administratorët e OSHEE-së, KESH-it dhe OST-së realizuan një bashkëbisedim me gazetarët referuar treguesve të sektorit elektroenergjitik për vitin 2016.
Ministri Gjiknuri deklaroi se raportet e fundit të institucioneve prestigjoze ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo agjenci të njohura si “Standart & Poor’s” dhe “Moody’s” e kanë konsideruar reformën në sektorin elektroenergjitik shumë të suksesshme.
“Hapat e ndërmarra kanë krijuar një efekt pozitiv në financat publike duke e çliruar Buxhetin e Shtetit nga barra e rëndë e këtij sektori që rrezikonte të fundoste financat publike. Vetëm gjatë tre viteve të fundit janë paguar 23 miliard lekë në tatim/taksa si kontribut direkt në Buxhetin e Shtetit. Ndërkaq, 135 milion Euro është efekti pozitiv indirekt në Buxhet përmes reduktimit të mbështetjes buxhetore për sektorin dhe çlirimin e garancive sovrane në 2013-2017”, u shpreh Gjiknuri.
Sipas tij, në 2016 niveli i humbjeve u reduktua në shifrën rekord prej 28.04% ndërsa në vitin 2013 u gjet jo pak por 45%. Operatori i Shpërndarjes arkëtoi për vitet 2015-2016 shumën totale prej 126 miliard lek ndërsa tre vite më parë mblidheshin vetëm 38,3 miliard. Arkëtimi i faturave korente nga 66.7% që ishte në 2013, vitin e fundit u arrit në 86.6%. Totali i arkëtimeve për vitin 2016 përfshirë edhe kamatat arrin në 93.8%.
Rezultati ekonomik vjetor për OSHEE-në u mbyll pozitiv me 11.5 miliard lekë, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare me bilanc pozitiv vjetor prej 1.7 miliard lekësh dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit 1 miliard lek.
Në tre vitet e fundit, KESH, OST dhe OSHEE kanë investuar në sektor një shumë prej 45.6 miliard lekësh ndërsa për vitin 2017 plani i investimit arrin në 24 miliard lek.
Detyrimet e të tretëve ndaj OSHEE-së, pra rekuperimi i gjendjes së debisë përfshirë kamatat ka ardhur në rënie. Nëse në vitin 2013 ato ishin 117.8 miliard lekë, në vitin e fundit u mbyllën me 105.2 miliard lekë.
Borxhi i OSHEE-së ndaj KESH, OST dhe palëve të tjera të treat nga 99.9 miliard lekë që ishte në vitin 2013 është ulur tashmë në 93.6 miliard lekë.
Nëse në vitin 2013 shpenzoheshin 151 milion euro për mbulimin e humbjeve me blerje energjie nga importi, në vitin e fundit kjo është reduktuart në 61 milion euro.
Ndërkaq, KESH shpenzoi 12 milion euro më pak për blerje energjie nga importi krahasuar me vitin 2015 dhe 34 milion euro më pak se mesatarja e 5 viteve të fundi. Korporata Elektroenergjitike rriti gjithashtu me 22 milion euro të ardhurat nga eksporti krahasuar me 2015 dhe 41 milion euro krahasuar me mesataren e 5 viteve të fundit.
Normat e interesit të KESH-it për stokun e borxhit të trashëguar u ulën nga 6.58 % që ishte në 2013 tashmë në 3.94%.
Referuar përfituesve të skemave lehtësuese të shlyrjes së borxheve të prapambetura, deri më tani kanë përfituar 332 000 abonentë nga reduktimi deri në zerim të plotë të kamatëvonesës. Vlera e përfituar prej tyre deri më tani është 147 milion USD për periudhën 2014-2016. Deri në Qershor 2017 pritet të përfitojnë edhe 68000 abonentë duke e çuar shumën totale të detyrimeve të falura në 230 milion USD.