FMN: Ekonomia shqiptare, imune nga zhvillimet në Greqi
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson risk të ulët për ekonominë shqiptare nga ajo që po ndodh në Greqi.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin të Financave, Shkëlqim Cani, ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Guvernatorin të BSH, Gent Sejko, kreu i FMN-së, Nadeem Ilahi tha se “Fondi nuk pret asnjë risk serioz nga kriza grek”.
“Sistemi bankar shqiptar ka likuiditet të mjaftueshëm dhe nuk presim asnjë efekt nga kriza greke që mund të kërkojë ndërhyrjen e qeverisë shqiptare. Duhet thënë se bankat me kapital grek ndër vite kanë humbur ndikimin e tyre të madhe në Shqipëri”, tha Ilahi.
Sa u përket eksporteve, vëllimi i ulët i tyre drejt tregut grek nuk sjell ndikim të madh.
“Vëllimi i eksportet shqiptare drejt Greqisë janë të pakta, dhe kjo nuk pritet të ketë ndikim në Shqipëri, ose ka një risk shumë të ulët”, deklaroi kreu i FMN-së.
FMN thotë se, qeveria ka përmbushur objektivat e caktuar në kuadër të programit, përveç mosrealizimit të të ardhurave fiskale, sipas planit për periudhën janar-maj të këtij viti, ku shkaku kryesor ka qenë ulja e çmimit të naftës.
Edhe ministri Cani përjashtoi efektet nga kriza greke.
“Efektet e situatës greke në ekonominë shqiptare janë nën kontroll. Së pari, sepse ajo që po ndodh në Greqi, nuk është e re. kemi 5 vjet që ekonomia jonë përshtatet me këtë gjendje dhe aktorët ekonomikë shqiptare kanë arritur të përshtasin planet e tyre për investime apo tregtime të tjera”, tha Cani.
Një nga sektorët që mund të preket më shumë nga një dalje e mundshme e Greqisë nga Eurozona, është ai i eksporteve, por edhe këtu ndikimi është i kufizuar.
“Ulja e fuqisë blerëse në Greqi mund të ndikojë në eksportet tona, por është një çështje për t’u parë me kohë. Ne supozojmnë që do të ulet kërkesa për mallrat shqiptare, megjithatë nuk bëhet fjalë për një ndikim të madh pasi kemi vetëm 5.3 për qind eksporte drejt Greqisë”, sqaroi ministri i Financave.
Sa i përket sistemit bankar, Cani ripërsëriti qëndrimet e shprehura më herët nga specialistët dhe nga Guvernatori Sejko.
“Më me rëndësi është për të theksuar diçka për bankat shqiptare me kapital grek, sepse janë banka shqiptare nga ana ligjore dhe janë tërësisht të shkëputura nga bankat mëmë”, tha Cani.
Për ministrin e Financave, ndikimet nuk do të jenë vetëm negative, por do të ketë edhe efekte pozitive, në rastin e skenarit më të keq për atë që po ndodh në Greqi. Cani tha se Ministria, Qeveria, Banka e Shqipërisë dhe të tjera institucione financiare po ndjekin me kujdes situatën së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të minimizuar çdo risk që mund të shfaqet në këtë drejtim.