FMN: Sinjale pozitive në ekonomi
Nadeem Ilahi: Të ardhurat, brenda pritshmërive, duhen realizuar investimet
Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se ekonomia po ringrihet dhe se sinjalet pozitive të shfaqura në fillim të vitit janë konsoliduar, duke pasqyruar rikthimin e besimit në ekonomi. “Ashtu siç e prisnim, këtë herë shohim më shumë sinjale pozitive sesa herën e fundit që ishim këtu tre muaj më parë. Cilat janë këto sinjale? Bujqësia ka një ecuri të mirë. Gjithashtu shohim një tendencë mjaft pozitive në disa sektorë të manifakturës, si tekstilet dhe këpucët. Pra, janë sektorët e orientuar drejt eksportit, të cilët kanë rritje dhe ky është gjithmonë një sinjal pozitiv për ekonomitë e vogla, si Shqipëria. Mendoj se baza e gjithë kësaj është rikthimi i besimit në ekonomi, nga politikat rigjallëruese të qeverisë, por një arsye tjetër është dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura, që ka injektuar likuiditet në treg dhe po ndihmon ringritjen e ekonomisë”, shprehet për “Top Channel”, Nadeem Ilahi, shef i misionit të FMN-së në Shqipëri. Shefi i misionit të FMN-së thotë se, ndonëse nuk ka ndonjë përmirësim të madh, rendimenti fiskal i qeverisë është në linjë me pritshmëritë fillestare dhe nuk përbën shqetësim për stabilitetin financiar. “Ecuria e të ardhurave ka qenë deri më tani në mënyrë të arsyeshme e mirë. A ka mosrealizim të madh? Jo. A ka ndonjë përmirësim të madh? Prapë jo. Është pak a shumë brenda pritshmërive tona. Por, mes kategorive të taksave, disa prej tyre kanë ecuri më të mirë se të tjerat. Këtu theksoj akcizën, e cila ka pasur një ecuri më të dobët nga sa prisnim. Po diskutojmë me qeverinë për të parë shkaqet dhe shpresojmë që të korrigjohen në të ardhmen. Ndërsa taksat e tjera kanë ecuri të mirë, si krahasuar me vitin e kaluar, ashtu dhe me programin. Pra, në përgjithësi mund të themi që me këtë ecuri performanca fiskale e qeverisë është një fushë që nuk përbën shqetësim madhor për ne tani”, deklaron Nadeem Ilahi.
Por, një nga problemet e buxhetit mbetet mosrealizimi i investimeve, që, nëse vazhdon, mund të godasë rritjen ekonomike. “Ajo çka del qartë, është se deri më tani kemi një nënekzekutim të investimeve publike. Se cila do të jetë ecuria e tyre në muajt e mbetur, ne do ta diskutojmë me qeverinë, pasi nëse ka mosrealizim të investimeve kjo mund të kthehet në një faktor frenues për rritjen ekonomike. Por, nga ajo që shohim deri tani, ecuria e ekonomisë është në linjën që ne prisnim prej fillimit të vitit dhe nuk shohim arsye që të rishikojmë me ulje vlerësimet tona për rritjen ekonomike të këtij viti”, tha Ilahi. “Top Channel” e intervistoi zotin Ilahi disa ditë para përfundimit të misionit të radhës. Ndërkohë që, ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë shefi i misionit të FMN-së u largua pa dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, bashkë me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë. Një vendim ky, që mund të ketë lidhje pikërisht me zhvillimet e fundit në Bankën Qendrore.
Buxheti, të ardhurat 3 mld më tepër
Buxheti i vitit 2014 do të rishikohet me qëllim rishpërndarjen e të ardhurave. Ndryshimet e treguesve fiskalë në ligjin për buxhetin e shtetit 2014 tashmë janë thuajse në nivelet përfundimtare. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se, pas negociatave me ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, është arritur në përfundimin se ligji i buxhetit për këtë vit do të pësojë ndryshime, të cilat pritet të kalojnë për miratim në qeveri. Këto ndryshime do të prekin kryesisht zërin e shpenzimeve, ku do të ketë kalime fondesh te zëri i investimeve dhe fondet që shkojnë për pagesat e personave me aftësi të kufizuara. Ndërsa referuar zërit të të ardhurave, të cilat rezultojnë në një vlerë prej 3 miliardë lekësh më shumë se planifikimi, do të shkojnë për uljen e deficitit buxhetor.