Opinion

Fan Noli për Makiavelin dhe politikën

Makiaveli tha “nuk mund të mbash gjarpërinjtë në kopshtin tënd, me shpresën, se do të kafshojnë vetëm fqinjët”.  Si dhe “Nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu i nderon titujt”. Duket sikur politikës në Shqipëri, qoftë në të majtë, qoftë në të djathtë, apo dhe në qendër i mungojnë kauzat e mëdha. Dhe kauzat e mëdha nuk janë të pakicës. Kauzat e pakicës janë në të vërtetë një kufizim i mjerueshëm historik. Kauzat e shumicës janë një madhështi e mendimit

Nga MOIKOM ZEQO

490 vjet më parë vdiq Nikolla Makiaveli (1469-1527).

Niccolo Machiaveli lindi në qytetin e Firences. Është mbiquajtur si Princi i Zi i Politikës. Përtej kësaj metaforike, padyshim Makiaveli është një nga mendjet e pakta në historinë e botës që ka themeluar shkencën e politikës, një nga njerëzit më emblematikë të Rilindjes Italiane, i krahasueshëm për nga fuqia e hulumtimit, e analizës, por dhe e sintezës vetëm me mendjen universale të Leonardo Da Vincit. Makiaveli në teori dhe kardinali Rishevje në praktikë e strukturuan politikën edhe në formën e një diplomacie reflektive.

Tek Makiaveli nis filozofia moderne e politikës. Ai hodhi hapin e parë gjigant, më përpara se këtë ta bënte Tomas Hobsi me “Leviatanin” e tij. Makiaveli tha se Zoti ka vdekur, më përpara Niçes. Dhe analizoi me një qartësi të pashembullt teorinë dhe detajet e politikës. Parimi i tij ishte të tregonte të vërtetën.

Ai shprehet se “nuk mund të mbash gjarpërinjtë në kopshtin tënd, me shpresën, se do të kafshojnë vetëm fqinjët”, dhe kjo ka një kuptim shumë të madh me aktualitetin ciklik të politikës. Pikërisht për këtë kryefigurë të mendimit dhe të kulturës botërore Fan Noli ka bërë një studim befasues. Ky studim është një dorëshkrim i nxjerrë nga fondi i Fan Nolit në Arkivin Qendror të Shtetit. Këtë dorëshkrim Noli e ka kumtuar më 21 janar 1939 në kursin e Historisë së Europës në Fakultetin e Graduatëve të Universitetit të Bostonit.

Dorëshkrimi ka dhe bibliografinë e veprat kryesore të studimit mbi Makiavelin dhe epokën e tij. Teksti i Niolit është subjekti i një libri monografik. Ai e ka quajtur si “Princi” i Makiavelit. Vetë struktura e dorëshkrimit ndahet nga një Hyrje, I-Sfondi, II-Karriera e Makiavelit, III-Veprat e Makiavelit, IV-Epilog. Studimi nolian mbi Makiavelin është padyshim i nivelit të lartë të analizës historike dhe i shkruar me një stil të qartë dhe lakonik eseistik.

Për të kuptuar thelbin teorik mbi politikën, siç e ka shprehur tek vepra “Princi” por dhe në vepra të tjera, është i nevojshëm studimi i mjedisit, produkt i të cilit ai ishte. Në këtë mjedis ka rëndësi Firencia, qyteti-shtet kryesor i Rilindjes në Itali dhe në Europë, ku ai ka lindur, por dhe shtetet e tjera italiane me të cilat Firencia kishte të bënte, por edhe shtetet jo italiane që u përpoqën të zotëronin në Firence dhe në Itali gjatë kohës që jetoi Makiaveli. Fan Noli bën një skicë të shkurtër por gjeniale për historinë e Firences. Për të Firence ishte shteti i parë modern i Europës, që mbështetej në tregti, në zejtari dhe sidomos në ekonominë bankare. Bankierët e Firences i jepnin hua kolosale Anglisë, Francës, por dhe Papëve të Vatikanit. Nga pikëpamja shoqërore, në Firence sundonte borgjezia e cila ndahej në dy grupe: “Popolo Grasso”, ose “borgjezia e lartë” dhe “Popolo Menudo”, ose “borgjezia e vogël”, që ishin vazhdimisht në luftë me njëra-tjetrën dhe nuk arritën kurrë të pajtojnë mosmarrëveshjet. Ndërkohë fisnikëria, pronarë tokash, fshatarë dhe proletariati i qytetit ishin përjashtuar dhe zhveshur nga të gjithë veprimtaritë politike. Politikisht Firencia ishte Republikë, me një aparat të ndërlikuar komitetesh dhe nënkomitetesh ekzekutive dhe legjislative, me një sistem të ndërlikuar zgjedhjesh indirekte, me funksione afatshkurtra dhe me gjithfarë kontrollesh dhe kundërkontrollesh. Këto kishin për qëllim ta shpëtonin Republikën nga kontrolli i një familje ose një tarafi të vetëm. Sidoqoftë ato nuk mundën kurrë t’i pengojnë Mediçët, ose Soderinët që ta bënin makinën e qytetit-shtet të tyre të ecte sipas dëshirave dhe interesave që kishin. Qyteti i Firences kishte nevojnë për nj kushtetutë. Dy përpjekje meritojnë të përmenden: ajo e murgut Savonarola, që predikonte kundër luksit dhe prishjes së moralit, por dhe kundër Papës, dhe ajo e Soderinit që kërkonte detaje teknike të veprimit. Savonarola u dha qytetarëve të Firences një rol më të madh në kontrollin e qeverisjes, por e pagoi këtë me jetën e vet. Papa Aleksandri VI e mallkoi dhe Sinjoria e Firences e vari më 1498. Reforma e Soderinit qe imitim i kushtetutës së Venedikut. Nga pikëpamja kulturore, Firence ishte kryeqyteti i Rilindjes dhe qendra kryesore e humanizmit evropian. Është mitra urbane që lindi qytetërimin modern. Idetë e humanizmit ndaj problemeve të jetës ishin hedonistike, larg nga asketizmi i murgjve, larg nga teologjia, u drejtohej arteve dhe shkencave, larg nga Bibla, i drejtohej kulturës njerëzore të antikitetit klasik. Fan Noli nënvizon se Firence është vatra më e madhe e kësaj lëvizje të humanizmit, një emërtim kuptimi i të cilit më vonë u ngushtua dhe u barazua me lëvrimin e kulturës klasike. Petrarka dhe Bokaccio, apostujt e parë të humanzimit, ishin dy fëmijë të borgjezisë së Fiorences. Në Firence ne gjejmë të parën shoqatë humaniste, të ashtuquajturën Akademi Platonike, të themeluar nga Kozimo Del Mediçi (vdiq më 1464).  Në Firence edhe më herët ndeshim shkrimtarët e mëdhenj italianë, si Dante, Petrarka dhe Bokaccio që përdorën gjuhën popullore në kryeveprat e tyre. Në Firence ndeshen për herë të parë profetët dhe pararendësit e nacionalizmit italian modern. Lorenco Il Manjifiko (i madhnueshmi, i quajtur kështu si mbrojtës i arteve dhe i letërsisë) i Firences ka thënë për herët ë parë frazën e paharrueshme: “Unë nuk mund të vë interesin tim përmbi sigurinë e Italisë”.

Fan Noli analizon rolin e qyteteve dhe qendrave të tjera të mëdha siç është Venediku, gjithashtu një qytet-shtet dhe Republikë, por flet edhe për Papatin që ishte një perandori spirituale, që mbulonte gjithë Europën perëndimore, por që ishte njëkohësisht dhe një shtet shekullar italian i tipit feudal mesjetar. Qendër tjetër e rëndësishme është Mbretëria e Napolit. Pa harruar këtu edhe Dukatën e Milanos. Më pas Noli futet në analizën konkrete të prejardhjes dhe edukimit, si dhe të karrierës së Makiavelit. Ai flet për edukimin klasik të Makiavelit, leximet e tij në latinisht, por ka të ngjarë dhe në greqisht. Më 1498 Makiaveli u caktua në një post të lartë shtetëror, Sekretar në Kancelari, ku duhej t’i shërbente “Të dhjetëve të lirisë dhe të paqes”, një komitet që merrej me marrëdhëniet e jashtme, me çështjet ushtarake dhe me çështjet e brendshme. Njëkohësisht ai ngarkohej dhe me detyra të tjera diplomatike. Ai pati mundësi të njihte, të takohej dhe t’i vëzhgonte nga afër shumë figura të rëndësishme si Lorencin e Madhnueshëm, Savonarolën, Katarina Sforcan, Papët Aleksandër VI, Juli II, Leoni X, Cezare Borxhian, Leonardo Da Vinçin, Mikelanxhelon, Perandorin Maksimiliani I, Mbreti Karli VII dhe Mbreti Ludoviku XII i Francës. Në 1512 Makiaveli u dëbua nga shërbimi i Republikës. Meqënëse u përfshi në një përbetim kundër Mediçëve, ai u arrestua, u burgos, u torturua, por më në fund u la i lirë. Kur doli nga burgu u tërhoq në çifligun e tij të vogël në San Kashano. Karriera e tij politike kish marrë fund, përfundimisht. Humbi edhe rrogën dhe sëbashku me familjen jetoi në mjerim të plotë. Në 1527 u sëmur për vdekje, mori “kungatën e shenjtë” nga duart e Frate Pieros dhe shkoi në botën tjetër si një i krishterë, ndoshta drejt parajsës. Dhe Noli vë në dukje jo pa ironi: “E Vërteta është se Parajsa për të nuk qe aq e pëlqyeshme, sepse dikur ai pat bërë vërejtjen se drejtimi i kundërt, domethënë Ferri ishte më interesant. Sidoqoftë ditët e tij të fundit duhet të kenë qenë shumë të mjerueshme, si del dhe nga vargjet e tij prekëse:

Unë shpresoj dhe të shpresuarit e rrit vuajtjen,

Unë qaj dhe të qartë ushqen zemrën e lodhur,

Unë digjem dhe zjarri nuk duket nga jashtë. “


Por ne na intereson më tepër mendimi i Nolit për kryeveprën e Makiavelit. Traktati “Princi” është një udhëzues për një princ shërimtar. Së pari i kushtohet Xhuliano Del Mediçit dhe pas vdekjes së tij më 1516, Lorencos. Ky traktat ishte raporti i një eksperti, lidhur me problemet e bashkimit dhe të shtrimit të Italisë nga të huajt. Në fakt flitet për nj princ imagjinar, por sipas Makiavelit mund të bëhej një realitet. Libri përmban 26 kapituj, Noli bën shtjellimin e secilit kapitull dhe kapitullin XVI që është dhe i fundit i librit “e quan madhështor. Në të autori i bën thirrje Mediçëve të ngrihen në lartësinë e rastit të madh, të formojnë autoritetin e tyre, të thërrasin italianët nën armë, të dëbojnë të huajt barbarë dhe të sundojnë si shpëtimtarë të atdheut të vet. Kjo ishte një thirrje e shkëlqyer dhe mobilizuese, thirrja paralajmëruese e bashkimit kombëtar të Italisë”.

Noli citon Xhuzepe Zontan , cili e karakterizon kështu Princin të Makiavelit: “Ai është një ëndërr e ndërtuar me fragmente të realitetit, prandaj është më tepër një vepër artistike sesa racionale”.

Për Nolin vepra e Makiavelit është më shumë se kaq. “Është një ungjill i veprimit patriotik, e mbështetur në shkencën politike dhe në filozofinë e historisë”.

Dhe Noli gjithashtu thekson: “Ky libër është arti i ndërthurjes së fesë me filozofinë me shkencën. Edhe Karl Marksi u përpoq të bënte pikërisht të njëjtën gjë: të gërshetonte programin e veprimit tradicional me shkencën ekonomike dhe me filozofinë e historisë.  Këto duken sikur janë të njëjtat gjëra, por ato nuk mund të pajtohen, për arsyen e thjeshtë se fe do të thotë besim absolut, filozofi do të thotë spekulim i kotë dhe shkencë do të thotë të gjesh fakte me anë eksperimentesh. Natyrisht, kjo nuk do të thotë aspak se patriotizmi për Makiavelin dhe socializmi për Marksin janë parësorë, filozofia dhe shkenca vijnë më pas, për të mbështetur përkatësisht patriotizmin dhe socializmin.

Në veprat e tjera Makiaveli përpiqet ta vërtetojë ungjillin e tij patriotik me shembuj nga historia e Republikës romake. Për Fan Nolin Makiaveli është dhe shkrimtar i shquar. Makiaveli nuk është vetëm një emër i madh vetëm në historinë e shkencës politike. Ai është i madh edhe si shkrimtar. Për Nolin: “nga gjithë mendimtarët e kohës të politikës, ai lexohet më lehtësisht. Stili i tij është i thjeshtë, i drejtëpërdrejtë, i fuqishëm, epigramatik. Asnjë shkrimtar nuk barazohet me të në Itali dhe fare pak të tjerë mund të krahasohen me të në letërsinë evropiane. “Princi” i Makiavelit është dhe kryevepër letrare, po aq sa është dhe një traktat politik madhështor.”

Fan Noli citon edhe mendimtarin Francesko Erkole që bën krahasimin midis Dantes dhe Makiavelit. Por më i rëndësishëm është citimi studiuesit të madh F. G. Hashon, i cili megjithëse nuk ka simpati për Makiavelin, na jep një përmbledhje të të gjitha arritjeve të tij: “Arritja e tij e parë është që nd5ryshoi metodën e të menduarit politik, ai e bëri atë përsëri siç kish qenë në kohën e Aristotelit, induktive dhe historike, ai e ktheu atë prapë nga qielli në tokë, ai e bëri atë praktike dhe të përdorshme, ai, një filozofik politike abstrakte, që i kishte qenë nënshtruar moralit dhe teologjisë, e ktheu në një art të pavarur të qeverisjes, të ndarë dhe nga morali dhe nga feja. Ajo që është më e çuditshme, lidhet me faktin se për Fan Nolin Makiaveli nuk e injoron luftën klasore.

Noli shkruan: “Makiaveli është ndër të parët që e njeh luftën klasore si faktor të rëndësishëm në historinë e njerëzimit (shih librin e tij “Storia Fiorentine”). Në këtë kuptim ai është marksist më se tre shkeuj para se të lindte Marksi. Ai ishte gjithashtu ndër tëparët që diskutoi pa pasion mbi çështjen e dhunës dhe e mbrojti atë në interes të shtetit, veçanërisht pas përmbysjes së një tiranie. Pra, këtu ai është në një mendje me Leninin. Tragjedia e Makiavelit qëndron në faktin se ai gjatë gjithë jetës së tij me gjithë studimet e shumta dhe mprehtësinë e jashtëzakonshme, nuk pati fatin të realizonte ëndrrat e tij të mëdha për të mirën e atdheut. Dhe ja si do ta shprehë ai keqardhjen e vet: “Dhe unë ankohem për nayrën, e cila, ose nuk uhej të më bënte t’i njihja këto çështje, ose duhej të më jepte mundësinë që t’i zbatoja”.

Makiavelistët

Studimi i Fan Noli për Makiavelin është vërtet një dukuri intelektuale e klasit të parë. Fare mirë kjo bërthamë subjektore mund të shndërrohej nga Noli në një libër të plotë. Por dhe kështu i ka skalitur të vërteta. Noli është i vetëmjaftueshëm dhe i pafund në frazat e tij të shkurtra tepër të qarta.

Për Nolin Makiaveli është një mendimtar i politikës. Më saktë, i pari mendimtar i Europës që bëri një teori shkencore të politikës. Prandaj shkencat politike në përgjithësi e kanë Makiavelin figurën parësore. Ndërkohë duhet thënë se në 490 vjetorin e vdekjes së Makiavelit në tërë botën janë botuar libra, studime, shumë mendimtarë dhe dijetarë janë i rikthyer thelbit inkandeshent dhe të përhershëm të mendimtarit Makiavel. Për humb arsye historike teoria e tij për politikën, që përcakton një ndarje të moralit (është fjala për moralin teologjik të kohës, jo në kuptimin e etikës së Spinozës) nga politika. Vetëm në Shqipëri nuk ka një veprimtari shkencore apo akademike për Makiavelin.

Të paktën duke patur si një referencë edhe studimin e Fan Nolit. Gjatë kohërave termi kontaminuar që është më tepër një term i publicistikës dhe i ligjërimit politik, sesa i shkencës dhe i mendimit, pra e kam fjalën për termin “Makiavelizëm” ka patur konotacione më tepër pezhorative si dhe negativiste. Fraza “qëllimi justifikon mjetin”, në të vërtetë nuk është e Makiavelit, por e kritikut të madh të letërsisë dhe të kulturës Francesko de Sanktis, i cili përmblodhi në mënyrën e gabuar të interpretimit të teorisë së Makiavelit. Por kjo frazë ka mbetur e paharrueshme, shpesh ngjan si një kauzë e vrazhdësisë dhe e brutalitetit më të madh. Është kjo arsyeja që filozofi i mrekullueshëm anglez Bertrand Russell e ka quajtur “Princin” e Makiavelit si “Libri udhërrëfyes për gangsterë”. Kuptohet që kriticizmi i Russellit është një keqkuptim.

Duke rilexuar dhe reflektuar mbi traktatin e famshëm të Makiavelit për njeriun shqiptar dalin shumë pika reference për të reflektuar për atë që quhet klasa politike shqiptare.

Qoftë dhe rileximi i shkrimit eseistik të Fan Nolit na bën më të ndjeshëm, na bën pikërisht të jemi më të vetëdijshëm për të qenë të pakënaqur, më kërkues dhe më kriticist ndaj kësaj klase politike e cila, veç të tjerave ka një nivel mediokër të kulturës politike, madje ka gjasa që shumica e politikanëve, kanë këtu parasysh edhe tërë koleksionin e deputetëve gati anonimë, në shumicën e tyre, gjatë këtyre 25 vjetëve, që nuk e kanë lexuar dhe nuk e kanë njohur Makiavelin.

Ndër të tjera do të vë në dukje se Makiaveli në traktatin e tij nuk rri pa ritheksuar se “s’jam për ruajtjen e status quosë, por jam për shkatërrimin e saj”. Për Makiavelin bota është përherë në ndryshim, më shumë sesa vetë politika, (edhe nëse ka një Hyj, që i jep dorë fundit tonë), siç thotë Shekspiri te Hamleti, atëherë kemi të drejtën ekzistenciale për t’u bërë më të mençur dhe të kemi një pritshmëri me një dituri politike më të lartë për të ardhmen. Makiaveli shkruan këtë frazë që ka një aktualitet të habitshëm në rrafsh botëror, “një princ që bën çfarë të dojë është i marrë”. Makiaveli shkton: “Metoda e parë për të vlerësuar inteligjencën e një sundimtari është duke parë atë që ka rreth vetes”. Gjithashtu edhe diçka tjetër. “Nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu i nderon titujt”. Makiaveli ka folur objektivisht dhe haptazi për qeverisjen, për atributet administrative. Padrejtësisht duke folur për synimet e dhunës dhe të pushtetit, ku morali ngjan i ndarë përfundimisht nga politika, është harruar të vihet në dukje një tjetër ide shumë e saktë dhe në fund të fundit lidhet me një moral demokratik popullor. Është Makiaveli që ka thënë se: “Synimet e popullit janë më të ndershme se të oligarkëve, se oligarkët duan ta shtypin popullin, por populli do që të mos shtypet”. Ja dhe një frazë brilante për të kuptuar fuqinë e pakrahasueshme dhe të patjetërsueshme të lirisë. Makiaveli nënvizon: “Mënyra më e mirë për të siguruar pushtetin është ajo e shkatërrimit të plotë të sovranitetit të qytetit (shtetit). Kushdo që bëhet sundimtar i nje qyteti dhe nuk e shkatërron lirinë, duhet të presë shkatërrimin e vetë nga liria”.

Në realitetin shqiptar të mediokritizuar nga politika banale e ditës edhe thënia e mësipërme të Makiavelit mund të keqkuptohen.

Sidoqoftë traktati “Princi” i botuar në 1516, pra 500 vjet më parë na vë në provë arsyen. Makiaveli në shkencën e politikës tregon se është e pamundur të bëhet progres, thjesht nga panjohja e saj absurde. Të njëjtën gjë do të thoshte edhe Marks Veber. Po kështu edhe Hanah Arendt.

në vitin 1992 një mendimtar amerikan i quajtur Fukajama botoi një libër të bujshëm ku shpalli fundin e historisë politike të njerëzimit, pra dhe të ideologjive si dhe të koncepteve. Fundi i politikës është një ide utopike por si të teorive të Oruellit, ku mungesa e mendimit politik mund të krijojë një botë më shterpe, në fakt dhe më negativiste. Tërë doktrinat politike të shekullit XX duken sikur shpallen në një “vdekje të barhë”. Në disa aspekte duket sikur është me të vërtetë kështu.

Ka një “vdekje” të politikës, siç ka dhe një “vdekje” të filozofisë. Por këto nuk janë të absolutizuara, nuk janë fatale. Po kështu fundi i teorive politike në Shqipëri do të thotë që partitë të veprojnë pa koncepte politike. Pra kuturu, pa kauza. Nëse partitë politike nuk kanë kauzë, ato herët ose vonë janë të vdekshme, madje dhe të harrueshme. Dinamika e realitetit është e plotfuqishme. Prandaj arritjet më të mëdha në politikë janë arritjet mendore, shumë më tepër sesa arritjet statistikore dhe numerike.

Duket sikur politikës në Shqipëri, qoftë në të majtë, qoftë në të djathtë, apo dhe në qendër i mungojnë kauzat e mëdha. Dhe kauzat e mëdha nuk janë të pakicës. Kauzat e pakicës janë në të vërtetë një kufizim i mjerueshëm historik. Kauzat e shumicës janë një madhështi e mendimit. Pra e vetë historisë. Këto mendime burojnë, ringjallen, shumëfishohen kur lexohet studimi i Fan Nolit për Makiavelin dhe mendja jonë vihet në lëvizje për ta arsyetuar.

Dikur Fan Noli thoshte se mendja e shqiptarit nuk duhet të jetë një mendje e “lopësuar”. Domethënë që njeriu të mbllaçitet e të mbllaçitet pa pushim pa menduar asgjë, pa u interesuar, pa kujtesë, pa dinjitet, vetëm të vegjetojë dhe kaq. Ndërkohë për lexuesin e Ditës dua të jap një poezi karakteristike të Makiaevlit

Quhet “Oportunizmi”.

Vargjet janë këto:

-Kush je ti që dukesh
Më pak i ëmbël
Ndërsa qiejt
I zbukuron me luks
Paja jote?
Pse je kaq i shqetësuar?
Pse ke krahë në këmbë?
 
S’më njeh?
Jam Oportunizmi.
S’rri kurrë në vend,
Se kam nën këmbë edhe rrota.
 
Po kush të shoqëron?
 
Veç pendimi!

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button