roze

Festivali i Venecias, i mbushur me yje

Edicioni i 73-të i Festivalit të Filmit në Venecia do të sjellë në qytetin italian një mori yjesh të kinemasë, përfshirë aktorë e regjisorë të njohur hollivudianë.

Festivali më i vjetër i filmit në botë do të hapet me komedinë romantike “La La Land”, të regjisorit Damien Chazelle, ku interpretojnë Ema Stone dhe Ryan Goseling. Filmi tregon historinë e një pianisti të muzikës xhaz i cili bie në dashuri me një aspirante për aktore në Los Anxhelos.

Në garë për çmimin e madh janë 20 filma, përfshirë “The bad batch” një komedi e zezë për disa kanibalë në Teksas dhe gjithashtu trillerin e stilistit Tom Ford “Nocturnal Animals”, ku interpretojnë Jake Gyllenhaal dhe Amy Adams.

Regjisori serb Emir Kusturica është gjithashtu mes pretendentëve për “Luanin e artë” me filmin e tij “Në rrugën e qumështit” ku ai vetë interpreton në krah të Monika Belucit, në një histori që zhvillohet mes luftës, dashurisë dhe jetesës si murg.

Filmi biografik i Pablo Larrain “Xheki” ku Natali Portman portretizon Jacqueline Kennedy pas vdekjes së bashkëshortit të saj, u shtua në radhën e filmave në garë momentet e fundit. Drejtori artistik i festivalit Alberto Barbera u shpreh i kënaqur me përzgjedhjen e këtij viti.

“Jam shumë i kënaqur. Nuk ishte e lehtë të mblidhje bashkë një sërë filmash të mirë, në disa raste të shkëlqyer. Ekziston një lloj balanci pasi jemi përpjekur të sjellim si filma të mëdhenj hollivudian ashtu edhe prodhime autori”, u shpreh ai.

Filmat e këtij edicioni, sipas tij, flasin gjuhë universale por kanë një qasje me delikate e më pak grafike ndaj jetës, problemeve të jetës së përditshme, të tilla si dhuna dhe varfëria, krahasuar me festivalet paraardhëse.

Edicioni i këtij viti do t’i dedikohet dy regjisorëve të ndarë së fundmi nga jeta Abbas Kiarostami dhe Michael Cimino. Kryetari i jurisë së ngjarjes kinematografike që zhvillohet nga 31 gushti deri më 10 shtator është regjisori britanik Sam Mendes, i njohur për filmat James Bond, “Skyfall” dhe “Spectre”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button