Opinion

Europa, e vetmja rrugë shpëtimi për shqiptarët

Andrea Stefani

Andrea Stefani
Andrea Stefani

Është tepër e ndërlikuar të shpjegosh në pak rreshta sesi një kombi a shoqërie në një çast, veçanërisht në udhëkryqe historike, i lind një intuitë që e orienton të marrë shtegun e duhur, duke kompensuar deri edhe mangësi të tjera në rrafshin politik apo teorik. Kjo ka ndodhur me shqiptarët, kur në orët e shembjes së komunizmit dolën me thirrjen: E duam Shqipërinë si e gjithë Europa! Thënë këtë, duhet shtuar se përvoja e dekadave postkomuniste, vështirësitë që shoqërojnë ndërtimin e një shteti të tipit europian, konfliktet e parreshtuara politike, korrupsioni dhe krimi, varfëria e deri edhe vetë përgjumja e Europës, kanë bërë që të lindë një tjetër prirje, ajo e arratisjes apo e braktisjes së orientimit europian. Ndonëse akoma në pakicë, duhet pranuar se edhe në Shqipëri, në shtetin ku sondazhet tregojnë ende shifrat më të larta, dedikimi publik ndaj integrimit me BE-në, antieuropianizmi ka tashmë partizanët e vet. Disa nga ata që, mbi 20 vite më parë, brohorisnin për Europën, sot thonë: Në djall me “kurvën plakë” se e bëjmë vetë Shqipërinë! Por gabohen dhe “zgjuarsia” e tyre e sotme antieuropiane qëndron shumë më poshtë se intuita e tyre e djeshme, që e shpallte Europën Yllin Polar, Nord-in apo aspiratë të të gjithë shqiptarëve!

***

Nga analiza e të gjithë faktorëve, të shpie në përfundimin se, si këtu e 25 vjet më parë, integrimi me BE-në mbetet rruga e vetme e progresit dhe sigurisë së shqiptarëve kudo që ndodhen në Republikën e Shqipërisë, në atë të Kosovës, në Maqedoni, Mal të Zi, në Preshevë apo në Çamëri. Çdo rrugë tjetër i dënon shqiptarët me atë që kanë vuajtur në shekuj, me prapambetje, varfëri dhe pse jo, edhe robëri. Të largohesh nga integrimi europian, do të thotë të tradhtosh fatin e Shqipërisë!

***

Ndryshe nga sa përflitet këto kohë krize, Europa nuk është një anije që po mbytet. As ëndrra europiane nuk është një barkë që duhet braktisur, për shkak të dallgëve të larta apo shtrëngatës. Sepse alternativë e Europës mbinacionale është vetëm oqeani shovinisto-nacionalist me shtjellat përpirëse. Askush nuk mund të plotësojë për shqiptarët zbrazëtinë që do të krijohej nga një divorc me Europën e, akoma më keq, me Perëndimin. Një periudhë e vetmisë akoma më të madhe do të vinte për ta. Se ç’mund të ofrojë Lindja e kemi provuar. Por, mbi të gjitha, shqiptarëve do t’u mungojë vetë liria e tyre si njerëz, sepse largimi nga Europa, nga Bota e Lirë, është largimi nga ideali i lirisë. Dhe gabon kushdo që nuk llogarit lirinë si një faktor bazik në përparimin e një kombi. Shqiptarët janë ende kombi më i varfër në Europë, sepse nuk e kanë njohur kurrë lirinë. Prandaj e kanë të vështirë ta kuptojnë forcën begatuese të lirisë. Jo thjesht të lirisë së shtetit nga pushtuesi i huaj, por të lirisë së njeriut si qytetar i një shteti me ligje dhe institucione që ia mbrojnë liritë dhe të drejtat nga cenimi prej çdo force apo pushteti.

***

Por edhe në rrafshin gjeopolitik, pa Europën, pa Perëndimin dhe SHBA-në, shqiptarët do të ishin të braktisur siç kanë qenë për shekuj me radhë. Nëse nuk kanë mësuar nga ajo përvojë shekullore, nëse nuk kanë fiksuar deri edhe këshillat e rilindësve se “drita e uruar lind andej nga perëndon” (Naimi), do të jetë faji i tyre dhe jo fataliteti i Atdheut.

***

Pavarësia e Kosovës, Kosova shtet i pavarur, duhet të shërbejë edhe si një monument që me ekzistencën e vet, duhet ta ripërtërijë çdo ditë, te çdo shqiptar, dedikimin ndaj integrimit europian. Nëse tolerohen iluzione se Kosova do të ishte sot e pavarur edhe pa mbështetjen e Perëndimit, atëherë kjo do të ishte jo vetëm një miopi ndaj një të pavërtete, por dhe një mosmirënjohje e rrezikshme. Sepse mosmirënjohja për një akt historik si ai i ndërhyrjes së Perëndimit për çlirimin e Kosovës, nuk mund të mos ketë pasoja fatale për kombin që do ta manifestonte.

***

Imagjinoni për një moment Shqipërinë larg projektit Europian të integrimit. Aq më keq edhe një Serbi me shpinë nga BE-ja. Kush do ta pengonte etnonacionalizmin serb t’u kthehej pretendimeve për Kosovën? Dhe kur pyesim kush do ta pengonte, nuk kemi parasysh thjesht një forcë, një koalicion ushtarak si NATO, por mbi të gjitha, forcën e ideve të paqes dhe bashkëjetesës mes kombeve, forcën paqtuese të një ambicieje të përbashkët të kombeve të Ballkanit, për integrim në një strukturë mbikombëtare si BE-ja. Vetëm integrimi i shqiptarëve, serbëve, malazezve, maqedonasve dhe i gjithë Ballkanit në Europë, mund të shmangë përfundimisht skenarë të përgjakshëm të tipit të Krimesë tani që ambiciet e Rusisë për influencë drejt gadishullit plot barut etnonacionalist, janë ndezur përsëri. Kush mund t’i ndalë këto ambicie pansllavike, që nuk mund të mos shpërthenin në mungesë të idealeve dhe objektivave të europianizimit apo integrimit në BE? Dikush mund të mendojë, le të themi, Turqinë. Pa u ndalur në aftësinë apo edhe interesin e Turqisë për të ndërmarrë një mision të tillë, ajo që duhet të na bëjë t’i druhemi një alternative të tillë, është përsëri problemi i lirisë, i sistemit të saj. Sepse Turqia nuk është një shtet me liri e të drejta të garantuara. Turqia nuk është akoma Europë. Dhe atë rivelacion që, mbi dy dekada më parë, shqiptarëve ua pohoi një intuitë e rrallë historike, pra që Shqipëria duhet të bëhet Europë dhe se vetëm në Europë do ta gjejë shpëtimin, nuk duhet t’ia mohojë “arsyeja” e rëndomtë e ditës e zalisur nga privacionet e tranzicionit.

***

Historia e solli që shqiptarët, le të themi, ta transhendojnë politikisht bashkimin kombëtar në formën klasike etnonacionaliste, por ta realizojnë atë në kuadrin e një strukture mbikombëtare sikundër është Bashkimi Europian. Që do të jetë, më në fund, një fat dhe jo një fatkeqësi për kombin e tyre.

Related Articles

Comente

  1. OR   ANDREA STEFANI   …. A  KE  JETUAR  NDDONJE DITE  NE  EUROPE   .. A   E  KE PARE SE   SI  ESHTE  EUROPA  .. DHE   A  E DIN  SE  SA I INTERESON SHQIPERIA  ?   ,   jo sma ha mendja   JU FOLNI  SI NJE GAZETAR  QE  SMERR VESH FARE NGA BOTA  DHE  KUJTONI SE  EUROPES  PO I  CAHET KOKA PER  NE  ..  JETOJ NE FRANCE … DHE TE THEM ME PLOT BINDJEN SE  AS QE E CAJNE KOKEN SE  JEMI GJALLE  APO NA VRET SERBI APO GREKU    PO TA THEM SE  CDO  VEND NE  EUROPE MBRON INTERESAT E VETA PERSONALE   DHE  SE FRANCE ISHTE ME MIRE KUR NUK  U BE  EUROPA E MADHE  ????  PO NUK ZGJODHET NE SHQIPERI NJE  NJERI JO TE KORRUPTUAR    AS JEHER NUK DO TE BEHENI SI EUROPA …   NE SHQIPERI   KORRUPSIONI E  KA BERE SHQIPERINE  TE SEMURE ….  PRANDAJ MOS PRISNI SE PER 1000 MIJE VEJT  NUK JU FUT EUROPA JU NE   … KUSH DO TA LUFTOJE  KORRUPSIONIN E RAMES TE METES BASHES BERISHES  EUROPA  ..JO JO   PRANDAJ MOS  ENDERRONI DHE LERI  ILUZIONET  … .I ZOTI E NXJERRE   GOMARIN NGA BALTA …..

  2. Gjithmone shkrimet dhe komentet e Z. Stefani me lene nje shije te mire . Artikuj me plot analiza , me mendime reale dhe me me te miren e shoqerise . Dihet qe rruga per Europe eshte sa e veshtire  dhe e koklavitur . Une do te isha dakord qe edhe pse shume gjera tani ne Europe nuk jan ashtu sic duhet , prape ne kemi se cte mesojme prej tyre . PO pyetja me e rendesishme eshte : ATA c’na duan ne ???

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button