Ekonomia

FMN paralajmëron qeverinë: Kujdes të ardhurat në buxhet

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë të mbrojë buxhetin nga rreziku i rënies së të ardhurave, që vjen nga ulja e fortë e çmimit të naftës dhe inflacioni i dobët.

Në dokumentin e sapopublikuar mbi rishikimin e 4-t të marrëveshjes me qeverinë, Fondi vëren se ulja e borxhit publik në periudhë afatmesme do të kërkojë angazhim politik për të ruajtur kursin e konsolidimit domethënës fiskal, që nisi vitin e kaluar.

Në dokument, Fondi vëren se perspektiva afatmesme e ekonomisë mbetet përgjithësisht e favorshme. Sipas tij, rritja ekonomike do të vazhdojë të përshpejtohet deri në 4.5 për qind brenda dy viteve të ardhshme, për shkak të efekteve pozitive që vijnë nga reformat, rimëkëmbja e partnerëve tregtarë dhe përmirësimi i besimit në ekonomi.

Por, siç vënë në dukje ekspertët e FMN-së, rreziqet për këtë skenar mbeten të larta. Sipas tyre, rreziku i parë është ai i ecurisë së çmimeve të naftës. Sipas FMN-së, edhe pse mund të ketë pasur një efekt të lehtë pozitiv në buxhetet e familjarëve, rënia e çmimit të naftës mund të vazhdojë të tkurrë edhe më shumë investimet dhe prodhimin në këtë sektor.

Veçanërisht gjatë viteve të fundit, sektori i naftës ka qenë një nga kontribuesit kryesorë në rritjen ekonomike, duke amortizuar edhe efektet e krizës. Por rënia e prodhimit dhe investimeve nga kompanitë e naftës mund ta dobësojë rritjen ekonomike.

FMN druhet se, rritja më e dobët e kombinuar me rrezikun, që buron nga afrimi i zgjedhjeve, mund të vërë në provë zotimin e qeverisë për të ulur borxhin dhe ruajtur disiplinën fiskale. Paralelisht, FMN thotë se një tjetër rrezik buron nga situata në Greqi, e cila në rast përkeqësimi do të rriste presionet negative në ekonominë shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button