FOKUS – Kremlini përjashton Evropën nga bisedimet për Ukrainën, të paktën për momentin
– Rusia mendon se vendet evropiane duhet të përfshihen në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë vetëm në një fazë të mëvonshme, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
Sipas Peskov, fillimisht bisedimet do të rifillojnë në një format tripalësh, ku do të marrin pjesë Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina.
Ai konfirmoi se po përgatitet një takim në mes të nëntorit në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Peskovi tha se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte përcaktuar temën kryesore të takimit.
“Bëhet fjalë për sigurinë e të dy vendeve, Rusisë dhe Ukrainës, pasi të kalohet drejt një marrëveshjeje paqeje”, u shpreh ai.
Përsa i përket përfshirjes së vendeve evropiane në bisedime në një fazë të mëvonshme, zëdhënësi i Kremlinit tha se çështja e sigurisë së Evropës nuk mund të diskutohet pa përfshirë edhe palë të tjera.
Takimi tripalësh në Abu Dhabi ishte njoftuar të martën, pas një takimi mes të dërguarit amerikan për negociatat, Steve Witkoff, dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Si periudhë e mundshme për zhvillimin e takimit ishte përmendur data 10 nëntor.
Takimi do të mbahej pas zgjedhjeve të mesmandatit për Kongresin amerikan, më 3 nëntor, por përpara një takimi të mundshëm mes Putinit, presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), më 18–19 nëntor.
BE-ja: Ne jemi tashmë pjesë e bisedimeve
Lidhur me mundësinë e përfshirjes së përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, një zëdhënëse e Komisionit Evropian tha se pritet që në të ardhmen e afërt, të zhvillohen bisedime të tjera shumëpalëshe, në nivel të lartë zyrtarësh.
“BE-ja do të jetë e pranishme në këto bisedime”, deklaroi ajo.
Zëdhënësja përmendi bisedimet e zhvilluara rreth dy javë më parë në Majami, në shtetin amerikan të Floridës, ku morën pjesë përfaqësues të SHBA-së, Ukrainës, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian dhe NATO-s. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.