Kronika

“Fiks Fare” Favore seksuale për statusin e jetimit

maksimStrehim, shkollim në kolegj privat pa pagesë dhe të gjitha lehtësirat që të siguron statusi i jetimit, në këmbim të favoreve seksuale. “Fiks Fare” nisi dje transmetimin e një investigimi që do të tregojë sesi thithen fonde nga një prej 140 shoqatave që veprojnë në emër të fëmijëve në nevojë, duke mashtruar dhe sesi kërkohen favore seksuale në këmbim të ndihmës për të përfituar statusin e jetimit.

Investigimi i “Fiks Fare” nisi pas një informacioni që mbërriti në këtë redaksi për aktivitetin e shoqatës “Jetimët në fokus”. Pretendimet mbi mënyrën e abuzimit ishin të shumta, por më e rënda ishte shfrytëzimi seksual i jetimëve në këmbim të ndihmës. Akuzë kjo e pretenduar për kryetarin e kësaj shoqate, z. Maksim Liço. Midis shumë dokumenteve, në “Fiks Fare” mbërriti fillimisht një komunikim në rrjetin social “Facebook” i kryetarit të kësaj shoqate me një djalë jetim 17-vjeçar nga qyteti i Sarandës. Gjatë bisedës, kryetari e ngacmon atë seksualisht dhe i premton ndihmë nga ana e tij. Për të ruajtur konfidencialitetin e kësaj bisede, gazetarët e “Fiks Fare” kontaktuan me zotin Liço në të njëjtën mënyrë, nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Bashkëpunëtori i “Fiksit” iu prezantua kreut të shoqatës “Jetimët në fokus” si një jetim 16-vjeçar në kërkim të ndihmës. Ftesa në “Facebook” nga ana e zotit Liço u pranua menjëherë. Madje të menjëhershme ishin edhe pëlqimet në çdo foto të djalit të postuar në këtë rrjet.

Pas bisedave të para në “Facebook” me z. Liço, bëhet edhe takimi i parë pranë zyrave të shoqatës “Jetimët në fokus”. Gjatë bisedës, djali i kërkon ndihmë, ndërsa kryetari i kërkon plotësimin e disa dokumenteve që të nisi regjistrimin si jetim për ta ndihmuar më vonë në nxjerrjen e statusit të jetimit. Pasi i jep numrin e tij të telefonit celular, kreu i shoqatës i lë takim në zyrën e tij që ndodhet në kryeqytet, në Rrugën e Durrësit.

Takimi i parë zhvillohet në zyrë. Zoti Liço i kërkon djalit të prezantuar si jetim 16-vjeçar që të përgatisë një sërë dokumentesh, në mënyrë që t’i sigurojë shkollimin falas në një kolegj privat, e më pas strehim dhe statusin e jetimit. Në këtë bisedë, kreu i shoqatës “Jetimët në fokus” i bën ftesën e parë djalit në shtëpinë e tij në Kombinat, nëse do të ketë nevojë për një vend për të fjetur.

Pas takimit të parë dhe bisedave në “Facebook”, zhvillohet një takim tjetër në zyrën e shoqatës, ku të pranishëm janë edhe disa punonjës të saj. Në këtë takim, kreu i shoqatës, Liço, i kërkon sërish plotësimin e dokumenteve dhe njërit prej punonjësve i kërkon të fillojë ta regjistrojë djalin si një jetim 16-vjeçar. Sipas tij, ky ishte dhe informacioni që djali (i prezantuar si jetim), i kish dhënë gjatë bisedave në “Facebook”. Në emisionin e djeshëm “Fiks Fare” është bërë publik edhe një sekuencë e bisedës së kreut të shoqatës “Jetimët në fokus” dhe djalit të prezantuar si jetim, ku kreu i shoqatës kërkon favore seksuale nga jetimi.

Sot, “Fiks Fare” do të vijojë investigimin e tij, ku do të publikohen bisedat në “Facebook” dhe telefonatat, të cilat bëhen edhe më të shpeshta. Maksim Liço i kërkon djalit të ketë një marrëdhënie seksuale me të.

Por sa është numri i jetimëve në vendin tonë dhe në çfarë kushtesh jetojnë. Sipas një raporti të veçantë të vitit 2013 të Avokatit të Popullit “Për të drejtat e fëmijëve jetimë, përfshirë këtu fëmijët e sistemuar në institucionet rezidenciale të përkujdesjes shoqërore, si dhe të fëmijëve që shfrytëzohen për të punuar”, në vendin tonë ka rreth 31 mijë fëmijë jetim. Ata ndahen në dy kategori, në jetimë socialë, numri i të cilëve rritet nga viti në vit, për shkak të problemeve sociale, kryesisht varfërisë. Dhe jetimët biologjikë, fëmijë që kanë humbur prindërit, të braktisur në maternitet apo në disa raste ekstreme edhe në rrugë apo në kosha plehrash.

Nga 31 000 fëmijë jetimë në mbarë vendin, vetëm 400 prej tyre trajtohen në nëntë qendra rezidenciale qeveritare dhe 360 të tjerë, në 16 qendra joqeveritare (OJF).

Fatkeqësisht numri i jetimëve në vendin tonë gjithmonë ka mbetur një numër i diskutueshëm, pasi institucioni i vetëm i statistikave, INSTAT-i nuk disponon të dhëna mbi numrin e fëmijëve jetimë. Numri 31 mijë vjen si deduksion i përllogaritjes së ndihmës ekonomike, me të cilën trajtohet kjo shtresë.

Sipas INSTAT-it, nga 700 mijë individë që kanë nevojë për asistencë, 184 mijë janë fëmijë, 31 mijë prej të cilëve janë fëmijë jetimë. Mbi 2/3 e kësaj moshe përballen me ekstremin e përpjekjeve rraskapitëse për mbijetesën, por më të prekurit nga ky ekstrem varfërie mbeten fëmijët jetimë. Një pjesë shumë e vogël e tyre marrin asistencë sociale, e cila në masën e përfitimit të saj mbulon vetëm 5% të nevojave minimale të jetës së tyre. Një pjesë shumë e vogël përfitojnë statusin e jetimit.

Po sipas raportit, në vendin tonë janë deklaruar publikisht rreth 140 shoqata që merren me trajtimin e shtresave të varfra dhe fëmijëve në nevojë, veçanërisht të fëmijëve jetimë dhe fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja”. Secila shoqatë ka një statut të veçantë dhe marrin formë ligjore pas regjistrimit të tyre në gjykatë.

 

Takimi i parë në zyrë me kreun e shoqatës “Jetimët në fokus”

Maksim Liço: Hajde se tanët jemi të gjithë, të shoqatës.

Maksim Liço: Zemër, çfarë ke? I solle ato dokumentet që folëm?

Maksim Liço: Unë ta mësova problemin, çfarë problemi të kesh tani, do e flasim bashkë.

Maksim Liço: Të mundohem të të fus unë në ndonjë shkollë, kështu, që të mos paguash, në ndonjë kolegj, ndonjë kështu?

Fiksi: Unë pashë një çikë në “Facebook” që ndihmonit …

Maksim Liço: Ore shumë mirë bëre.

Fiksi: Çfarë bëni ju? Çfarë mundësish na jepni?

Maksim Liço: Nga je?

Fiksi: Nga Tirana.

Maksim Liço: Se ku të kam parë unë, pashë një çikë fotografitë.

Maksim Liço: Hajde për çdo gjë, do ta mësoj dhe shtëpinë. Hajde për ça të kesh hall, më thuaj.

Fiksi: Po ça? Të vij të fle ke shpia jote?

Maksim Liço: Jo mo, hajde fli ndonjëherë, s’ka problem.

Fiksi: Të vij të fle ke shpia jote?!

Maksim Liço: Po hajde mo, fli ndonjëherë, kur të jesh pushim apo kur të ashtu.

Fiksi: Ti në shtëpi je me familjen tate, s’kam lidhje ke shpia jote.

Maksim Liço: Jo, s’e kam këtu familjen unë.

Fiksi: Juve nga jeni me origjinë?

Maksim Liço: Nga Përmeti jam unë.

Fiksi: Ndonjë fëmijë kështu, keni ju?

Maksim Liço: Kam dy djem. Moshë e madhe se unë jam 51 vjeç.

 

Takimi i dytë në zyrën e shoqatës “Jetimët në fokus”

Maksim Liço: Urgjentisht të regjistrohesh.

Fiksi: Të klasës së tetë?

Maksim Liço: Po të klasës së tetë.

Punonjësi i shoqatës së jetimëve: Çfarë moshe ke një herë?

Maksim Liço: 16 vjeç, po hë se e regjistrojmë. Do e regjistrojmë si jetim. Bjeri të keqen sa më parë tani. Dëftesa e klasës së nëntë, dy fotografi, certifikatat, të vdekjes, të asaj …

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button