FOKUS – 108 raste të fruthit, Nju-Jorku shpall gjendjen e emergjencës në të gjithë shtetin
– Guvernatorja e Nju-Jorkut, Kathy Hochul ka shpallur gjendjen e emergjencës në të gjithë shtetin, për shkak të rritjes së rasteve të fruthit, duke zgjeruar njëkohësisht numrin e profesionistëve shëndetësorë që mund të kryejnë vaksinimin kundër sëmundjes, raportoi “Reuters”.
Vendimi u mor dje dhe emergjenca do të jetë në fuqi deri më 4 nëntor. Sipas urdhrit ekzekutiv, kjo është shpallja e parë e një emergjence të tillë nga një shtet amerikan, që nga rritja e rasteve të fruthit në vitin 2025.
Nju-Jorku ka regjistruar 108 raste të konfirmuara të fruthit deri më 3 tetor. Prej tyre, shtatë raste janë në qytetin e Nju-Jorkut, ndërsa 101 raste janë regjistruar në pjesën tjetër të shtetit.
Rritja më e madhe është regjistruar në komunitete rurale, ku përqindja e personave të vaksinuar është më e ulët. Që nga 15 korriku janë raportuar 92 raste në 18 qarqe, ndërsa autoritetet lokale kanë administruar më shumë se 1,000 doza të vaksinës MMR në zonat rurale gjatë kësaj periudhe.
Vaksina MMR mbron kundër fruthit, shytave dhe rubeolës. Sipas autoriteteve shëndetësore të Nju-Jorkut, një dozë e vaksinës siguron rreth 93% mbrojtje ndaj fruthit, ndërsa dy doza rreth 97%.
Me urdhrin e ri, paramedikët, profesionistët e avancuar të shërbimeve mjekësore të urgjencës, mamitë dhe farmacistët përfshihen në grupin e profesionistëve, që mund të administrojnë vaksinën kundër fruthit. Gjithashtu, infermierët mund të urdhërojnë testime për persona të dyshuar se janë të infektuar.
Urdhri parashikon gjithashtu që vaksinimet MMR, të raportohen në regjistrat shtetërorë ose të qytetit të Nju-Jorkut brenda 72 orëve. Megjithatë, vaksinimi vazhdon të kërkojë pëlqimin e pacientit ose të kujdestarit ligjor.
Fruthi është një sëmundje virale shumë ngjitëse, që shkakton temperaturë të lartë dhe skuqje të lëkurës. Virusi përhapet kryesisht përmes ajrit kur një person i infektuar kollitet ose teshtin. Sëmundja mund të shkaktojë komplikacione të rënda, përfshirë pneumoninë, ënjtjen e trurit dhe, në raste të rënda, vdekjen.
Rritja e rasteve në Nju-Jork, vjen në një kohë kur fruthi po përhapet në disa pjesë të SHBA-së. Sipas të dhënave të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), deri më 1 tetor ishin raportuar 3 887 raste të konfirmuara të fruthit në SHBA gjatë vitit 2026. Rreth 95% e rasteve ishin të lidhura me shpërthime të sëmundjes.
Shteti fqinj i Nju-Jorkut, Pensilvania, po përballet me një shpërthim shumë më të madh. Deri më 2 tetor ishin raportuar 977 raste dhe pesë viktima, ndërsa dje autoritetet njoftuan se numri kishte kaluar 1 000, duke shënuar shpërthimin më të madh të regjistruar në një shtet amerikan në më shumë se tre dekada.
Sipas CDC-së, SHBA-ja po përjeton në vitin 2026, numrin më të lartë të rasteve të fruthit që nga viti 1991. Për krahasim, gjatë gjithë vitit 2025 në vend u raportuan 2 289 raste të konfirmuara, ndërsa deri në fillim të tetorit 2026 numri kishte arritur në 3 887. /

Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.