Flamuri shqiptar valëvitet në Boston dhe Connecticut, shqiptarët festojnë 114-vjetorin e Pavarësisë në SHBA
Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka festuar 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me aktivitete festive dhe ceremoniale në Boston, Massachusetts, dhe në Waterbury, Connecticut, ku flamuri kuqezi u ngrit në nderim të kësaj date historike.
Në Boston, dhjetëra shqiptarë u mblodhën pranë Bashkisë së qytetit, ku flamuri shqiptar valëviti në një ceremoni solemne, që bashkoi komunitetin në nderim të historisë dhe identitetit kombëtar.
Aktiviteti nisi me interpretimin e himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë. Programi artistik u pasurua nga Ansambli “Amantia”, si dhe interpretimet e artistëve Vendim Kapaj dhe mjeshtrit të polifonisë Nazif Çela, të cilët sollën këngë dhe motive të traditës shqiptare.
Një nga organizatorët e aktivitetit, Mentor Maksutaj, theksoi rëndësinë e bashkimit të komunitetit shqiptar dhe ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Atmosferës festive iu shtuan edhe mesazhet e pjesëmarrësve, ndërsa vëmendje të veçantë morën veshjet tradicionale shqiptare, të prezantuara nga grupi “Tradita Popullore”. Mjeshtrja e kostumeve popullore, Edlira Sulaj, ishte gjithashtu pjesë e aktivitetit.
Festimet vijuan edhe në Waterbury të Connecticut-it, ku flamuri shqiptar u ngrit në një traditë që zhvillohet që prej vitit 1980. Në kuadër të aktiviteteve të këtij viti, Gëzim Kulla u zgjodh kryebashkiak nderi për një ditë, në shenjë vlerësimi për komunitetin shqiptar dhe kontributin e tij në qytet.
Aktivitetet për 114-vjetorin e Pavarësisë u shtrinë edhe në zona të tjera të Bostonit, me iniciativën e organizimeve “Boston Community” dhe “Çunat e Bostonit”, duke sjellë së bashku shqiptarët e diasporës në festën kombëtare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.