FOKUS – Borxhi i jashtëm i vendeve në zhvillim arrin në 9,4 trilionë dollarë
UASHINGTON, 5 nëntor /ATSH-DPA/ Borxhi i jashtëm i vendeve në zhvillim arriti një nivel rekord prej 9,4 trilionë dollarësh në vitin 2025, duke shënuar rritjen më të shpejtë që prej vitit 2021.
Të dhënat u publikuan sot nga Banka Botërore në raportin e saj për borxhin ndërkombëtar.
Sipas raportit, huadhënësit privatë janë rikthyer në një numër të madh në tregjet e këtyre vendeve, ndërsa shtetet më të varfra kanë rifituar mundësinë për të emetuar obligacione në tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, kostot e huamarrjes kanë arritur nivelet më të larta në disa dekada.
Borxhi i vendeve në zhvillim ndaj kreditorëve të huaj u rrit me 5,5 për qind në vitin 2025, krahasuar me një vit më parë.
Emetimi i obligacioneve nga institucionet publike u rrit me më shumë se një të tretën, duke arritur në 251 miliardë dollarë, niveli më i lartë në pesë vitet e fundit.
“Kthimi i huadhënies private në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme është i mirëpritur, por këto vende po marrin më shumë borxh, po paguajnë më shumë dhe, në shumë raste, u mbeten më pak burime për zhvillimin afatgjatë”, deklaroi Haishan Fu, kryestatistikane e Grupit të Bankës Botërore dhe drejtoreshë e të dhënave për zhvillimin.
Banka Botërore paralajmëroi se barra e lartë e borxhit në vendet më të varfra rrezikon të kufizojë investimet e nevojshme për popullsinë.
Ndërkohë, shqetësimet për inflacionin, të lidhura me luftën në Iran, rritja e normave bazë të interesit dhe shtimi i borxhit publik kanë çuar në rritjen e kostove të financimit në tregjet ndërkombëtare, duke e bërë më të shtrenjtë huamarrjen edhe për ekonomitë e zhvilluara, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Gjermania. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.