Ferit Hoxha nga Prishtina: Kosova, prioritet i politikës sonë të jashtme. Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë
“Kosova është prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë”, – kështu deklaroi Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha nga Prishtina në krah të homologut të tij, Glauk Konjufca.
“Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i qeverisë dhe shtetit shqiptar. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë në një lidhje të ndërsjellë dhe të pandashme, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah. Kam ardhur këtu sot për të transmetuar atë që ka theksuar qartë Kryeministri Rama: kush prek Kosovën, prek Shqipërinë. Ramë dakord se dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik”, tha Hoxha.
Ndërsa Konjufca kërkoi mbështetjen e Tiranës zyrtare për përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Në diskutuam për një varg çështjesh në interesin tonë të përbashkët. Në këto kohe paqëndrueshmërive globale, koordinimi mes shteteve tona është një domosdoshmëri jetike. Ne duhet ta promovojmë rolin tonë si faktorë të stabilitetit në rajon. Krahas orientimit euro-integrues të shteteve të rajonit, anëtarësimi në NATO i shumicës së shteteve në rajonin tonë, ka qenë faktor stabiliteti. I kërkova ministrit Hoxha mbështetjen për një përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO”, u shpreh Konjufca.
Gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, ministri Hoxha u takua edhe me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Në agjendën e takimeve të Hoxhës janë edhe drejtuesit e partive politike. Po ashtu, ai do të ketë një takim në bazën e KFOR ku janë edhe pjesëtarët e kontingjentit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të angazhuar në kuadër të misionit të KFOR-it.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.