ERE: 58% e energjisë përdoret nga familjet, vërehet simetria dimër-verë e konsumit
Konsumi familjar i energjisë elektrike në raport me konsumin e përgjithshëm të faturuar gjatë vitit 2014 përbën rreth 58 %, një trend i njëjtë si dhe vitet e tjera.
Në këtë total vërehet se sipas konsumit, rreth 58.7% e gjithë konsumatorëve familjarë i përkasin bllokut të konsumit deri 300 këh/muaj.
Një peshë të rëndësishme në konsumin e energjisë elektrike zënë dhe konsumatorët buxhetorë dhe jo buxhetorë, kryesisht ujësjellësit dhe hidrovorët.
Struktura e konsumit të energjisë elektrike po ndikon drejtpërsëdrejti në profilin e ngarkesës ose të konsumit të energjisë elektrike dhe nga studimi i profilit vjetor, konstatohet si tipar karakteristik simetria thuajse e plotë e konsumit dimër-verë.
Piku i ngarkesës në vitin 2014 u shënua në muajin janar, ndërsa në verë në muajt Korrik-Gusht. Në një ditë vere me konsum maksimal spikat piku i ngarkesës në orët e mbrëmjes 19.00 -22.00, e lidhur me intensifikimin e veprimtarisë familjare në këto orë, tendencë në rritje nga viti në vit pasi po vjen në zgjerim përdorimi gjithnjë e më shumë i pajisjeve klimatizuese.
Vetëm periudha e ngrohtë prill-shtator ka konsum mesatar konstant, ndërsa në tre muajt paraardhës dhe pasardhës vërehet rritje simetrike të ngarkesës, e shpjeguar me motin me ftohje- ngrohje dhe përdorimin gradual të energjisë elektrike për këto dy efekte.
Edhe gjatë vitit 2014 u vu re e njëtja problematikë e përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje. Çdo ndryshim i temperaturës së mjedisit reflektohet menjëherë në konsumin ditor të energjisë elektrike, pikërisht të efektit nga përdorimi ose mospërdorimi i ngrohjes elektrike të banesës.