FMN rishikon me rritje borxhin e Shqipërisë, më i larti në rajon; Rasti mbresëlënës i Serbisë, ulje 10% të PBB brenda vitit
Por pavarësisht kushteve, Shqipëria paraqitet me një nivel të rrezikshëm borxhi, më i larti rajonal me 71.3% në raport me PBB-në, teksa FMN ka ndryshuar pritshmëritë me rritje për ecurinë e këtij treguesi në raport me tetorin e vitit të kaluar, sipas statistikave zyrtare të FMN. Teksa për të gjitha vendet e rajonit, nisur nga zhvillimet aktuale FMN pret rënie të borxhit, për Shqipërinë e ka rritur pritshmëritë për borxhin me 3.3 pikë përqindje më shumë për vitin 2019. Në 2019-n, borxhi pritet të jetë 68.5% e PBB-së, nga 65.2%, që ishte parashikimi në raportin e mëparshëm të tetorit.
Revolucion në këtë drejtim ka bërë Serbia, e cila brenda vitit 2017 e uli borxhin publik në 61.5% nga 71.3% të PBB që ishte më 2016. Serbia ishte vendi me nivelin më të lartë të borxhit publik në Rajon, por tani këtë renditje e kryeson Shqipëria.
Ministria e Financave e Serbisë ka argumentuar se raporti i borxhit të qeverisë ndaj PBB ra me afërsisht 10 pikë përqindje të PBB-së në vitin 2017. Më shumë se gjysma e kësaj rënieje ishte për shkak të vlerësimit të dinarit kundrejt euros dhe dollarit amerikan. Ndërsa performanca e fortë fiskale, e cila e çoi suficitin primar në gati 4% e PBB-së, ishte faktori i dytë i rëndësishëm për reduktimin e fortë të borxhit vitin e kaluar.
Gjithashtu qeveria e Serbisë ka argumentuar se efektet e reduktimit të borxhit erdhën nga rritja ekonomike (3.5% më 2017) e ndihmuar nga inflacioni i ulët. Interesat e ulëta të borxhit dhe gjithashtu balanca primare pritet ta ulë borxhin e Serbisë edhe në dy vitet në vijim duke e çuar atë në fund të vitit 2019 në 55% të PBB-së.
Pak e shumë në të njëjtat kushte ka kaluar edhe ekonomia e Shqipërisë, ku monedha kombëtare është vlerësuar së paku me 5% më 2017 kundrejt euros, ku vendi kishte rritjen më të lartë ekonomike se Serbia dhe buxheti ishte me suficit primar, mirëpo borxhi publik i vendit tonë kanë rënë me vetëm 2 pikë përqindje të PBB-së.