Filxhani i çajit që kushton 10 mijë dollarë
Tradita kineze e vlerësimit dhe kategorizimit të çajit, e bën edhe klasifikimin e verës franceze që të duket diçka normale. Pesha e çajit origjinal të llojit “Da Hong Pao” nuk tregtohet thjesht me ar. Një gram i tij kushton 30 herë më shumë sesa një gram ari. Rreth $1,400 për vetëm një gram
Në vitin 2002 një pasanik pagoi 180,000 juan – rreth $28,000 për vetëm 20 gram të çajit legjendar kinez, Da Hong Pao. Edhe në një kulturë në të cilin vlerësohet jashtëzakonisht pirja e çajit dhe prej gati 1500 vitesh, servirja dhe konsumimi i tij janë kthyer në një art, ky çmim të lë me gojën hapur. Duhet thënë se tradita kineze e vlerësimit dhe kategorizimit të çajit, e bën edhe klasifikimin e verës franceze që të duket i thjeshtë.
Pesha e çajit origjinal të llojit “Da Hong Pao” nuk tregtohet thjesht me ar. Një gram i tij kushton 30 herë më shumë se sa një gram ari. Rreth $1,400 për vetëm një gram, ose mbi $10,000 për të prodhuar një filxhan.
“Ky çaj duket i përshtatshëm për një lypës, por e ka çmimin e përballueshëm për një perandor dhe ka zemrën e Budës”, tha për BBC-në Xiao Hui, një çajbërëse në “Ëuyishan”, një qytet i mjegullt buzë lumit në Fujian, në jug të Kinës.
Xiao dhe familja e saj, që merren me prodhimin e çajit prej disa brezash e kanë zakon që çdo verë të shkojnë lart në mal dhe t’i bëjnë thirrje Zotit të çajit Lu Yo, që t’u japë prodhim të mbarë.
Peizazhi karstik i Wuyishan-it ka qenë i famshëm për prodhimin e çajit ndër shekuj. Uji që rrjedh poshtë grykave të thella e majave të mprehta, duke vazhduar në kanalet e ngushta të maleve dhe ujëvarave me xhunga guri, është plot e përplot me minerale që mbartin shije.
Në zonën e Wuyishan-it, çdo dyqan ka të vendosur një tavolinë për shijimit e çajit. Kjo bën pjesë në ritualin e gong fu cha-së, më i afërti me ritualin e ceremonisë japoneze të shërbimit të çajit.
Duke udhëtuar në Wuyishan, mund të gjenden çaje të llojit “Da Hong Pao” me çmime mjaft të arsyeshme. Ka tregtarë që i shesin ato me $100 për kilogramë. Por, ka edhe pemë që prodhojnë bimën origjinale, shija e të cilit nuk ka të krahasuar dhe është aq shumë e lakmuar.
“Çaji origjinal Da Hong Pao është kaq i shtrenjtë, sepse ka pak bimë origjinale, të cilat prodhojnë aktualisht”, shpjegoi mjeshtri vendas i çajit Xiangning Wu. “Edhe versionet antike janë mjaft të vlerësueshme, thuaje nuk kanë çmim”. Kaq i rrallë është ky lloj çaji, sa ndërmjetësit udhëtojnë anembanë Kinës, për t’u shitur pasanikëve këtë çaj.
Por këtë lloj çaji nuk e vlerësojnë vetëm kinezët. Në 1849, botanisti britanik, Robert Fortune, erdhi në malet Wuyishan në një mision sekret, pjesë e spiunazhit agroindustrial, ku kompania koloniale “East India” dallohej.
Si atëherë edhe tani, britanikët ishin të fiksuar me çajin dhe Kina, vendi ku ata blinin porcelanin dhe mëndafshin ishte i vetmi vend ku mund ta merrnin. Por Britania nuk bëri ato që Kina donte, duke krijuar një deficit tregtar. Një mënyrë për ta zgjidhur këtë punë, ishte që të merrej fara fshehtas dhe të mbillej diku tjetër.
Nëse Britania e bënte vetë çajin e saj, atëherë nuk do të ishte kaq i varur nga Kina.
Por nuk ia doli. Sepse çaji kinez nuk rritej në Indi dhe çaji indian kishte shije të ndryshme nga ai që britanikët preferonin.
Kjo detyroi Fortune-n që të maskohej dhe të jetonte vetëm në këtë krahinë, për të mësuar çelësin e përgatitjes së çajit Da Hong Pao. Emri i tij do të thotë “Rroba e madhe e kuqe” dhe ka të bëjë me një mbulesë të kuqe të ndezur që perandori i Kinës e dhuroi shumë kohë më parë, si shenjë falënderimi për një kurë që e shëroi atë.
Botanisti në vazhdim mori farat, fidanët dhe sekretin e kultivimit të tyre. Kur farërat u çuan në Indi dhe u hibridizuan me çajin indian, i dhanë fillesën një industrie që tani vlen miliarda dollarë në vit.
Kryemurgu Zhe Dao i tempullit Tianxin Yongle tregon për gojëdhënën: “Në shekullin e 19, disa kërkues të bimëve të çajit erdhën dhe morën farat. Por ata nuk dinin se si ta bënin çajin, kështu që kishin nevojë për mjeshtrit që t’i mësonin se si”. Tempulli “Tianxin Yongle” u themelua në 827 para lindjes së Krishtit. Në 1958, gjatë periudhës së Mao ce Dunit, murgjit u detyruan të largoheshin, duke marrë me vete traditën mjeshtërore të të bërit çaj. Kur Zhe erdhi nga qyteti i vjetër i Suzhou-t në 1990, ajo çfarë kishte ngelur nga tempulli përdorej nga bujqit.
“Atëherë isha vetëm unë, kurse tani kam mjaftueshëm dishepuj. Për pesë apo gjashtë vite do të nisim që të bëjmë çaj prapë”.
Pemët origjinale Da Hong Pao janë të vendosura në tokën e tempullit, por murgu ia ka lënë menaxhimin e tyre qeverisë kineze.
Prodhimi kontrollohej rreptësisht. Ajo sasi e vogël që bimët jepnin ishte e rezervuar për shtetin dhe deri vonë, bimët e çmuara ruheshin me roje të armatosura.
Për disa, mosha e pemëve është 350-vjeçare dhe duket e vështirë që të mendosh se ato mund të prodhojnë gjethe të reja të shijshme dhe specialistët e botanikës thonë se kjo nuk ka për të ndodhur.
Më 1 maj nis sezoni i korrjes së bimëve. Hera e fundit që ato u korrën ishte më 2005, kështu që vështirë se këto pemë do të prodhojnë prapë çaj.
E kjo do të thotë që ato bimë të mbledhura vazhdojnë që të thahen vit pas viti dhe shija e tyre përmirësohet. Kjo do ta bëjë gjithmonë e më të çmuar në vlerë.
Ndoshta aq të shtrenjta sa edhe diamantet, nëse u kushtohet koha e duhur.