Ekonomia

Drejtori “i fortë” i AMF-së, i barabartë me Guvernatorin e BSH-së

Zgjidhet pas një muaji. Kompetenca kontrolli edhe në banka, të drejta për të hetuar persona dhe subjekte

Objekti – AMF rregullon dhe mbikëqyr veprimtarinë e subjekteve e të tregjeve të sigurimeve, letrave me vlerë dhe të fondeve të pensioneve private.

Drejtori i AMF

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (BSH) nuk është më i vetmi person i fuqishëm që mbikëqyr “paranë” e vendit, i pavarur nga qeveria. Së shpejti, drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare do të marrë të njëjtat kompetenca, madje edhe të drejta urdhëruese mbi BSH-në. Plotfuqia e drejtorit të ri që do të zgjidhet në mes të muajit gusht, buron nga amendimet në ligjin për AMF-në të miratuara në 29 maj 2014 dhe që hynë në fuqi dy javë më parë, pas botimit zyrtar. Ja një prej të drejtave të tij, që i jep plotfuqishmëri kreut të AMF-së: “Kërkon nga Banka e Shqipërisë kryerjen e inspektimeve me objekt të caktuar në banka, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vënien në dispozicion të rezultateve të inspektimit”. Ndërkaq, Bordi i AMF-së ka tashmë të drejtën të vendosë vetë për buxhetin, pagat, kompensimet, organizimin, zgjedhjen e personelit dhe aktivitetin operacional.

Zgjedhja e drejtuesve të rinj

Në Shqipëri, “kush” merr një detyrë dhe “cilët” e emërojnë, ka më tepër vëmendje sesa kompetencat. Pavarësisht se ligji plotëson të gjitha kërkesat dhe vërejtjet e Bankës Botërore, FMN-së dhe BE-së, “Thembra e Akilit” është në fund të tij, në një dispozitë kalimtare. Si dhe kur do të zgjidhet Bordi drejtues i AMF-së? Dispozita kalimtare e shpjegon në detaje. Kryetari i Bordit, nënkryetarët dhe anëtarët e tjerë, të zgjedhur në këtë funksion para hyrjes në fuqi të këtij ligji, qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e bordit të ri, por jo më shumë se tre muaj. Brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi miraton anëtarët e rinj të Bordit. Ndërsa brenda një muaji nga konfigurimi i bordit të ri, miratohet struktura e re organizative dhe rregulloret e përshkrimit të punës dhe ndarjes së funksioneve. Anëtarët e rinj të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, të emëruar sipas këtij ligji, kanë si rast përjashtimor, vetëm për mandatin e parë, këto afate emërimi: kryetari, 4 vjet; drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, 5 vjet; nëndrejtori ekzekutiv, 4 vjet; anëtarët e tjerë, 3 vjet. Kryetari i bordit emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, pas një procedure përzgjedhëse. Anëtari i Bordit, që do të mbajë funksionin e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, pas një procedure përzgjedhëse. Anëtari i Bordit që do të mbajë funksionin e nëndrejtorit ekzekutiv, emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Ministrit të Financave, pas një procedure përzgjedhëse. Dy anëtarët e tjerë emërohen nga Kuvendi, me propozimin, përkatësisht, nga Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pas një procedure përzgjedhëse. Kandidati i propozuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk mund të jetë anëtar i këtij Këshilli”, thuhet në shtesën e bërë në nenin 6 të ligjit.

Kompetenca hetimore

AMF-së i jepen të drejta të plota për bashkëpunim ndërinstitucional me autoritete të tjera vendase apo të huaja, si dhe përcaktohet mënyra e bashkëpunimit e të shkëmbimit të informacionit. Sipas ndryshimit në ligj, AMF lidh marrëveshje ose memorandume bashkëpunimi me autoritete të tjera mbikëqyrëse, vendase apo të huaja, me autoritete mbikëqyrëse në sektorin financiar, agjenci apo institucione të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ose institucione të tjera të njohura me ligj, për të bashkëpunuar, shkëmbyer informacione, apo kryer inspektime të përbashkëta. Autoriteti kryen hetime, në emër dhe për llogari të autoriteteve të tjera mbikëqyrëse vendase apo të huaja, në sektorin financiar të agjencive apo institucioneve të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ose institucioneve të tjera të njohura me ligj, me kërkesë të tyre. Gjithashtu, AMF shkëmben me autoritetet dhe institucionet vendase apo të huaja, sipas fushave përkatëse të veprimtarisë: a) informacion për subjektet e mbikëqyrura; b) informacion për lëshimin e licencave; c) informacion që lidhet me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit; ç) informacion që lidhet me mashtrimin gjatë ushtrimit të veprimtarisë në fushat e mbikëqyrura; d) të dhëna të natyrës financiare; dh) informacion për personat fizikë, të cilët mbajnë poste me përgjegjësi në këto subjekte. Çdo informacion që merr Autoriteti dhe çdo informacion që i jepet një autoriteti tjetër mbikëqyrës trajtohet si konfidencial dhe përdoret vetëm për qëllime të përcaktuara në ligj apo në akte nënligjore. “Autoriteti është përgjegjës për mbledhjen dhe përpunimin e informacionit rreth fakteve dhe rrethanave që lidhen me përmbushjen e detyrave të tij mbikëqyrëse dhe përgjegjësive të përcaktuara në këtë ligj”, thuhet në nenin 18 të ndryshuar. Çfarë kanë më shumë SHISH-i dhe Prokuroria?

Drejtori i AMF-së

Përfaqëson Autoritetin. Organizon, drejton dhe kontrollon veprimtarinë e administratës. Përgjigjet para Bordit për zbatimin e vendimeve.

I propozon Kryetarit të Bordit çështjet e rendit të ditës së mbledhjes së Bordit dhe që janë të nevojshme për ushtrimin e funksioneve

Nxjerr urdhra dhe udhëzime në përmbushje të kompetencave të tij me karakter ekzekutiv. Emëron dhe shkarkon punonjësit e Autoritetit.

Shkëmben të dhëna me Bankën e Shqipërisë, me institucione e agjenci të tjera qeveritare, me organizatat dhe subjektet e mbikëqyrura.

Bashkëpunon me Bankën e Shqipërisë për inspektimin në bankat depozitare të veprimtarisë së subjekteve të mbikëqyrura nga Autoriteti.

Kërkon nga BSH kryerjen e inspektimeve me objekt të caktuar në banka dhe vënien në dispozicion të rezultateve të inspektimit.

Zamir Alushi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button