Demo: Shtohen masat e Policisë Rrugore për lehtësimin e trafikut në Tiranë
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka dhënë një mesazh ditën e sotme sa i përket trafikut dhe lëvizjes më të lehtë në rrugë. Gjatë inspektimit në zonën e “21 Dhjetorit”, Demo nënvizoi se Policia Rrugore ka shtuar praninë dhe masat për menaxhimin e qarkullimit.
Për shkak të dëmtimit të semaforëve, sinjalistikës dhe infrastrukturës urbane gjatë javëve të fundit, ministri tha se ka kërkuar që angazhimi i strukturave të përqendrohet te nevojat e përditshme të qytetarëve.
“Ne kemi qenë dëshmitarë të asaj çfarë ka ndodhur në Tiranë gjatë javëve të fundit, dhe patjetër që dëmtimi i infrastrukturës, sinjalistikës në tërësi, i infrastrukturës urbane ka sjellë vështirësi në qarkullim.
Kuptohet që dëmtimi i semaforëve janë elementët e parë që kanë sjellë, e këtu jemi pikërisht te “21-shi”, i cili është një nga nyjet më problematike që kemi. Masat janë shtuar nga Policia e Qarkullimit Rrugor, por ne duhet të garantojmë që qytetarët nuk duhet kurrsesi të humbasin më shumë kohë se ç’është e domosdoshme për sa i përket vajtjes në punë, shkolla dhe aq më tepër për të garantuar, në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e qarkullimit rrugor në tërësi”, u shpreh ministri Demo.
Ai kërkoi vëmendje të veçantë ndaj parkimeve dyshe dhe shkeljeve që bllokojnë qarkullimin, duke theksuar se masat e shtuara duhet të vlerësohen për efektin konkret që kanë në lehtësimin e trafikut dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Unë besoj që tashmë roli i Policisë Rrugore është akoma dhe më i rëndësishëm. Këto masa të shtuara janë të domosdoshme që të vazhdojnë. Duhet me patjetër të bëjmë një vlerësim në fund të kësaj jave, për sa i përket masave dhe efektit që ato kanë pasur, përsa i përket lëvizjes dhe kohës që qytetarët humbasin në trafik. Por unë jam i bindur që Policia e Shtetit do të jetë akoma dhe më shumë e fokusuar për të garantuar jo vetëm sigurinë publike, por edhe cilësinë e jetesës në qytet. Policia Rrugore duhet të ketë patjetër një fokus të veçantë edhe për sa i përket bllokimit të qarkullimit për shkak të parkimeve dyshe dhe çdo veprim tjetër që bie në kundërshtim me Kodin Rrugor, për të garantuar që çdo qytetar të lëvizë i lirë dhe, aq më tepër, të lëvizë në kohë”, theksoi Demo.
Në përfundim, ministri kërkoi vijimin e angazhimit të strukturave të Policisë Rrugore dhe një vlerësim të situatës në fillim të javës së ardhshme, për të përcaktuar nëse nevojiten masa të tjera për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.