Te ndryshme

Fati është me ata që nuk dorëzohen!

NËN HIJET E MURIT

Bashkëbisedim me Margo Rejmer, kërkuese shkencore në Poloni

Monika SHOSHORI STAFA

Njëzet e pesë vjet më parë më 4 qershor të vitit 1989 në Poloni gjithkush në Perëndim e Lindje u bë dëshmitar i një ngjarje që nuk ishte imagjinuar kurrë më parë; zgjedhjet e para politike nga ku njerëzit e këtij kombi do të kishin mundësinë të bënin zgjedhjen e tyre të re politike. Regjimi komunist kishte menduar se pikërisht këto zgjedhje do të forconin edhe më sundimin e tyre apo më keq akoma, do të dobësonin opozitën. Por ndodhi e kundërta, polakët morën pjesë në to masivisht. Dhe kur votat u numëruan, lumi i shuplakave ndaj regjimit të vjetër vërshoi pashmangshmërisht drejt fitores për liri. Një grua që votoi atë ditë pati thënë: “ndihet një erë e re në ajër, po fillon të ndryshojë diçka në Poloni. Ne po ndiejmë sërish shijen e Polonisë”. Dhe ajo kishte të drejtë. Ky ishte fillimi i fundit të komunizmit, por jo vetëm në këtë vend, në të gjithë Europën. Po t’u kthehemi sërish imazheve të atij viti do të kujtojmë pamjet e rrugëve, qyteteve të Lindjes me njerëz që mbushnin rrugët e Budapestit dhe Bukureshtit. Hungarezë dhe austriakë që shkallmonin kufijtë me tela me gjemba. Protestues që ngrinin duart lart bashkuar nëpër vendet balltike. Çekë dhe sllovakë së bashku në Revolucionin e tyre të kadifenjtë apo berlinezët e Lindjes që ngjiteshin majë murit të madh. E që nga ajo kohë natyrisht gjërat pavarësisht si kanë ecur ngadalë apo shpejt, kanë pasur trajektoren e tyre të progresit në çdo hap; një Gjermani e bashkuar dhe më tej kombet e tjera në Europën Qendrore dhe Lindore, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë fort në këmbë dhe krenarë në këtë sistem të ri. Dhe sot kemi një Europë tjetër, më të integruar e më të sigurt. Por kurrë nuk duhet të harrojmë se shkëndija e parë që u ndez për një ndryshim të vërtetë revolucionar, për lindjen e një shprese të re ndër gjithë popujt e Lindjes erdhi pikërisht nga shpirti rebel polak, nga Polonia vetë. Historia u shkrua pikërisht këtu. Fitorja e vitit 1989 nuk ishte e pashmangshme.
Ajo vinte si rezultat i shekujve të tërë betejash ku gjenerata polakësh u ngritën dhe arritën të fitonin që në krye të herës pavarësinë apo nga ana tjetër ushtarët, të cilët i rezistuan pushtimit nazist nga Lindja deri në Perëndim; “Fisnikët mes Kombeve”, të cilët rrezikuan gjithçka për të shpëtuar të pafajshmit nga Holokausti; heronjtë e Getos së Varshavës, të cilët refuzuan të shkonin pa kaluar asnjë betejë; polakët e lirë në Normandi, por dhe polakët e Armatës së vendit, të cilët edhe kur Varshava u kthye në rrënoja pranuan të merrnin pjesë në një kryengritje të egër heroike. Sot pas 26 vjetësh kur Perdja prej Hekuri ra, polakët ishin ata që nuk iu dorëzuan aspak fatit të tyre. Të mos harrojmë se edhe kur një bir i saj arriti të ulej në fronin e Shën Pjetrit, iu drejtua guximshëm bashkëkombësve të tij me fjalët inspiruese tanimë, “harrojeni Europën pa pavarësinë e Polonisë”. Ky ishte Karol Jozef Vojtila. Ne sigurisht e kujtojmë se si polakët, çekët, hungarezët, gjermanolindorët apo dhe bullgarët e rumunët arritën të shembnin murin e madh 26 vjet më parë. Përballë gazit lotsjellës, barbarisë komuniste ndër burgje dhe plumbave, ata kurrë nuk u lëkundën nga forca morale e jodhunës. Në mes errësirës së ligjit ushtarak, polakët ndezën qirinj në dritaret e tyre dhe kur regjimi më në fund pranoi të ulej në bisedime, ata përqafuan dialogun. Kur polakët mbajtën zgjedhjet e para pluraliste megjithëse jo plotësisht të lira, morën pjesë të palëkundur në bindjen e vet politike. Sipas tyre, regjimi i kaluar ishte vetëm një mbetje e kohës, siç tha një udhëheqës i Solidarnostit në atë kohë, “ne vendosëm të pranojmë atë që ishte më e mundshme për t’u realizuar”. Dhe në fund të kësaj analize kuptojmë se Polonia është ajo e cila duhet të na kujtojë ne, se jo pak herë në histori, janë hapat e vegjël ata, të cilët megjithëse jo aq të përsosur mund të shembin mure, por po aq, të transformojnë edhe botë. Por si e kujton rënien e komunizmit brezi i ri? Cilat janë perspektivat e mendimit të tyre në lidhje me rënien e Perdes së Hekurt? Çfarë ndodhi atë vit të bekuar në rrokopujën e madhe që përfshiu Lindjen dhe a është ndarë njëherë e mirë nga e kaluara komuniste gjysma e Europës, tani më shumë se gjysma e saj, e bashkuar? Si shihet në sytë e një kërkueseje të re, ligji për hapjen e dosjeve komuniste në Shqipëri dhe a janë qetësuar ndërgjegjet e lënduara nga persekucioni komunist? A janë ndarë elitat e sotme politike të kohës nga mendësia e tiranisë komuniste? Si është raporti i tyre me këtë të kaluar? Margo Rejmer rrëfehet me historinë e saj.

Prej studimeve shkencore në vendet ish–komuniste, kemi mësuar se rënia e komunizmit në Poloni ishte një ndër shembujt më të denjë ku një regjim i mbetur i së kaluarës largohet pa të drejtë morale dhe force kur dënohet aq fuqishëm nga votat e sovranit. Prej këndej duket qartë prej analizave historike se demokracia e vërtetë, begatia, siguria e qëndrueshme, nuk ishin vlera që thjesht iu dhuruan këtij vendi dhe as iu imponuan nga jashtë. Polakët treguan se i kishin të fituara e të ndërtuara nga brenda shumë herët. Dhe në këtë garë mes ideve të reja dhe të vjetra, lirisë dhe autoritarizmit, lirisë dhe shtypjes, solidaritetit dhe intolerancës, përparimi i Polonisë drejt kësaj rruge tregoi forcën e qëndrueshme të idealeve që ata ushqejnë si një popull i lirë. Margo, si një kërkuese e re mbi të kaluarën komuniste të vendeve të Lindjes, si e kujtoni rënien e komunizmit në vendin tënd?

Isha katër vjeç atëherë, por ende e kam të pashlyer në mendje, fytyrën e një aktoreje shumë të njohur polake Johana Shipovska, e cila u shfaq në TV duke i buzëqeshur kamerës, dhe në një mënyrë pak si naive…por dhe delikate në të njëjtën kohë shprehu këto fjalë: “zonja dhe zotërinj, sot në Poloni komunizmi ka rënë”. Ajo i tha këto fjalë në një program televiziv, në një studio televizive. Në kohën kur po punoja për librin tim mbi gjendjen postkomuniste në Rumani, arrita të intervistoj ashtu si dhe ju shumë njerëz teksa i pyesja mbi kujtimet e tyre gjatë kohës së rënies së komunizmit. Shumë prej tyre më treguan, se impresioni i tyre i parë, pra ajo çfarë atyre u kish mbetur në mendje, ishte pamja e Nikolai Çausheskut të vrarë, fytyra e tij e larë në gjak. Ishte ai momenti që të gjithë (të rinjtë kryesisht) kuptuan se çfarë ishte vdekja. Dhe se diçka kish ndodhur në Rumani, diçka që po gjeneronte transformim të ri, me pak fjalë, jeta e tyre nuk do të ishte më ajo që ata kishin bërë më parë. Ndërsa në Poloni nuk ndodhi kështu. Polonia ishte e mbushur me krenari. Ne kemi pasur lëvizjen më të bukur opozitare që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë botërore të opozitarizmit, Lëvizjen e Solidarnostit. Kemi qenë vendi i parë që kemi pasur zgjedhje të reja pikërisht më 4 qershor të vitit 1989. Dhe ju të gjithë mund ta ndieni ende energjinë e njerëzve atje. Mamaja ime më thoshte se ideja që do të kishim një pasaportë të re ku mund të shëtisnim në të gjithë botën lirisht ishte diçka e jashtëzakonshme, ajo që për ne tani është një çudi në fakt. Sepse ashtu si dhe ju edhe ne jetonim kufizimin e lirisë së saj. Pra, ajo më tregon me endje se si ndiheshin ata pas atyre zgjedhjeve nga ku vetoja që u vendos u dha atyre të drejtën për të qenë më të lirë, të udhëtonin kudo dhe për ta kjo ishte një arritje shumë e rëndësishme. Njerëzit në atë kohë ishin shumë të gëzuar, mbushur me optimizëm, kishin pritur kaq gjatë për një erë të re. Kishin kaluar plot 8 vjet opozitarizëm në Poloni për të arritur te kjo liri dhe më në fund do të kryhej në një formë shumë të moderuar, me shumë diskutime mes politikës dhe opozitës dhe njerëzit ndiheshin krenarë për të.

Gjatë kësaj vjeshte Shqipëria përjeton 25-vjetorin e rënies së komunizmit, por barbaria e tij ende nuk është shkulur nga “mendjet” dhe mbi të gjitha nga klasa politike shqiptare e po aq administrata e saj e cila është e mbushur me njerëz që kanë një të kaluar komuniste. Mos të flasim që shumica vijnë nga familje që kanë qenë titullarë të udhëheqjes së lartë të atëkohshme. Shqiptarët nuk janë ende të qetë me respektin që duhet t’i bëhet të kaluarës së tyre. Ju vetë si polakë si ndiheni në raport me të?

Në Poloni ne kemi një situatë interesante të historisë së politikës. Në vazhdojmë ta diskutojmë shumë atë. Ne flasim shumë për Luftën e Dytë Botërore, për qëndrimin tonë ndaj hebrenjve, apo kujtesën tonë kolektive si disiplinë historike. Është e çuditshme, por Polonia jeton ende me të kaluarën e saj deri diku. Ne ende bëjmë filma për atë periudhë, prodhojmë ende dokumentarë në kujtesë të saj, sepse ne i dashurojmë heronjtë e lirisë. Kemi bërë shumë filma ndër ta p.sh. për Les Valesën. Gjithashtu ekziston një debat i madh në Poloni për vlerësimin e kësaj periudhe. Jam shumë e sigurt të them se vendi im pra polakët, janë shumë krenarë për historinë e tyre të së kaluarës, për Solidarnostin, për historinë e rënies së komunizmit dhe dëshmorët e saj. Edhe ne kemi probleme, por në asnjë mënyrë të tilla si i shoh dhe i prek këtu. Juve ju duhet të ndryshoni mendësinë në radhë të parë. Jeni ende inatçorë dhe hakmarrës. Kur jam atje, nuk e ndiej shumë atë liri që gjeneron historia e vendit tim, por tani që jam jashtë e ndiej shumë mungesën e saj.

A kanë janë të kënaqur polakët tani 26 vjet pas rënies së komunizmit? A shkoi edhe për ta shumë gjatë deri në vendosjen e shtetit të së drejtës me institucionet e saj të pavarura?
Mendoj se Polonia po shkon drejt një procesi shumë të vështirë. Duhet thënë se ne kemi shumë divergjenca mes klasës konservative dhe qëndrimeve liberale, në terma se si një shoqëri duhet të jetojë. Ju e dini që Polonia është një vend katolik dhe polakët janë besimtarë. E pikërisht prej kësaj ishte kisha ajo e cila gjatë kohës së komunizmit e ka mbështetur shumë lëvizjen opozitare atje. E kështu, duke qenë e përfshirë mes shfaqjes së lirisë dhe opozitarizmit ajo pa dashje u përfshi në politikë, por kur viti ‘89 erdhi, ajo duhet ta kuptonte që duhej të shkëputej. Ne kemi pasur influenca edhe nga Perëndimi, gjë që solli një përplasje me mënyrën e vjetër të të menduarit. Polonia është një vend mes shumë paradoksesh. Siç e shihni ne kemi një situatë të tillë, kemi një influencë të fortë të kishës katolike, por nga ana tjetër, një nga kandidatët për president ka qenë transgender, ndërsa njëri nga kryebashkiakët është krejt një homoseksual i hapur dhe i deklaruar.

Si gjithë vendet e ish-Lindjes, Shqipëria ka miratuar së fundmi Ligjin për dosjet komuniste. Për ne ato janë pjesë e problemit të dekomunistizimit në shoqërinë shqiptare, domethënë i njohjes, dënimit dhe heqjes dorë nga praktikat e atij regjimi kriminal dhe të turpshëm, i cili është prej kohësh në rend të ditës. Çfarë ka ndodhur në Poloni? A janë qetësuar ndërgjegjet e lënduara të atyre që kanë përjetuar persekutimin politik gjatë kohës së komunizmit?

Kjo çështje ka sjellë shumë shqetësime në Poloni. Ka kaluar mbi 25 vjet dhe shumë gjëra kanë ndryshuar. Disa prej tyre janë, disa të tjera janë zhdukur, sidomos ata politikanë që janë ende në fuqi dosjet edhe te ne nuk ekzistojnë. Gjithmonë ka një debat për këtë, dhe se si duhet ta vlerësojmë, por mendoj se e njëjta gjë po ndodh me Shqipërinë dhe Rumaninë. Në 1989 ju mbase nuk e dini, por është një gjë, atëherë kur komunizmi ra një zjarr i madh për ditë të tëra arriti të digjte dhjetëra e qindra dosje të ish-komunistëve. Mund të flas edhe për ata që kanë përjetuar të njëjtën gjë në Rumani. Zjarre të mëdha kanë djegur pa fund dokumente që hiqeshin nga arkivat rumune me kamionë. Brenda tyre kishte dosjet të rëndësishme sekrete dhe të gjitha këto janë shkatërruar sigurisht. Ka ndodhur pothuaj në të gjitha vendet e Lindjes, shumë prej tyre nuk deshën t’i ngacmonin dosjet brenda. Sepse një në shtatë persona, i përkiste policisë sekrete. Ndaj njerëzit e kanë shumë të vështirë të përballen me të vërtetën, sepse e vërteta për ta ishte shumë e rëndë. Dhe kjo i bën ata të jenë të dobët përballë të kaluarës së tyre. Ata e dinë shumë mirë se kush ka qenë i policisë sekrete, e dinë shumë mirë kush i ka shërbyer atij regjimi, janë persona afër tyre, fqinjë të tyre ndoshta dhe të afërm, por nuk kanë çfarë të bëjnë, përballja me të vërtetën është shumë e hidhur për ta. Çdo njeri e di që koha e vlerësimit do të vijë, shpejt a vonë, ndaj dhe njerëzit që janë në pushtet shumë shpejt do të përballen me të vërtetat e hidhura dhe kjo është e pashmangshme. Jam e sigurt se çdo vend ka ritmin e vet të përballjes me të kaluarën p.sh. unë e vlerësoj nisur nga perspektiva e Polonisë, se ne tani po diskutojmë tema që kanë të bëjnë me periudhën e ’60-’70 vjetëve më parë. Ne gjithë kohën flasim për hebrenjtë, për qëndrimin ndaj tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, por duhet natyrisht të përballemi dhe me një të kaluar më të afërt, pikërisht ajo që ka ndodhur 25 vjet më parë. Përse nuk ndodh kjo? Edhe kjo ka përgjigjen e saj. Me sa duket ende nuk jemi gati. Secili nga ne duhet të ketë perspektivën e tij të mendimit për t’u përballur me të kaluarën dhe secili vend ka një kujtesë që duhet ta respektojë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button