Ferat Shala tërhiqet nga gara për deputet: PDK-së i duhet një frymë e re
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve të kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se vendimi i tij është i “parevokueshëm” dhe se vjen pas një reflektimi për nevojën e një “frymëmarrjeje të re” brenda PDK-së.
Në një postim në Facebook, Shala ka njoftuar se pas katër mandatesh si deputet në Kuvendin e Kosovës ka vendosur të mos kandidojë sërish.
“Pas një angazhimi të gjatë politik, përkatësisht katër mandate si deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kam vendosur që të mos jem pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar ai.
Shala ka theksuar se vendimi është i pakthyeshëm dhe nuk lidhet me shmangie nga përgjegjësia politike apo nga idealet e partisë.
“Ky është një vendim i parevokueshëm… Ky vendim nuk është aspak shmangie nga përgjegjësia politike, as nga idealet liribërëse dhe shtetndërtuese të PDK-së”, ka theksuar ai.
Sipas Shalës, arsyeja kryesore është krijimi i hapësirës për një brez të ri kuadrosh politikë, me energji dhe ide reformuese.
“Këtë vendim e marr… [për] krijimit të hapësirës për një brez të ri kuadrosh politikë, me energji të re, me ide reformatore”, ka shkruar ai.
Në të njëjtën deklaratë, Shala ka vlerësuar se PDK ka nevojë për “rilindje të brendshme” dhe rifreskim politik, duke insistuar se duhet të ruhet trashëgimia dhe fryma autentike e saj.
“Mendoj se në PDK duhet të krijohet hapësirë për një frymëmarrje të re politike… Një frymëmarrje që duke e ruajtur trashëgiminë dhe frymën autentike politike, të arrijë t’u përgjigjet me guxim dhe vizion sfidave të kohëve që po vijnë”, ka shkruar Shala.
Ai ka bërë vlerësime edhe për situatën politike në vend pas zhvillimeve të vitit 2020, duke përmendur dorëheqjen e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe dorëzimin e tij në Hagë, si dhe dorëzimin e ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.
“Ngjarjet që pasuan pas dorëheqjes së Presidentit… z. Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, z. Kadri Veseli, dhe dorëzimit të tyre në Hagë, më 5 nëntor të vitit 2020, prodhuan një realitet të ri…”, ka shkruar Shala, duke shtuar se beson se kjo është “vetëm një krizë kalimtare”.
Shala ka theksuar se vendimi për moskandidim nuk nënkupton largim nga PDK-ja dhe se do të vazhdojë të jetë pjesë e strukturave udhëheqëse të partisë.
“Vendimi im për mos kandidim… nuk do të thotë aspak largim nga PDK-ja. Përkundrazi, unë do të vazhdoj të jem pjesë e strukturave të PDK-së, në Kryesi dhe Këshill Drejtues”, ka shtuar ai.
Në fund, Shala ka falënderuar bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij, duke shprehur mirënjohje të veçantë për figurat e PDK-së Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin.
“Dua të shpreh mirënjohjen time… ndaj… Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit…”, ka shkruar Shala. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.