Foda: Kam biseduar me Dalipin dhe Ibrahimovicin, shpresoj të vijnë te Kosova
Përzgjedhësi Franco Foda konfirmoi në konferencë për shtyp kontaktet me Lutfi Dalipin e Vaduzit dhe Arijon Ibrahimovicin e Augsburgut, por të dy futbollistët ende nuk e kanë marrë vendimin përfundimtar.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur hapur për dy emra që po i ndjek me vëmendje të veçantë, siç njofton Telegrafi. Në konferencë për shtyp, ai konfirmoi se ka biseduar me talentin e Vaduzit, Lutfi Dalipi, dhe se kontakti mes tyre ka qenë i drejtpërdrejtë.
Sipas Fodës, bisedat me Dalipin kanë ndodhur, por futbollisti ende nuk ka vendosur se për cilën përfaqësuese do të luajë. Përzgjedhësi nuk e fshehu dëshirën e tij: ai shpreson që Dalipi ta marrë vendimin në favor të Kosovës.
Foda konfirmoi gjithashtu se ka zhvilluar bisedime edhe me Arijon Ibrahimovicin e Augsburgut. Të dy kanë folur disa herë, ndërsa Ibrahimovici ka të drejtë të luajë si për Gjermaninë, ashtu edhe për Kosovën. Zgjedhja, siç theksoi Foda, do të jetë e tij, por trajneri i Kosovës shpreson që në fund ai të zgjedhë fanellën e Kosovës.
Në të njëjtën konferencë, Foda shtoi se po e përcjell nga afër edhe Superligën e Kosovës. Ai shkon i shikon lojtarët drejtpërdrejt në ndeshje dhe diskuton shpesh edhe me presidentët e klubeve kosovare. Sipas tij, këtë edicion Prishtina, Malisheva dhe Drita po kalojnë një formë të lartë.
Kosova do të luajë këtë muaj dy ndeshje të rëndësishme: kundër Izraelit më 14 nëntor dhe kundër Irlandës më 17 nëntor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.