Sopranoja Ermonela Jaho do të ngjitet në skenën e Qendrës Kombëtare të Arteve në Pekin në rolin e Thaïs, personazhit kryesor të operës me të njëjtin titull. Ajo do të jetë në krah të baritonit me famë botërore Placido Domingo, që në veprën e kompozitorit francez, Jules Massenet, do të ketë rolin kryesor të murgut, Athanael.
Ngjarjet zhvillohen në Egjiptin bizantin të shekullit të IV para erës sonë. Murgu Athanael që jeton në Aleksandri, përpiqet të konvertojë kurtizanen e quajtur Thais në krishterim, por zbulon mëkatin trupor dhe e gjen veten të nënshtruar ndaj hijeshisë së saj.
“Thaïs është shumë ndryshe, është një vepër më elegante. Do një lloj meditimi. Çdo gjë ka një përgatitje psikologjike, nuk është e drejtpërdrejtë si muzika italiane që shpërthen, siç është tek ‘Madame Butterfly’ apo tek ‘Traviata’, ndërsa ‘Thaïs’ vërtet ka ato shpërthimet e veta, por me një lloj kontrolli. Edhe njerëzit e kontrolluar kanë atë zjarrin e brendshëm që mendoj që karakteri ynë ballkanas e mesdhetar e ndihmon për t’i dhënë një ngjyrë. Ndihem shumë mirë, por përsëri është një sfidë, sepse pavarësisht se i këndon operat me qindra herë, çdo ditë ka gjëra për të zbuluar,” thotë Jaho për CRi Shqip.
“Për një kohë të gjatë, ‘Thaïs’ ka qenë një ndër veprat më të njohura, por që nga mesi i shekullit të XX, ajo dalëngadalë u la në harresë”, thotë konsulenti i teatrit, Giuseppe Cuccia.
Forca krijuese që fshihet pas prodhimit të ‘Thais’-it nga Qendra Kombëtare e Arteve e Pekinit, është regjisori argjentinas Hugo de Ana. Ai është gjithashtu skenografi dhe kostumografi i shfaqjes. “Opera ndjek rrugëtimin e murgut ndaj do të përdorim multimedian për peizazhet e lëvizshme,” thotë regjisori. “Për publikun, ndjekja e kësaj opere do të krijojë eksperiencën e kalimit nëpër rrugëtimin e mugut, si për shpëtimin e shpirtit ashtu dhe të mëkatit trupor.”
Regjisori De Ana shton se muzika e veprës është “jashtëzakonisht e bukur, si kur përshkuan kufizimet fetare, ashtu dhe betejat e brendshme të karaktereve.”
Opera ‘Thaïs’ është vepra e parë e Qendrës Kombëtare të Arteve të Pekinit për kalendarin e vitit 2018.