Politika

Erion Veliaj iu përgjigjet akuzave të PD

Kryebashkiaku Erion Veliaj iu është përgjigjur akuzave të PD-së , se ai ka ndërhyrë te Vizion Plus që të mos transmetohet një emission mbrëmjen e së dielës, që fliste për vdekjen e 17-vjeçarit Gjoklaj në Sharrë.

Ja deklarata e plotë

Jam informuar dje nga një deklaratë e Partisë Demokratike dhe mediat e koordinuara prej saj me akuzat e radhës – tanimë thuajse të përditshme – kësaj here për një emision të patransmetuar në Vizion Plus. Me një mori punësh që ka Tirana, as nuk kam kohë e as interes të merrem me çdo histori që shpiken në dhoma montazhi, seli partie e duzinë portalesh pranë tyre.

As nuk e kam parë emisionin, as nuk i njoh gazetarët, e as kam kontaktuar KURRË me Vizion Plus. Sfidoj këdo që bën gazetari të mirëfilltë të provojë të kundërtën! Por, kushdo që më njeh, e di se sa i fokusuar jam në punët e Tiranës e sa nuk harxhoj kohë fare me litaninë e përditshme të PD e mercenarëve të tyre – sepse besoj se qyteti ndërtohet me punë, jo me helm!

Sigurisht që, për PD e shpurën e tyre, humbja e Tiranës – pa lënë asnjë gjurmë gjatë qeverisjes – është një parathënie e humbjes së 3-të radhazi pas pak muajsh. Është e qartë si drita e diellit se për një parti si PD, që fjeti gjumë 4 vjet, Tirana në Punë është një makth nga i cili s’po dinë si të zgjohen.

Por, ky nuk është problemi im e i Tiranës, njerëzit duan punë konkrete e jo baltovinë konstante! Në 1 vit, Tirana ka hapur 100 kantiere pune, ka më shumë rrugë, shkolla, kopshte, çerdhe e kënde lojërash! Ka sot një jetë artistike, kulturore e turizëm të paprecedentë më parë.

Ka një Bashki me 3 turne në punë dhe një qytet më të pastër, më të ndriçuar e më të gjelbër. Sado të përpiqen me histeri e kujë, nuk i bindin dot 1 milionë dëshmitarë të këtij ndryshimi frymëzues për qytetin e me jehonë në gjithë rajonin.

Unë do të shqetësohem realisht kur të vijë dita që PD e portalet e saj të mos sulmojnë – aty do kuptoj se s’kemi punuar mjaftueshëm atë ditë e që duhet të përpiqem më shumë! Por, për sa kohë batareja e ligësise nuk ndalet, atëherë jemi në rrugë të mbarë!

Tani, ju lutem, na lini të punojmë, ndërsa ju vazhdoni avazin tuaj të shpifjeve dhe sulmeve si çdo ditë këto 13 muaj. Me shpresë, tek e treta e vërteta – pra, te humbja e ardhshme – do kuptoni se kjo kulturë e shëmtuar nuk solli dobi as për ju, se për vendin jo e jo!

Puna or miq, ju nxjerr në dritë, jo çezma e helmit, sajesave e trillimeve! Ju vazhdoni me stërkëmbshat, por ju’a them fort e qartë: TIRANA NUK NDALET! Më e mira është përpara dhe do ta arrijmë me 1 milionë zemra të tjera me punë të palodhur, optimizëm kronik e fokus te qyteti!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button