Kryeartikull

“Evropa është si një biçikletë e cila vazhdimisht duhet të jetë në lëvizje”

Besueshmëria e BE-së si partner në rajon është në rrezik dhe kjo do të ketë pasoja strategjike për rajonin dhe BE-në, duke krijuar një vakum që mund të plotësohet lehtësisht nga Kina dhe Rusia.

Studiues dhe shef i Zyrës së Ballkanit në TRT WORLD

Në Samitin vjetor Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë, i përcjellë me drekë, fotografi të përbashkët, buzëqeshje dhe gjitha rutinat e zakonshme, nuk u arrit asnjë vendim apo përparim në zgjerim; gjithçka që u arrit ishte një “riafirmim” i lidhjeve.

Jacques Delors, ish-president i Komisionit Evropian, shkroi se “Evropa është si një biçikletë e cila vazhdimisht duhet të jetë në lëvizje”, sepse nëse ndalon së lëvizuri, ajo bie përmbys. Duke parë BE-në sot, dikush joshet ta krahasojë atë me një biçikletë, rrotat e të cilës janë hequr për ndërrimin e gomave dhe askush nuk tregon interesim të veçantë për ta riparuar atë. Ky qëndrim ishte i dukshëm gjatë Samitit joformal BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur të mërkurën në Bërdo të Sllovenisë.

Samiti nxori në pah një ndarje të qartë midis Komisionit Evropian, të udhëhequr nga gjermanja Ursula von der Leyen, e cila ishte qartë në favor të zgjerimit dhe Këshillit Evropian, të kryesuar nga francezi Charles Michel, i cili shprehu rezerva të qarta në lidhje me zgjerimin e Unionit.

Ky i fundit deklaroi qartë se nuk është sekret që 27 vendet anëtare nuk janë në valë të njëjta lidhur me kapacitetin e bllokut për pranimin e anëtarëve të rinj. Leyen është për pranimin, por jo tani dhe jo deri në vitin 2030 siç propozohet nga Sllovenia, por “kur të përmbushen të gjitha kushtet”.

Sigurisht, BE-ja nuk ka pasur përvoja pozitive me zgjerimin e saj drejt Lindjes që ndodhi me Rumaninë dhe Bullgarinë ose me Grupin e Vishegradit, i njohur gjithashtu si vendet V4; Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe Çekia, një aleancë joformale brenda BE-së që kundërshton demokracinë liberale të Perëndimit, mbështet luftën për një Evropë të krishterë dhe ndër të tjera është kundër dekadencës së supozuar të Perëndimit, emigracionit dhe multikulturalizmit.

Vetëm t’i vëmë gjërat në perspektivë; gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina, kanë një popullsi të kombinuar prej më pak se 18 milionë banorë dhe janë afërsisht sa madhësia e Vestfalisë Veriore (Gjermani). Prodhimi i Brendshëm Bruto total i tyre është e krahasueshme me atë të Sllovakisë. Këto shifra nuk tregojnë madhësi që mund të shkaktojnë probleme në Evropë.

Duke lënë mënjanë ngurrimin e përgjithshëm të BE-së, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Po ta marrim për shembull, Serbinë dhe Kosovën. Shtetësia e Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës ende nuk është plotësisht e sigurtë. Për të mos përmendur korrupsionin dhe krimin e përhapur në pjesën më të madhe të rajonit. Për më tepër, ka shqetësime brenda BE-së në lidhje me disa nga këto vende. Spanja, për shembull, refuzon të njohë Kosovën sepse percepton një lidhje të drejtpërdrejt midis rastit të Kosovës dhe popujve katalonjas dhe bask.

Bullgaria është përfshirë në një mosmarrëveshje gjuhësore me Maqedoninë e Veriut, e cila duhej të ndryshonte emrin e saj të mëparshëm “Maqedoni” për shkak të ndjeshmërisë greke për t’i mundësuar bisedimet e pranimit me BE-në. Holanda nuk dëshiron që anëtarët e “bandës shqiptare”, e cila aktualisht është e përfshirë në trafikun e drogës në vend, të mund të udhëtojnë dhe të qëndrojnë atje. Gjermania është e irrituar nga azilkërkuesit e dëshpëruar, si dhe ata që vijnë si vizitorë dhe thjesht nuk largohen. Franca e sheh rajonin si pengues të “autonomisë strategjike” të dëshiruar të Evropës.

Shkurtimisht, BE-ja vazhdon të bllokojë vendet e përmendura pafundësisht, ndërsa nga njëra anë, duke paraqitur katalogë të kërkesave për çështje të tilla si demokracia, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe kështu me radhë dhe nga ana tjetër, promovimin e programeve të investimeve dhe infrastrukturës. Në realitet, ajo kryesisht kërkon të qetësojë dhe ruajë klasën politike të rajonit, e cila po bëhet gjithnjë e më e gatshme të udhëhiqet nga BE-ja, veçanërisht pasi Kina është e gatshme jo vetëm të sigurojë financime të pakushtëzuara politike, por edhe të kërkojë kontakte të drejtpërdrejta dypalëshe nga partitë në pushtet.

Kina tashmë po investon miliarda në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Serbi, vendi më i madh në rajon me popullsinë e saj prej 7 milionë banorësh. Për më tepër, Kina kërkon ndikim kulturor përmes Instituteve të saj ‘Konfuci’, qendrave kulturore dhe mediave si dhe programeve të bashkëpunimit dhe shkëmbimit me universitetet private në rajon. BE-së, nga ana tjetër, i mungon vullneti politik për të mbajtur Ballkanin Perëndimor të mos rrëshqasë ekonomikisht dhe ndoshta politikisht në sferën e ndikimit të Kinës. Kjo është demonstruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili e sheh “autonominë strategjike” në traditën Gauliste si një lloj ekuidistance midis Kinës dhe Amerikës, si dhe një mundësi për t’i dhënë Francës një status më të madh si fuqia e vetme bërthamore e BE-së. Apo Angela Merkel, e cila ndoqi qëllime më të prekshme siç ishte mosvënia në rrezik e shitjes së automjeteve gjermane në Kinë.

Kredibiliteti i BE-së si një partner në rajon është në rrezik, i cili do të ketë pasoja strategjike si për rajonin ashtu edhe për BE-në, duke krijuar një vakum që mund lehtësisht të plotësohet nga Kina dhe Rusia. Rusia shfrytëzon gabimet e BE-së, e cila ka ndjekur politikën e “qetësimit” për vite me radhë për të kënaqur elitat e korruptuara politike të Ballkanit Perëndimor. Përmes gabimeve të pasuksesshme të BE-së për vaksinimin, Rusia ka arritur të paraqitet si një lojtar i qëndrueshëm në kohë krize. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, lidhja më e rëndësishme e presidentit rus Putin me rajonin, shfrytëzon marrëdhëniet e tij të mira me të jo vetëm për të furnizuar popullsinë serbe me vaksina por edhe “turistë vaksinues” nga vendet fqinje. Vaksina ruse ‘Sputnik’ ka fituar kështu rëndësi gjeostrategjike.

Në vend që të përballen me Kinën dhe Rusinë, shtetet individuale të BE-së ndjekin objektivat e tyre dritëshkurtër të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Më 28 shtator, Franca dhe Greqia shpallën një “aleancë strategjike të mbrojtjes” në Paris. Të dyja vendet nuk janë vetëm anëtare të BE-së, të cilët janë të detyruara sipas nenit 42:7 të Traktatit të Lisbonës që të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në rast të një sulmi të armatosur, por edhe anëtar të NATO-s, siç është Turqia, kundër së cilës u formua aleanca e re dhe e cila, si vendet e tjera të Ballkanit, është ende kandidate për anëtarësim në BE.

Përderisa vendet e BE-së punojnë kundër njëra-tjetrës në këtë mënyrë, nuk mund të ketë “autonomi strategjike”. As samitet dhe as rezolutat nuk do ta ndryshojnë atë.

Biçikleta ndërkohë do të vazhdojë të mbetet aty pa goma dhe pa riparime të mundshme në të ardhmen e parashikueshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button