FOKUS – Në epokën e IA-së, “njerëzor” merr titullin Fjala e Vitit 2026
LONDER, 18 nëntor /ATSH-DPA/- Fjala “njerëzor” është shpallur Fjala e Vitit 2026 nga Fjalori i Kembrixhit, në një kohë kur inteligjenca artificiale (IA) po ndryshon mënyrën se si njerëzit e perceptojnë veten.
Në fjalor, termi përkufizohet si tërësia e cilësive, të metave dhe ndjenjave që karakterizojnë njerëzit, në dallim nga perënditë, kafshët apo makineritë.
Colin McIntosh, leksikografi britanik, i cili punon për Fjalorin e Kembrixhit, tha se inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si flasim për të qenit njerëzor.
“Frika se çfarë mund të humbasin njerëzit, kur ua delegojnë makinerive procesin e të menduarit, na ka bërë të rishqyrtojmë shkallën në të cilën mbështetemi te inteligjenca artificiale”, u shpreh ai.
Sipas tij, përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i shprehjeve si “i krijuar nga njeriu” tregon se njerëzit po bëjnë gjithnjë e më shumë dallimin mes punës njerëzore dhe asaj të realizuar nga inteligjenca artificiale.
Duke komentuar përzgjedhjen e fjalës, miliarderi dhe bashkëthemeluesi i “Microsoft”, Bill Gates, tha se inteligjenca artificiale po na bën të mendojmë më thellë për kuptimin e të qenit njerëzor.
“Ajo mund të ndihmojë në kurimin e sëmundjeve, përmirësimin e arsimit dhe t’u japë njerëzve më shumë kohë për t’iu kushtuar gjërave, që kanë më shumë rëndësi”, u shpreh ai.
Megjithatë, Gates paralajmëroi se njerëzit duhet të bëjnë zgjedhje të kujdesshme për mënyrën se si e përfshijnë inteligjencën artificiale në jetën e tyre.
“Suksesi i inteligjencës artificiale duhet të matet nga shkalla në të cilën ajo përmirëson jetën e njerëzve”, shtoi ai.
Ndër fjalët e tjera që konkurruan për titullin e Fjalës së Vitit 2026, ishin “agjent”, një emër që i referohet sistemit të inteligjencës artificiale, i aftë të kryejë detyra komplekse pa kontroll të drejtpërdrejtë njerëzor, si dhe “i shëndetshëm, pozitiv” dhe “analog”.
Në fjalor janë shtuar edhe shprehje të reja të përdorura në rrjetet sociale, si “aura farming”, që nënkupton përpjekjen për t’u dukur tërheqës ose mbresëlënës, si dhe “looksmaxxing”, që i referohet përpjekjeve për të përmirësuar pamjen fizike.
Fjalori po shqyrton gjithashtu përfshirjen e shprehjes “FOBO”, që do të thotë frika se mos bëhesh i vjetruar ose i panevojshëm, në një kohë kur rriten shqetësimet se inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë vendet e punës. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.