BotaOpinion

Falimentimi ekonomik i Rusisë është çështje javësh

Nga Marcus Ashworth

Nëse Vladimir Putin nuk i thërret mendjes së shpejti dhe nuk tërhiqet nga Ukraina, atëherë Rusia do të gjendet në prag të dëbimit për një kohë shumë të gjatë nga tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Çdo zotërues i obligacioneve të qeverisë ruse, është sot në hall të madh.

Qeveria ruse është përpjekur të shlyejë pagesat ndaj kreditorëve të saj, por Zyra e Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja, po e shtrëngon në mënyrë të pashmangshme dhe me profesionalizëm lakun për t’i ndalur këto flukse parash.

Po ashtu po mbyllen të gjitha rrugët dhe kanalet mbështetëse për kompanitë e lidhura me qeverinë ruse, për vazhdimin e shërbimit të borxheve të tyre. Agjencitë e vlerësimit të kredisë dhe ofruesit e indeksit të obligacioneve standarde, po i heqin obligacionet ruse nga bizneset e tyre.

Një falimentim zyrtar nga qeveria ruse ka të ngjarë të ndodhë brenda javëve të ardhshme. Në fakt Moska e ka pranuar krizën e rëndë që po kalon, duke kërcënuar me veprime ligjore, dhe duke thënë se do të ndalojë shitjet e bonove për pjesën tjetër të vitit.

Se kë apo çfarë mund të padisë me sukses kjo mbetet e paqartë. Perspektiva e marrjes së borxheve të reja nga Rusia ishte zhdukur qëkur kjo e fundit nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Siç komentoi Ministri rus i Financave Anton Siluanov në gazetën ruse “Izvestia”, kostot e huamarrjes për çdo shitje obligacioni do të jenë “marramendëse”.

Do të kalojnë shumë vite përpara se ta shohim Rusinë që të fitojë qasje normale në tregjet ndërkombëtare për dollarë, euro apo monedha të tjera ndërkombëtare. Por Rusia po ndal edhe emetimin e rublës brenda vendit. Kjo nuk është edhe aq problematike, pasi Evropa paguan ende 1 miliardë dollarë në ditë për blerjen e energjisë ruse.

Por nëse sanksionet ndaj qymyrit do të pasohen nga ndalimet e blerjes së naftës dhe gazit rus, do të ndërpriteshin edhe këto flukse të ardhurash, dhe do të thellohej më tej paaftësia e Rusisë për të marrë hua. “Rusia nuk do të jetë në gjendje të shlyejë borxhet e saj ndoshta për një dekadë. Kjo do të thotë se ajo nuk do të ketë qasje në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, do përballet me kosto shumë më të larta të huamarrjes, madje edhe nga kinezët nuk do të ketë investime, rritje ekonomike, dhe qytetarët do përballet ne standarde më të ulëta të jetesës. Kjo është një perspektivë e tmerrshme për Rusinë dhe rusët”- thotë Tim Ash, strateg i tregjeve në zhvillim në kompaninë “Bluebay Asset Management”.

Zhvillimi më tronditës i ditëve të fundit është shpallja e gjendjes së falimentit nga Hekurudhat Ruse, që nuk kanë më mundësi të paguajnë borxhin e tyre. Dhe tani që është krijuar precedenti, edhe kompanitë e tjera shtetërore do të kenë me siguri të njëjtin fat.

Nuk është përcaktuar ende përqindja për të cilën do të kompensohen zotëruesit e obligacioneve, edhe pse ka të ngjarë të jetë afër shumës së plotë të siguruar nga kompanitë e sigurimeve. Por ajo që është e rëndësishme për industrinë e financave, e cila ka përjetuar disa mosmarrëveshje mbi derivatet e kredisë, është se këtë herë sistemi po funksionon siç është menduar.

Por huamarrësit rusë, përballen ketë herë me një situatë shumë më të rëndë sesa gjatë krizës së mëparshme të borxhit rus të vitit 1998, kur mungonin vetëm pagesat në rubla, ndërsa kreditorët në valutën e huaj u shlyen si zakonisht, ndërsa pjesa tjetër e botës u angazhua ta ndihmonte. Këtë herë, Rusia është e izoluar. Ajo përballet me një krizë financiare të saj, të shkaktuar vetëm për fajin e vet. /“Bloomberg”/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button