Euro në tregun vendas në nivelin më të ulët në dy muaj
Euro ka shënuar rënie të vazhdueshme edhe në tregun vendas gjatë dy javëve të fundit, duke zbritur në nivelin më të ulët të dy muajve, duke reflektuar zhvlerësimin e saj në tregun ndërkombëtare, si rrjedhojë e pasigurive që janë krijuar nga kriza greke.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 140.48 lekë, duke shënuar rënie për të 10-ën ditë radhazi dhe duke zbritur ndjeshëm nga niveli më i lartë i vitit prej 141.13, që u arrit në 12 qershor.
Pavarësisht rënies, euro vijon të jetë e mbiçmuar në tregun e brendshëm, duke u këmbyer në nivele të njëjta kur ajo kuotohej me 1.3 dollarë , teksa sot një euro këmbehet në bursat ndërkombëtare me 1.1 dollarë (tre vjet më parë, kur euro këmbëhej po me 1.1 USD, një euro kushtonte rreth 137 lekë).
Një dollar u kuotua me 125.41 lekë, duke shënuar rënie me 0.38 lekë në raport me një ditë më parë. Edhe dollari është larg niveleve record prej mbi 130 lekë, që u arritën në mars të këtij viti, kur monedha e përbashkët zbriti nën 1.1 USD.
Në bursat ndërkombëtare euro ra poshtë 0.1 për qind të premten, duke u këmbyer me 1,1188 dollarë. Fundi i javës e gjeti monedhën evropiane 1.4 për qind më të ulët se sa gjithë javën. Dështimet e bisedimeve të vazhdueshme për shpëtimin grek po e mbajnë euron të dobët në tregjet ndërkombëtare.