FOKUS – Katari propozon një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit
– Ndërmjetësit nga Katari i kanë paraqitur të dielën Iranit një projektmarrëveshje të re për t’i dhënë fund luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ndërsa Teherani pritet të japë përgjigjen e tij deri në fund të javës, tha sot një zyrtar i informuar për negociatat, sipas Reuters.
Projekti i ri, që po shqyrtohet nga Irani, parashikon një afat kohor prej shtatë ditësh për trajtimin e shqetësimeve të Teheranit dhe Uashingtonit. Sipas zyrtarit, marrëveshja përcakton hapa të përditshëm për ndërtimin e besimit, të cilët duhet të ndërmerren nga të dyja palët.
“Afati shtatëditor mund të nisë në fillim të javës së ardhshme, ndërsa disa vende do të veprojnë si garantuese të marrëveshjes”, shtoi zyrtari.
Katari dhe Pakistani kanë udhëhequr përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, të cilën SHBA-ja dhe Izraeli e nisën në shkurt. Konflikti ka penguar transportin detar ndërkombëtar, ka ndërprerë furnizimet me naftë dhe është përhapur edhe në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme.
Përpara takimit të së dielës në Teheran, ekzistonin shqetësime se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili po garon për një mandat tjetër në zgjedhjet e përgjithshme, mund të rifillonte sulmet ndaj Republikës Islamike gjatë kësaj jave, tha zyrtari i informuar për negociatat.
Të premten, presidenti amerikan Donald Trump përsëriti kërcënimet për të goditur sërish Iranin. Ndërkohë, zyrtarë iranianë të sigurisë thanë e Teherani kishte hartuar plane të hollësishme për të sulmuar kabllot nënujore të Gjirit, në rast se SHBA-ja dhe Izraeli rifillonin sulmet.
Përpjekjet e mëparshme diplomatike ndihmuan në arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme paqeje në qershor, por ajo u shpërbë shpejt.
Ndërkohë, javët e fundit, rebelët Houthi të Jemenit, të lidhur me Iranin, kanë ndërmarrë sulme të përsëritura kundër Arabisë Saudite, eksportuesit më të madh të naftës bruto në botë./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.