Fansat e kritikuan për performancën e dobët, Miley Cyrus shpërthen gjatë koncertit

Këngëtarja e njohur Miley Cyrus ka reaguar ashpër ndaj kritikave për performancën e saj të fundit në Hollywood Bowl, në Los Angeles.
Pas komenteve se nuk kishte dhënë maksimumin në skenë dhe se u kishte lënë fansave të këndonin pjesë të këngëve të saj më të famshme, artistja i cilësoi videot kritikuese si përpjekje për të tërhequr klikime.
Miley u rikthye në skenë më 16 tetor, pas rreth katër vitesh pa mbajtur një koncert të plotë. Megjithatë, performanca e saj e parë nuk mori vetëm duartrokitje. Disa fansa kritikuan faktin që këngëtarja nuk interpretoi çdo varg të hiteve të saj, përfshirë “Flowers” dhe “Party in the U.S.A.”, duke ia lënë një pjesë të këndimit publikut.
Komentet negative u përhapën në rrjetet sociale, ku disa përdorues e cilësuan performancën të vakët dhe vunë në pikëpyetje angazhimin e saj në skenë. Gjatë koncertit të dytë, më 18 tetor, Miley vendosi t’u përgjigjej kritikave drejtpërdrejt nga skena.
“E kam të vështirë të qëndroj këtu dhe ta bëj këtë shfaqje”, u shpreh artistja, duke lënë të kuptohej se rikthimi në performancat e mëdha nuk kishte qenë i lehtë për të.
Ajo iu referua gjithashtu videove që, sipas saj, ishin publikuar për të gjeneruar klikime, duke kundërshtuar pretendimet se nuk ishte përkushtuar mjaftueshëm ndaj koncertit.
“Unë mund të përballoj shumë gjëra, por nuk do të pranoj që dikush të vërë në dyshim se sa shumë zemër jap kur jam në skenë. Jam plotësisht e pranishme”, ishte mesazhi i saj për kritikët.
Këngëtarja theksoi se projektet që kanë shënuar etapa të rëndësishme në jetën dhe karrierën e saj shpesh janë shoqëruar me polemika.
Koncertet në Hollywood Bowl shënuan një rikthim të rëndësishëm për Miley Cyrus, e cila prej vitesh kishte mbajtur një distancë nga turnetë e mëdha muzikore. Shfaqjet u organizuan në kuadër të projektit të saj të ri muzikor, ndërsa në repertor përfshiheshin edhe hite të njohura si “Wrecking Ball”, “We Can’t Stop” dhe “The Climb”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.