Europa

Eurozonës i duhet stabilitet dhe jo paqetësi

Sa më shumë që spekulohet për zgjedhjet në Greqi e për një dalje të mundshme të vendit nga Eurozona, aq më e ndërlikuar bëhet gjendja. Në Komisionin e BE dhe në Parlamentin Evropian shumë duan ta mbyllin debatin.

Guy Verhofstadt dhe Jyrki Katainen

Sa për frikësim, kryetari i Grupit Parlamentar Liberal në Parlamentin Evropian, Guy Verhofstadt ka të gatshme disa shifra: edhe sikur vetëm të flasësh për idenë se mund të kishte një Grexit nuk është punë shumë e mençur, thotë Guy Verhofstadt. Sepse një dalje e Greqisë nga Euroja do të ishte shumë e shtrenjtë për shtetet e tjera anëtare. Kështu, Irlanda dhe Portugalia, të cilat e çliruan veten me shumë sakrifica nga kriza e Euros, duhet të paguajnë përkatësisht tre dhe gjashtë miliardë. Pjesa e Spanjës në borxhet e Greqisë do të ishte 29 miliardë Euro, gjë që do ta nxirrte shumë nga shinat qeverinë e Madridit në përpjekjen e saj për rimëkëmbjen e ekonomisë. Dhe lista e tmerreve vazhdon me 44 miliardë për Italinë, 49 miliardë për Francën dhe midis 66 dhe 80 miliardë për Gjermaninë.

Shpata e Demokleut Grexit

Liberali i kishte ftuar të pranishmit në Parlamentin Evropian për të folur për rritjen ekonomike dhe për investimet në BE, po këto ditë nuk mund të anashkalohet tema “si do të vejë puna më tej me Greqinë”. Debati i nevojshëm për nxitjen e ekonomisë evropiane tani kryhet nën shpatën e Demokleut të Grexit-it, tha Verhofstadt dhe kjo është e fundit ajo për të cilën ka nevojë tani Evropa. Një diskutim i tillë mund të çojë në kthimin e krizës së Euros, në Greqi ajo do të forcojë ndjenjat antievropiane. Po 75 përqind e grekëve duan të qendrojnë në Eurozonë. “Pra ajo që duhet t’u themi atyre nuk është: Po ju hedhim jashtë! Por: po ju vëmë detyrim që t’i zbatoni reformat, për të cilat kemi rënë dakord, shumë prej të cilave as nuk kanë nisur.”

Zëvendëspresidenti i Komisionit të BE, Jyrki Kattainen është edhe më refuzues përsa i përket debatit Grexit. “Një diskutim i tillë nuk na nevojitet absolutisht, parimi i BE është qëndrimi i bashkuar. Vendet e reja janë të mirëpritura dhe të vjetrat mbeten ku janë”, thotë ai. Ai nuk ishte as i sigurtë, nëse thashethemet dhe mendimet nëse mund të përballohet një dalje e Greqisë nga Eurozona e kanë vërtet burimin te qeveria e Berlinit. Grekëve u duhet lënë liria që të vendosin vetë për rrugën e tyre politike dhe për të ardhmen e tyre, thotë Kattainen. Megjithatë ai tërheq vëmendjen që megjithë parimet demokratike, Greqisë i duhet një program reformues.

BE-së nuk duhet t’i bëhet presion

Më shumë në kursin e Berlinit nga ana tjetër është eurodeputeti i CSU-së, Markus Ferber. “Nëse Greqia vendos të ndjekë një kurs tjetër politik, të tillë që nuk mund ta mbështesë më Euron, atëherë duhet të ketë një mundësi…” Ferber tërheq vëmendjen se në Evropë ka gjithmonë dy nivele publike (politiko-administrative dhe shoqeria civile): Gjermania sheh me shqetësim nga Greqia dhe është e qartë që taksapaguesi gjerman nuk duhet të paguajë për vendimet politike të grekëve. Përkundrazi, në rrafshin evropian shtrohet pyetja nëse BE-ja do të qendrojë e bashkuar. Përsa i përket faljes tjetër të borxheve, që kërkon Syriza, deputeti i CSU-së tërheq vëmendjen se Greqisë i janë falur më shumë se 100 miliardë nga borxhet e saj. Dhe se pjesa që ka mbetur është vetëm të kreditorët publikë. Por po të vijë tani sinjali “të duhet vetëm të negociosh fort, dhe atëherë nuk do të të duhet të paguash më”, atëherë të gjitha vendet e tjera me borxhe do të kërkonin të njëjtën gjë për vete. Solidariteti nuk është rrugë me një drejtim dhe ai që merr ndihma, duhet edhe të bëjë diçka për to, tha eurodeputeti gjerman.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button