FOKUS – Pas trazirave dhe grabitjeve, Italia mobilizon policinë dhe ushtrinë për protestat e reja
ROMË, 24 tetor /ATSH-ANSA/- Italia ka forcuar masat e sigurisë për protestat e reja të planifikuara në disa qytete të vendit, pas trazirave dhe akteve të dhunës që ndodhën fundjavën e kaluar, më 17 dhe 18 tetor.
Autoritetet kanë shtuar praninë e policisë dhe të ushtrisë, ndërsa organizatorët e një lëvizjeje proteste, kanë njoftuar se do të ndryshojnë vendet e grumbullimit dhe do t’i bëjnë publike në momentin e fundit.
Në Milano janë vendosur 500 trupa sigurie shtesë për të mbështetur forcat e rendit, ndërsa autoritetet druhen se protestat e reja mund të shoqërohen me përplasje dhe dëmtime të pronës.
Policia italiane kreu dje kontrolle në banesat e rreth 100 personave të dyshuar për përfshirje në trazirat e fundjavës së kaluar.
Operacionet u zhvilluan në 18 qytete, mes tyre Arezzo, Bari, Bergamo, Bolonja, Firence, Xhenova, Napoli, Padova dhe Verona.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan telefona celularë, kompjuterë, thika, shkopinj, doreza metalike për goditje, municione dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me incidentet.
Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë përgjegjësitë e personave të përfshirë dhe nëse dhuna ishte organizuar përmes rrjeteve të koordinuara.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, deklaroi se kontrollet po ndihmojnë në zbardhjen e mënyrës se si janë organizuar incidentet.
Ai tha se kishte pasur koordinim mes personave të përfshirë, ndërsa theksoi se hetimet do të përcaktojnë nëse pas tyre qëndronte një rrjet më i gjerë organizatorësh.
Trazirat e 17 dhe 18 tetorit përfshinë grupe të rinjsh, që dëmtuan vitrina dyqanesh dhe supermarkete, grabitën mallra dhe u përleshën me policinë, duke hedhur gurë, shishe dhe mjete piroteknike.
Sipas raportimeve të ANSA-s, 14 persona mbetën të plagosur gjatë përplasjeve, ndërsa më shumë se 270 persona u arrestuan, rreth 80% e të cilëve ishin të mitur.
Ministri dhe zyrtarë të qeverisë kanë paralajmëruar se përgjigjja ndaj dhunës do të jetë e vendosur, duke argumentuar se protestat paqësore janë të ligjshme, por grabitjet dhe shkatërrimi i pronës përbëjnë vepra penale.
Për protestat e sotme, autoritetet kanë hartuar plane të posaçme sigurie në Romë, Milano dhe Torino.
Në kryeqytet pritet të angazhohen rreth 1 500 efektivë policie, ndërsa në Milano do të jenë në terren rreth 1 000 policë dhe karabinierë, 300 efektivë të policisë bashkiake dhe 500 ushtarë.
Për monitorimin e situatës do të përdoren edhe dronë, ndërsa policia do të kontrollojë aktivitetin në rrjetet sociale dhe në stacione hekurudhore.
Ndërkohë, lëvizja e quajtur “Movimento 17 ottobre” ka njoftuar në rrjetet sociale se ka anuluar vendet e grumbullimit të shpallura më parë.
Organizatorët thanë se do të njoftojnë pika të reja takimi pak para nisjes së protestave, me synimin që pjesëmarrësit të bashkohen më pas në një shesh të vetëm.
Ky ndryshim ka shtuar shqetësimet e autoriteteve, të cilat po përgatiten edhe për grumbullime spontane, të organizuara përmes platformave si Telegram, TikTok dhe Instagram.
Megjithatë, krahas këtyre mobilizimeve, në qytete të ndryshme janë njoftuar edhe protesta të tjera të ligjshme kundër luftës, riarmatimit dhe rritjes së kostos së jetesës.
Qeveria italiane ka miratuar gjithashtu masa më të rrepta për trajtimin e dhunës gjatë protestave dhe të veprave penale të kryera nga të miturit.
Kryeministrja Giorgia Meloni ka deklaruar se shkatërrimi dhe grabitja e pronës nuk mund të konsiderohen forma proteste, por vepra penale që kërkojnë reagim nga shteti. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.