Fest’63, juria në “Karnaval”!
Verdikti u dha, grupi “Shkodra Elektronike” me “Zjerm” të kënduar nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca janë fituesit e Fest’63. Të preferuar nga një pjesë e konsiderueshme muzikantësh, por edhe prej dashamirësve të poezisë e melodisë së mirë, ata do të jenë përfaqësues të Shqipërisë në Eurosong 2025 (edicioni 69-të, Bazel, Zvicër). Ajo që nuk i la në fokus fituesit, teksa ngrinin kupën e Festivalit te Fundvitit, ishin zhurmat që vinin pas shpinës së tyre. Finalistja e renditur në vend të dytë falendëron në mënyrë të përsëritur (nuk dua të mendoj që nxit fansat) duke u kujtuar se “edhe nëse do të rrëzohet 10 herë, do të ngrihet edhe 100 herë të tjera”. Këngëtarja në fjalë, është për herë të dytë fituese e vendit të dytë të ngjarjes më të madhe muzikore në vend (po në Fest’58), por e quan këtë “një rrëzim”, çka lë të nënkuptohet, se po për herë të dytë synimi i saj është fitorja. Por, sigurisht kjo është e drejta e çdo artisti pjesëmarrës. Sipas producentes Zana Çela(njëherëzi ish-drejtore e TKOB), sopranos Raimona Tullumani dhe kompozitorit Florent Boshnjaku, kjo ishte edhe merita e saj. Pra “Karnaval” duhej renditur para Shkodrës Elektronike, Alisit, grupit “Djemtë e Detit”, Orgesa Zaimit, Lorenc Hasramës etj. Si kryetare e jurisë Çela thotë se, e bën këtë zgjedhje nisur nga fakti se Eurovizion e shikon këngën si gjini multidimensionale, duke vënë theksin tek performanca vizuale, pra, kërcimi. Kështu, sipas saj, prej Eurosong, publiku do të bëhet për vete me performanca e lëvizje që i ka parë, fjalë që i ka dëgjuar në anglisht dhe spanjisht, vetëm sepse kësaj here do të vinin nga Shqipëria, edhe me shqipen përzier. Kjo përballë një grupi që me “Zjerm” thërret rrënjët në shpirtin e këngës, duke i shtrirë degët në mesazhe universale. Pra, që do të përfaqësojë, kulturë, histori, nga e jona, edhe në mos u kualifikoftë. Shtuar faktin se ky i performancave vizuale është një test i bërë, përmend këtu rastin e Ronela Hajatit (2022, kënga “Sekret”) që as nuk u kualifikua. Kjo, përballë interpretimeve me më shumë pikë të Rona Nishliut, Anjeza Shahinit dhe Eugent Bushpepës. Pra, logjika e Çelës nuk pi ujë, çka vë në pikëpyetje pozicionin e saj si kryetare jurie. Nuk mund të them nëse kjo ka qenë zgjedhja e drejtores artistike të këtij viti këngëtares Elhaida Dani, si zbulim i hershëm i Çelës producente në “Star Akademi”, por e sigurt është që këngëtarja vetë nuk e arriti suksesin falë performancave vizuale as brenda, as jashtë vendit, por në saj të vokalit të saj. Megjithatë, shqetësuese situata bëhet edhe më tepër për faktin, që ky është një “film” i parë. Atëherë lind pyetja, kush është “regjisori”? Në vitin 2019, kur fituese e Festivalit u shpall Arilena Ara, vokaliste dhe performuese mjaft e mirë, rebelimi më i madh ndaj antarëve të jurisë që rrëzuan “Me tana” u ndie nga prezantuesja dhe drejtorja artistike e Festivalit të asaj kohe. Për të ishte i papranueshëm vlerësimi i ulët i Mikaela Mingës dhe Rita Filipit, ndaj këngëtares së dhjetëra hiteve. Muzikologia dhe poetja, në atë kohë, duhet madje “të jepnin llogari” për 2-pikëshat etj. Nuk di nëse duhet të bëjnë njësoj Jonida Maliqi dhe Alma Bektashi, që pavarësisht “presionit”, të paktën atij të dukshëm të fansave në sallë (brohoritjet), nënvizuan se ishte kënga “Zjerm” që e meritonte në absolut fitoren. Apo më tej, Merita Tërshana dhe Ylljet Aliçka, që po ashtu i dhanë çmim të parë “Shkodrës Elektronike”. Asgjë për tu mërzitur s’do të kishte sa kohë të 7 anëtarët e jurisë (s’di të them nëse me maska apo jo) në këtë edicion me kryefjalë poezinë e këngës, e patën një prej çmimeve të para për “Karnaval”, e megjithatë artistja u ndie sërisht “e rrëzuar”. Por, nëse nuk ishte zgjedhja e parë e jurisë, e as e publikut, që po ashtu votoi “Zjerm” , atëherë ndaj kujt ky zhgënjim?! Dhe, a kemi të drejtë ne, apo konkurentët e tjerë që sollën mesazhe, tekst, melodi…, të zhgënjehemi nga kjo juri (që prej përzgjedhjes së finalistëve) dhe nga ky festival? A është prej zhgënjimit që emrat e mëdhenj të muzikës, nuk po bëhen më pjesë e kësaj gare?
E megjithatë, shtruar pyetjet le të përpiqemi të mendojmë pozitivisht, sikur zgjedhja e parë justifikon të dytën. Kjo edhe për të mos i prishur festën “Shkodrës Elektronike”, një grup i krijuar me një mision të veçantë, për të sjellë traditën vendase muzikore edhe pranë brezave të rinj, përmes qasjes së tyre bashkëkohore. Të dy muzikantët shkodranë jetojnë në Itali dhe e nisën bashkëpunimin duke lëvruar këngë të vendlindjes, prej nga mori emrin dhe vetë grupi. Kanë pasur disa performanca në Shqipëri, ku kanë ripropozuar etnografinë në muzikë, vargje e elementë të kostumografisë, duke bërë për vete publikun e të gjitha moshave. Kënga “Zjerm” mban autorësinë e tyre në tekst, orkestrim dhe kompozim.
Një nga zërat më të bukur, ai i Alis, fitues i çmimit të tretë të Fest’63, që erdhi me një këngë emocionuese, për kapërcimin e momenteve të errëta. Po ashtu, është bashkëautor dhe bashkëkompozitor i “Mjegull” me Alban Kondin, ndërsa orkestrimi i takon Eugen Herrit. Artisti i talentuar shkodran është fitues i ” X Factor Albania 5″.
Thënë këto, me vetëdijen e plotë që në çdo rast gjasat që Shqipëria të fitojë Eurosong janë thuajse të pamundura, kjo edhe prej faktorëve gjeopolitikë e procedurave të votimit, ajo çka mund të bëhet është të prezantojë veten përmes muzikës autentike. Me “Zjerm” është një rast i mirë.
ANILA DEDAJ