Politika

Fazlliç: Do të bëj biznes edhe me socialistët

Investigimi i BIRN: Rrethi i ngushtë i Berishës fitoi miliona nga pazaret e dyshimta me tokat

Vendimi i ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për të transformuar një tokë kënetore të pavlerë në një pronë të lakmueshme ndihmoi familjen e tij dhe mikun kontrovers, Damir Fazlliç, të fitonin miliona euro, bëhet e ditur nga dokumente sekrete të siguruara nga BIRN

Damir Fazlic and Sali Berisha Photo montage

Porto Romano, një tokë e varfër në veri të Durrësit, qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, është vendi ku gjendet skeleti i ndryshkur i një fabrike kimikatesh të kohës së komunizmit, një fushë e madhe me plehra të shpërndara gjithkund dhe disa objekte industriale të hallakatura.

Ende pa e marrë veten nga ndotja e papenguar e kryer përgjatë dekadave, këneta që rrethon gjirin në Porto Romano është vendi më i pagjasë për t’u kthyer në një zonë bumi për pronat e patundshme, i diktuar nga elita e politikës dhe biznesit në vend.

Megjithatë, në nëntor 2006, ndodhi pikërisht kjo gjë, kur vajza e Berishës, avokatja Argita Malltezi. dhe kolegia e saj Flutura Kola, filluan të blejnë tokë me 10 euro për metër katror – dy herë më shumë se sa vlera e tregut.

Rreth 14 hektarë në kufijtë e një ‘parku energjetik’ të vogël të lidhur me portin u siguruan për klientin e tyre, biznesmenin e dyshimtë boshnjak dhe këshilltar të Berishës gjatë zgjedhjeve, Damir Fazlliç, i cili i pagoi ndërmjetësit e tij, direkt apo indirekt, më shumë se sa katër herë çmimin e tregut – 18 euro për metër katror.

Vajza e Berishës, bashkë me ortaken e saj në kompaninë ligjore dhe ndërmjetësin e punësuar prej tyre, mund të kenë fituar gati 1.2 milionë euro nga shitja e tokës te Fazlliçi me çmim katër herë më të lartë se sa ai i tregut. Dokumente të papublikuara më parë, të siguruara nga BIRN, tregojnë 430 mijë euro fitime. Rreth 740 mijë euro të tjera u fituan në kesh dhe, si të tilla, nuk mund të gjurmohen.

Biznesmeni boshnjak Fazlliç e pa vlerën e tokës së tij, të regjistruar në emër të dy kompanive shqiptare, të rritej nga 1.7 në 4.2 milionë euro pas vendimit të Berishës. Nëse planet e tij për të zhvilluar zonën në një terminal nafte me vlerë 70 milionë euro do të vijonin, ai do të fitonte dhjetëra miliona euro.

Në vitin 2008, transaksionet tërhoqën vëmendjen e hetuesve shqiptarë kundër pastrimit të parave, të alarmuar nga përdorimi i “kompanive guaskë” nga Fazlliç në Shqipëri, numri i shitjeve të kryera me kesh, çmimet e inflacionuara, si dhe përfshirja e kompanive të regjistruara në parajsat fiskale, Qipro dhe Karaibe.

Çështja ndaj Fazlliç u rrëzua më 2009-n pasi prokurorët nuk siguruan dokumentet kyçe nga Bosnja dhe Qipro dhe nuk arritën të gjurmonin origjinën e fondeve. Fazlliç nuk u akuzua kurrë formalisht për ndonjë shkelje dhe hodhi poshtë të gjitha aludimet.

Por një dosje dokumentesh të siguruara nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) tashmë ngre pyetje të reja mbi rolin qendror që Malltezi, përmes kompanisë së saj “Malltezi & Kola”, luajti në blerjen dhe shitjen e tokës, vlera e së cilës u rrit në mënyrë dramatike si rezultat i vendimeve zyrtare të babait të saj për ta përfshirë tokën në parkun energjetik.

Gjurmimi nga ana e BIRN i dokumenteve të kompanisë nga St. Vincent dhe Grenadines në Karaibe deri në Moskë, zbuloi gjithashtu se moguli serb i energjisë, Vojin Lazareviç, ishte në zemër të marrëveshjes, duke financuar 2.5 milionë euro në llogarinë private bankare të Fazlliç në Shqipëri, përmes një rrjeti kompanish të regjistruara nëpër parajsa fiskale. Biznesmeni i dyshimtë shpreson të zhvillojë zonën në një kompleks të rëndësishëm energjetik.

As BIRN dhe as prokurorët nuk zbuluan ndonjë provë që të sugjeronte se Lazareviç financoi Fazlliç në mënyrë të paligjshme, megjithatë moguli i energjisë nuk ka folur kurrë për përdorimin e parajsave fiskale apo pse transaksionet u kryen gjerësisht jashtë sistemit bankar.

Fazlliç, një mik i ngushtë dhe këshilltar i Sali Berishës, me miq të fuqishëm në Uashington, Londër dhe nëpër të gjithë Ballkanin, ka mohuar të ketë kryer ndonjë shkelje.

Sali Berisha, Argita dhe Jamarbër Malltezi, si dhe Flutura dhe Florenc Kola refuzuan të intervistohen nga BIRN apo t’u përgjigjen pyetjeve tona të detajuara.

Lazareviç refuzoi kërkesën për t’u intervistuar, duke thënë se ishte shumë i zënë dhe gjithashtu refuzoi t’u përgjigjej me shkrim pyetjeve për lidhjet e tij me Fazlliç.

Bum pronash të patundshme

Nga baraka pranë një moli në Porto Romano, Abdyl Mukaj e nxjerr jetesën duke shitur peshk të freskët për turistët gjatë muajve të verës.

Jeta e tij ka qenë një përpjekje për të nxjerrë bukën e gojës, kështu që, kur një banor i zonës, Kujtim Shahini, i kërkoi atij në vitin 2007 të shiste një hektar tokë moçalishte me një çmim dy herë më të lartë se tregu, ai e kapi shansin.

Toka i ishte dhënë Mukajt nga shteti kur ai, si shumë fqinjë të tij, mori parcela toke në Porto Romano si kompensim pasi shteti i shpërnguli ata nga toka e paraardhësve të tyre në veri të Shqipërisë, për të krijuar hapësirë për një hidrocentral të ri.

Pasi u ofruan një shumë të madhe parash për tokën me pak vlerë financiare apo emocionale, fshatarët nuk pyetën se kush po e blinte tokën apo pse.

Argita Malltezi, partnerja e saj në zyrën ligjore Flutura Kola, dhe bashkëshortët e tyre – Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola – kërkuan tokë pranë nënstacionit elektrik në Porto Romano për klientin e tyre Fazlliç dhe kompanitë e tij, Crown Acquisitions dhe Alpha sh.p.k.

Bashkëshortët kërkuan për parcela të përshtatshme dhe punësuan një ndërmjetës vendas – Shahinin – për të kryer blerjet vetëm me para kesh, nga nëntori 2006 deri në shtator 2007.

Shahini dhe Kola fillimisht ndihmuan për të siguruar nëntë hektarë tokë nga fshatarët për Crown Acquisitions, e cila u ble pothuajse e gjitha, sipas kontratës, për 18 euro për metër katror. Dokumenti i shitblerjes është mes më shumë se 1 mijë faqeve materialesh zyrtare të siguruara nga BIRN.

Por fshatarët i thanë BIRN se ata janë paguar vetëm 1,200 lekë [9.8 euro] për metër katror. Nuk është e qartë se kush përfitoi nga 700 mijë eurot diferencë mes kontratës dhe çmimit real. Shahini pranoi se ka marrë një pjesë, ndërsa Fazlliçi, në një intervistë ekskluzive me BIRN, tha se negociatorëve të tij u takonte pjesa e tyre.

Dy nga nëntë parcelat që iu shitën Crown Acquisitions, në fakt, ishin blerë sakaq nga Shahini dhe Kola për t’iu shitur Fazlliçit me fitim.

“Unë mora vetëm 1200 lekë për m² – ky qe pazari”, tha fshatari Mukaj. “Kujtimi [Shahini] solli paratë në shtëpinë time me një fuoristradë të zezë”.

“1200 lekë për metër katror është çmimi për të cilin të gjithë fshatarët e shitën tokën – mund t’i pyesësh që të gjithë”.

Në fazën e dytë, Malltezët dhe Kolat blenë pesë hektarë tokë nga fshatarët për më pak se 10 euro për metër katror, të cilën ia rishitën menjëherë kompanisë Alpha sh.p.k të Fazlliçit për 18 euro, duke fituar në këtë mënyrë 430 mijë euro. Rreth 150 mijë euro të tjera i janë paguar Florenc Kolës për blerje tokash, megjithëse nuk është e qartë nga dokumentet se për çfarë marrëveshjeje bëhet fjalë.

Çuditshëm, gjatë transaksioneve, Flutura Kola vepronte në disa raste njëkohësisht si shitëse e pronës, për shkak se ajo e kishte tokën nën pronësi me bashkëshortin e saj, por edhe si blerëse, duke qenë përfaqësuesja ligjore e Damir Fazlliç. Pasi tërhiqte fonde nga llogaria personale e Fazlliçit, ajo në fakt paguante veten dhe partneren e biznesit, Argita Malltezi për tokën.

Crown Acquisitions në fund u shit në qershor 2007 për 1.7 milionë euro te Altaria Research Limited, një kompani e regjistruar në Qipro dhe e kontrolluar nga Lazareviç.

Alpha sh.p.k iu shit kompanisë me bazë në Qipro, Irongold Ltd., gjithashtu e kontrolluar nga Lazareviç, për 1.25 milionë euro. Fazlliçi siguroi 300 mijë euro fitime.

Fazlliç pretendoi fillimisht, gjatë intervistës së tij të vetme televizive që kur skandali shpërtheu në tetor 2008, se Altaria Research Limited ishte “kompania e tij hollding në Qipro”. Si rezultat, ai pretendoi se nuk kishte siguruar fitime për shkak se po i shiste Crown Acquisitions – dhe tokat nën pronësinë e saj – vetes. Kur ai u mor në pyetje vitin që pasoi nga prokurorët, ai refuzoi të jepte emrin e pronarit për shkak se, tha ai, kjo mund të dëmtonte biznesin e tij.

Por kur u këmbëngul nga BIRN, gjatë intervistës me Fazlliç në qershor 2014, ai tha se kishte bashkëpronësi 50% me 50% te Crown Acquisitions dhe Alpha sh.p.k me Lazareviç, përmes Altaria Research Limited.

Kjo nuk është pasqyruar në dokumentet zyrtare në Qipro dhe Fazlliçi nuk ishte në gjendje të shpjegonte nëse ai nxori ndonjë fitim nga shitja e pjesshme e tokës te Lazareviç.

Berisha mbrojti Fazlliçin

Kur u njoftua hapja e hetimit për pastrim parash në tetor 2008, Berisha bëri të pamundurën për të mbrojtur Fazlliçin nga ndonjë akuzë e mundshme, duke siguruar dhe largimin e tij nga vendi me avion privat.

Sipas një memoje të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, të publikuar nga Wikileaks, inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë u dërguan për të rrëmbyer dosjen me dokumente nga prokuroria. Prokurorët ranë pre e fushatave të njollosjes publike nga Berisha dhe madje u përballën me kërcënime për veprime ligjore nga Ministria e Brendshme.

Në qershor 2009, vetëm një muaj pasi prokurorët shqiptarë hoqën dorë nga hetimi për pastrim parash, Berisha miratoi planin që përfshinte parcelat e tokës së Fazlliçit në parkun energjetik të Porto Romanos.

Ndërsa toka nuk ishte veçanërisht e çmuar kur u ble më 2007-n, Fazlliçi aplikoi me sukses për të ndërtuar një terminal të stërmadh nafte, duke e rritur vlerën e saj me tetë herë në krahasim me çmimin fillestar të tregut.

Kur iu kërkua të jepte llogari për rolin e vet në skandal, Berisha mbajti një konferencë për shtyp në mbrojtje të Fazlliçit, duke pretenduar se hetimi ishte orkestruar “nga mafia” dhe këmbënguli se as Fazlliçi dhe as familja e tij nuk kanë përfituar prej postit të tij.

Ai argumentoi me kujdes se nuk e kishte shpallur Porto Romanon park energjetik, duke qenë se zona ishte shpallur e tillë më 2001. Por ai, gjithsesi, nuk shtoi se e kishte zgjeruar zonën e parkut për të përfshirë në të edhe tokën e mikut të tij.

Argita Malltezi nuk u intervistua kurrë nga hetuesit dhe roli i saj në blerjen dhe shitjen e tokës ka mbetur sekret deri tani. Duke folur në kushtet e anonimatit, burime pranë skuadrës së prokurorëve i thanë BIRN se ata thjesht ishin tepër të frikësuar në atë kohë për të thirrur vajzën e Kryeministrit për ta marrë në pyetje.

Argita, bashkëshorti i saj Jamarbër dhe vëllai Shkëlzen, qenë lidhur me disa skandale korrupsioni gjatë qeverisjes së Berishës, por nuk u përfshinë kurrë formalisht në asnjë hetim. Ata kanë mohuar gjithmonë të kenë bërë veprime të kundërligjshme.

Në deponimet para prokurorëve të shqyrtuara nga BIRN, avokatja Flutura Kola dhe Jamarbër Malltezi pohojnë se ata kanë qenë të ndërgjegjshëm për potencialin e Porto Romanos në kohën kur filluan të blejnë tokën.

Jamarbër Malltezi tha: “Unë kisha informacion në lidhje me zhvillimin e asaj zone, kështu që mendova se ishte një biznes i mirë.”

Pasi shau prokurorët për “hetimin e tyre të motivuar politikisht”, ai shpjegoi se Fazlliçi thjesht ndodhi që ishte personi i parë që u ofrua për të blerë tokën e tij.

Kola, në anën tjetër, shpjegoi se si ajo, bashkëshorti i saj dhe Malltezët patën punuar së bashku për të siguruar tokë për Fazlliçin në mënyrë që të nxirrnin fitime. Ajo pranoi se kishte “informacion që kjo zonë ishte miratuar… nga qeveria si një zonë për ndërtimin e depozitave të naftës dhe hidrokarbureve”.

Fazlliç i tha BIRN se ai nuk kishte informacion paraprak nga Berisha por ishte “100 për qind i sigurt” se zona do të përfshihej në parkun e ri energjetik.

“A isha unë 100 për qind i sigurt? Po, për shkak se ishte shumë shumë logjike”, tha ai. “Por që Sali Berisha të më ketë telefonuar mua për të më thënë: “…ah, ti duhet të bësh këtë dhe atë, ky është thjesht një skenar filmash”.

Ai pranoi gjithashtu se tokës iu rrit çmimi si rezultat i vendimit të qeverisë, por këmbënguli se zgjerimi i parkut energjetik ishte i pashmangshëm.

Fshatarët, nga ana tjetër, i thanë BIRN se ata “nuk dinin asgjë për planin”.

Me ndryshimin e qeverisë më 2013-n dhe largimin e Berishës, disa besuan se plani i Fazlliçit do të dështojë me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste dhe të kritikëve të tij.

Por boshnjaku thotë se po bën biznes si zakonisht dhe madje është takuar dhe me Kryeministrin e ri Edi Rama dhe disa nga ministrat e tij.

“Berisha qe miku im personal dhe është ende miku im personal, por unë nuk kam marrë kurrë asgjë nga qeveria e tij dhe nuk bëra kurrë asnjë marrëveshje, publike apo private, me qeverinë e tij”.

Ai i tha BIRN se “nuk kishte probleme për të bashkëpunuar” me Ramën dhe skuadrën e tij, pavarësisht fyerjeve që ka marrë prej tyre.

“Unë shpresoj që artikulli juaj të mos ngacmojë kujtimet e tyre”, tha ai me shaka.

A do të kthehet fantazma e Porto Romanos për të përndjekur atë dhe familjen e Berishës? Për momentin, as partia në pushtet dhe as prokurorët, nuk duken të interesuar për të rihapur hetimet mbi marrëveshjet.

Lindita Çela dhe

Lawrence Marzouk

* Artikull i rrjetit BIRN, titulli është i redaksisë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button