Opinion

Europa, tokë e lakmuar

Nga: Angelo PANEBIANCO

Europa duhet të mbajë parasysh gjallësinë këmbëngulëse të shteteve kombëtare. Por, europianët që pësojnë yshtjen e kushtrimit nacional–populist duhet të dinë mirë se çfarë çmimi do të paguajmë të gjithë, nëse ai projekt do të sendërtohej.

I drejtohemi më shumë shëmbëllesave historike kur kohët turbullohen, kur shkimen pikat e referimit të zakonshëm, ato që më parë përdornim për të ndërpretuar botën. Kërkohen, në historinë e shkuar, çaste e gjendje të krahasueshme, për aq sa është e mundur me rrethanat e pranishme, me shpresë të gjendet një busull që të na ndihmojë ne të drejtohemi.

Ta zëmë se Steve Bannon, ish-ortaku i Donald Trumpit e teoriku i nacional–populizmit, dhe mendimi i tij (ai që shumëve prej nesh na duket një distopi, një utopi e keqe) për një Europë të rihedhur në garën mes Shtetesh, plotësisht sovranë, do të fitojnë.

Ta zëmë se në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian do të vërtetohet fitorja e madhe zgjedhore e nacional–populistëve.

Ta zëmë se do të rritet kushtëzimi i ushtruar mbi qeveritë gjermane nga Alternativa për Gjermaninë, një lëvizje kundër të huajve (dhe kundër Europës), sot partia e tretë në Bundestag, që në Francë rënia e pëlqimit popullor për Macronin do ta bëjë përsëri të besueshme sfidën lepeniste, që në Itali do të ngulin rrënjë nacional–populistët, sot në fuqi, e që lëvizje të tilla do të vazhdojnë të fuqizohen gjithandej. Bashkimi Europian, larg kalimit të krizës së sotme, do të kishte pak mundësi të merrte veten.

Le të përfytyrojmë , së fundi, se lidhjet ndëratlantike (edhe për shkak të ripohimit të një mandati të dytë presidencial të Trumpit, mbas dy vitesh), do të vazhdojnë të dobësohen. Nëse gjithçka u tha më sipër do të sendërtohej, cilës hyllësie historike duhet t’i drejtohemi për t’u rrekur të kuptojmë gjendjen e re europiane?

Mund të kuturisim që në këtë rast Europa do të gjendej në kushte të krahasueshme me ata të Italisë në gjysmën e parë të Pesëqindëshit: në harkun e kohës që shkon nga 1494, vit i zbritjes në Itali të mbretit të Francës, Karli VIII, deri në 1559, viti i traktatit të paqes të Cateau – Cambrésis. Gjatë gjithë asaj periudhe, me pushime të shkurtra, Franca e Spanja (Franca dhe Perandoria Habsburge nën Karlin V, nga 1519 deri në 1556,) luftuan për kontrollin e Italisë. Sherret mbaruan më 1559 me ngadhënjimin e Spanjës, që siguroi mbizotërimin, nga Mbretëria e Napolit në Milano, në një pjesë të mirë të Gadishullit. Italia mbas 1494 ishte bërë tokë e lakmuar nga fuqitë Europiane sepse kishte dy karakteristika (që i gjejmë edhe në Europën e sotme): ishte e pasur në burime ekonomike dhe në prestigj dhe ishte politikisht e copëtuar, e ndarë në Shtete shemra, të paaftë të formonin një front të përbashkët kundër orekseve të atyre fuqive.

Në një vepër klasike kushtuar “Historisë së republikave italiane” më 1832, historiani dhe ekonomisti Sismondi shkruan: “Në fund të shekullit XV zotërinjtë e kombeve francez, gjerman e spanjoll u tunduan nga begatia e mrekullueshme e Italisë, ku grabitja e vetëm një qyteti u premtonte atyre herë-herë më shumë pasuri se sa mund t’i zhvatnin miliona vartësve. Me pretekstet më të kota ata mësynë Italinë e cila, në dyzet vite lufte, herë pas here u shkatërrua nga gjithë ata popuj që mundën të depërtonin në të. Grabitjet e këtyre barbarëve të rinj shkaktuan zhdukjen e begatisë që i kishte joshur ata”.

Le të mbajmë parasysh tani rastin e një Europe “të shprishur”: fundi i hegjemonisë së Shteteve të Bashkuara, fundi i integrimit Europian, kthim i plotë në Europën e Shteteve kombëtare të palidhura – siç kanë qenë deri tashti – nga ajo hegjemoni dhe nga ai integrim.

Të përfytyrojmë gjendjen më ngjyrë trëndafili, një skenar në të cilin të mos jenë të pranishme, në ndryshim nga çfarë ndodhi në Italinë e Pesëqindit, kundërshtitë e armatosura (edhe se e dimë se gjatë kufirit mes Vendeve të NATO-s dhe zonave të ndikimit rus, shpejt a vonë mund të shpërthejnë përplasje të rënda). Europa gjithsesi do të jetë tokë e lakmuar e fuqive të mëdha. E para që do të përfitonte nga rënia e hegjemonisë amerikane dhe ndalimi i njëhershëm i integrimit Europian, natyrisht do të ishte Rusia (e cila, së bashku me disa miq të saj Europianë, po punojnë me zell për atë përfundim). Do të synonte të zëvendësonte Shtetet e Bashkuara në rolin e lordit mbrojtës të Europës. “Asgjë e keqe” thonë ata që nuk kuptojnë se çfarë pasojash do të kishte mbi shoqërinë në të cilën bëjnë pjesë e mbi vetë jetët e tyre, kalimi nga hegjemonia e një fuqie demokratike e liberale në atë të një Shteti iliberal.

Merrni me mend: ekspertët e Rusisë mendojnë se Putini është më i miri që gjendet në sheshin e atyre anëve. Pasuesit e tij, për pjerrje autoritare dhe prirje imperialiste, do të jenë me gjasë, më të këqij. Por Rusia nuk do të kishte fushë të lirë. Do të haste pengesa në veprimin e të tjera fuqive të mëdha. Edhe se politikisht të kufizuar, jo më në gjendje të ushtrojnë një hegjemoni të pakundërshtueshme, Shtetet e Bashkuara, sigurisht nuk do të braktisnin krejtësisht fushën: do të kërkonin gjithsesi të kundërshtonin trysninë ruse mbi Europën.

Pastaj është Kina me synimet e saj perandorake, rruga e re e Mëndafshit, e gjithçka tjetër me investimet e saj të mëdha jo vetëm në Azi dhe në Afrikë, por edhe në Mesdhe e në Europë. Europa e pasur dhe e ndarë do të bëhej pre (të shpresojmë së paku, paqësore) e garës ndërmjet fuqive të mëdha të sotme. Në një Europë të ndarë do të rindizeshin shumë shemëri, deri tani (mbas 1945) vetëm të fashitura: ndoshta kundërshtia e fortë mes Italisë dhe Francës mbi Libinë paralajmëron një fazë tensioni ndërmjet Europianëve për çështjet më të ndryshme.

Nga ana tjetër, rifillimi i tensioneve do të lehtësonte, kryesisht në Vendet Europiane më pak të fuqishme, lindjen e grupeve partiake ose të rrymave të partive, të lidhura me fille dyfishe me njërën apo tjetrën fuqi të madhe rivale. Nuk po zëmë në gojë faktin që në një Europë të ndarë, dhe tokë mërgimi nga Lindja e Mesme, do të shtoheshin akoma më tepër prania dhe aftësia e ndikimit të ndonjë fuqie (autoritare) të asaj zone.

Elitat europeiste apo kozmopolite që mendonin se në Europë shteti kombëtar tashmë ishte tejkaluar, kanë bërë gabime të mëdha. Kanë lehtësuar kundërveprimin sovranist. Europa duhet të mbajë parasysh gjallësinë këmbëngulëse të shteteve kombëtare. Por, europianët që pësojnë yshtjen e kushtrimit nacional–populist duhet të dinë mirë se çfarë çmimi do të paguajmë të gjithë, nëse ai projekt do të sendërtohej.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button