Libri

Fan Noli, pasioni për vajzën nga Bukureshti

Në 51-vjetorin e ndarjes nga jeta/ Detaje nga jeta private e një prej personazheve më të rëndësishëm të historisë sonë

Fan Noli nuk donte të mbetej një vetmitar. Dhe pse e dinte që një burrë i lexuar gjithnjë do të ishte vetëm në fund të çdo udhëtimi, përpara se të bëhej peshkop, ai ka qenë shpesh i tunduar nga ideja e martesës. Një burrë që pëlqente muzikën, shkruante poezi, nuk kishte si të mos ishte i ndjeshëm ndaj çështjeve të zemrës. Megjithatë shumë pak detaje nga historitë e zemrës së Nolit janë mundur të mësohen ndër vite. Ai ka qenë i kujdesshëm për të mos ia besuar askujt luhatjet e zemrës. Përpara shugurimit si prift ortodoks nga ana e Platonit, kryepeshkopit ortodoks të Nju Jorkut më 1908, Fan Noli kishte nisur të mendonte mbi idenë e martesës. Janë disa letra të gjetura në arkivin e tij, që nxjerrin në pah kërkesën e vazhdueshme që ai kishte për të gjetur një vajzë, e cila të përmbushte disa kërkesa që do ta bënin të denjë për të qenë bashkëshortja e një prej figurave më të njohura në atë periudhë të shqiptarëve të SHBA-së. Në një letër të shkruar më 14 mars të vitit 1907, nga Bostoni, Thanas Tashkos, një veprimtari të njohur shqiptar në SHBA, ai shpreson që priftëresha Misirleshë, një kandidate për bashkëshorte, të shkojë vetë në SHBA, duke i kursyer atij harxhet e udhëtimit. “Ju shkrova dy letra të cilat jua dërgova bashkë dhe ju rrëfenja me ç’kondicie nga ana ime mund të mbarohet ajo sër’e priftëreshës Misirleshë. Me-qenë-se s’na mbetet përpara kohë shumë dhe duhet në është për të bërë, të nisem unë që këtejza pa fiale pas Shën-Gjergjit për aty, prandaj ju shkruaj që, po të jetë që s’bëhet ajo tiatra d.m.th. të vinjë vetëm këtu nusia që të shpëtojmë nga harxhet, të mirri vesh me viehrën të m’i marrë përsipër harxhet e udhës dhe të më dërgoni porsa t’a mirrri këtë letrë pa vonim fare 50 lira, jo më pak, se siç ju thashë dhe tiatër herë, nukë vinj aty unë si evgjit. 20 lira janë vetëm navllat, 10 lira të paktën për rroba se këtu në Amerikë mbeta pa këshimë, pa brekë dhe pa këpucë dhe duhet të ndrohem që më krye gjer në funt. 10 lira më duhen se do të shkoj nga Parisi të piqem me Aladron dhe të shëkoj mos i këput gjëkafshë për sërën e priftërisë dhe 10 lira të kem harçllëk kur të vinj në Misir”, shkruan Noli. Ai premton në letër për bashkëshorten e ardhshme se, nëse ajo do të bëhet gruaja e tij, do të bëjë një jetë si askush tjetër. “Bëj hesap pastaj. Tashi s’duhet të kemi shpresë të bëhem milionar, po gjithë që priftëresha ime do të shkojë si pak priftëresha shkonjë këtu dhe gjetkë. Të quanj të potershme nga ana ime dhe bëj dhe fol si të duash, veç të mbarohet kjo punë, 100 lira të marrë aty në Misir dhe 50 këtu n’Amerikë para Shën-Gjergjit, ose 90 në Misir dhe 50 këtu. Të këtushmet nukë zbresin. Në je patriot, bëju dhe ca më tepër dhe mbaroje këtë punë dhe t’ap uratën.
Fan Noli
P.S. Në mos e mbarofsh këtë punë fot’të mallkoj. Po munt të më thuash se mallkimi im nuk të zë, pa u bërë prift. Po unë them që zë, se në mos jam tani prift i Kishës, po pa fjalë jam prift i Shqipërisë. Dhe kij kujdes”, i shkruan Noli Tashkos. Por duket që letrat e tij janë më shumë të përqëndruara te shpenzimet e udhëtimit dhe prikën që duhet t’i paguajë nuses së ardhshme. “Po si më shkruani ju andej të vij aty t’a marr nusen dhe të kthehem prapë n’Amerikë është më keq, po të jetë që të zbresim tërë këto harxhe nga ato të zezat 100. Nuk do bëj hesap të madh. Të pakën 30 lira duhen që të vij, përveç 100 ose 150 dollarëve të cilat do përpiqem, të huhen këtejza që të bëj nonjë palë rroba, se jam si aman o Zot, se kurrë do mos e bëj kabull të vij në Misir si lypës/ dua të vij si më ka hie. Po në Misir me 46 lira dhe vajta gjer në Napoli në klas të tretë dhe dolla në New York me 10 lira në xhept. M’ato 10 lira pastaj që do të më mbeten nga të njëqindat ç’të bëj më parë? 10 lira në New York s’na arrijnë të dyve as për dy javë dhe unë siç ju shkruaj në letrën tjatër duhet të rri të paktën dy muaj në New York që të bëhem prift se duhet të mësoj dhe pak Rusçe do s’do”, shkruan Noli. Ai i vendos kushte familjes së vajzës duke i thënë se ka vetëm dy rrugë, o të vejë çupa në Amerikë, o të shkojë Noli në Bukuresht, por familja e saj duhet t’i heqë harxhet. Më tej në letër, Noli tregon gjithë cilësitë që një grua s’mund t’i humbë tek një burrë si ai. “Jam i zoti ta ushqej një grua, atë e dini shumë bukur, hyj në fabrikë
më së fundi, vete nër hotelet dhe laj piatat. Kurrë do mos i ap të
drejtën të qahet. Po çe do, kur qëllimi do mbetet i pambaruar?
Duhet ti ipi viehrës së dashtun të kupëtojë që s’është sëra për
martesë këtu, po për punë dhe puna do para. Vërtet me 100
lirat martohena po qefil për mua? S’është pun’e lehtë, e di,
po cila pun’e mirë është dhe e lehtë? Mblidhuni tre a
katër veta dhe bëjeni. Merr’eni përsipër.
A mos pandehni se u tërbuash për t’u marrtuar? Kjo gjë
bëhet se e kërkon puna, dhe këty s’ka Shqiptarka. U
mbarua! Kaqë fjalë s’dini t’i thoni priftëreshës?
………………….
Priftëreshës tani t’i thoni: “Është një sërë e këtillë
dhe e këtillë: ep 100 të verdha përveç navllave
dhe një fotografi dhe do të përpiqemi t’a bindim
atë t’Amerikës që të mos marrë tiatër!! Thuajini
pasandaj rëndësin’ e punës që do të marrë
përsipër, se dunet ditur që nukë dot’a siell
këtu që të dëfrejmë, po që të punojmë”, shkruan Noli. Por pavarësisht këmbënguljes së Fan Nolit që të eliminonte shpenzimet e udhëtimit, duket që familja e vajzës nuk ka rënë dakort që kjo martesë të bëhet. Por fakti që nuk u martua është quajtur si një shenjë e mirë prej Nolit, i cili diku tjetër shprehet se “më mirë që nuk u martova asnjëherë, pasi jeta është më e mirë beqar”. Por shumë pak të dhëna na vijnë nga jeta private e një prej figurave më të rëndësishme të historisë sonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button