FOKUS – Vendimi i Gjykatës së Hagës për ish-liderët e UÇK-së tërheq vëmendjen e medias ndërkombëtare
– Media ndërkombëtare e ka paraqitur vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë si një moment të rëndësishëm për drejtësinë ndërkombëtare dhe historinë politike të Kosovës duke theksuar dënimin e Hashim Thaçit me 25 vjet burg për krime lufte, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit u rrëzuan për mungesë provash të mjaftueshme.
Agjencia gjermane e lajmeve DPA:
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim nga një gjykatë speciale në Hagë për krime lufte. Gjykata vendosi sot se Thaçi ishte përgjegjës për 96 raste vrasjesh. Ai gjithashtu akuzohej për krime të tjera të rënda, si tortura dhe trajtim mizor. 58-vjeçari më herët e kishte deklaruar veten “plotësisht të pafajshëm”. Ai e dëgjoi vendimin pa shfaqur asnjë emocion. Prokuroria kishte kërkuar një dënim me 45 vjet burgim për Thaçin për krimet e kryera në fund të viteve 1990. Gati 300 dëshmitarë dëshmuan në gjyq dhe 155 viktima morën pjesë në procesin gjyqësor.
Agjencia franceze e lajmeve AFP:
Një gjykatë speciale për Kosovën me seli në Hagë dënoi sot ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi me 25 vjet burg për krime lufte të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kundër forcave serbe në vitet 1990. Paneli i gjyqtarëve ndërkombëtarë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës e shpalli Thaçin fajtor për “arrestim të paligjshëm, torturë, vrasje dhe trajtim mizor”. ”Dhoma ju dënon me një dënim të vetëm prej 25 vjetësh burgim duke zbritur çdo kohë të vuajtur tashmë”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III gjatë leximit të vendimit. Thaçi, i veshur me një kostum të errët, këmishë të bardhë dhe kravatë, dëgjoi vendimin pa shfaqur emocione… President i Kosovës në kohën e ngritjes së aktakuzës ndaj tij, në nëntor 2020, dha dorëheqjen dhe u dorëzua në Hagë.
Agjencia italiane e lajmeve ANSA:
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burg për disa krime të dyshuara lufte dhe u lirua nga akuzat për krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-2000 nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) në Hagë, ku ai u gjykua. ”Thaçi kishte dijeni për krimet e kryera nga militantët e UÇK-së kundër kundërshtarëve dhe bashkëpunëtorëve shqiptarë dhe madje mori pjesë në disa prej tyre”, deklaroi gjykatësi Robert Smith III. Thaçi, i pranishëm në sallën e gjyqit, u duk pa emocione ndërsa lexohej vendimi.
Agjencia britanike e lajmeve Ruters:
Hashim Thaçi u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë vrasjen e 96 kundërshtarëve politikë dhe personave të dyshuar si bashkëpunëtorë të forcave serbe, ndalimin arbitrar të 385 personave, torturën e 303 personave dhe trajtimin mizor të 49 të tjerëve. Gjykata tha se Thaçi kishte marrë pjesë dhe kishte nxitur kryerjen e këtyre krimeve në kuadër të një plani të përbashkët kriminal. Tre ish-komandantët e tjerë të UÇK-së u dënuan me burgime të gjata: Jakup Krasniqi me 25 vite, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite, duke e çuar në 81 vite totalin e dënimeve. Prokuroria kishte kërkuar nga 45 vite burg për secilin, ndërsa gjykata rrëzoi gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit, duke vlerësuar se nuk ishte provuar se ato ishin kryer si pjesë e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile. Thaçi i ka mohuar akuzat dhe pritet ta apelojë vendimin.
Agjencia amerikane e lajmeve Associated Press:
Gjykata Speciale në Hagë dënoi sot ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vite burg, pasi e shpalli fajtor për katër krime lufte: vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar. Thaçi i ka mohuar akuzat dhe si ai, ashtu edhe prokuroria kanë të drejtë të apelojnë vendimin.
Të dënuar u shpallën edhe tre ish-drejtues të tjerë të UÇK-së: Jakup Krasniqi me 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite. Sipas saj, gjykata i shpalli fajtorë për krime që përfshinin ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturën e 303 të ndaluarve dhe vrasjen e 96 personave. Në të njëjtën kohë, të katër u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi prokuroria nuk arriti të provonte se ato ishin pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj civilëve.
Gazeta amerikane ”The Washington Post”:
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u dënua me 25 vite burg pasi u shpall fajtor për katër krime lufte: vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar. Gjykata e shpalli atë dhe bashkë të pandehurit fajtorë për krime që prekën qindra persona gjatë luftës së Kosovës. Bashkë me Thaçin, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite. Të katër ish-drejtuesit e UÇK-së u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi trupi gjykues vlerësoi se prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se krimet ishin pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj popullsisë civile. Prokuroria kishte kërkuar 45 vite burg për secilin prej katër të pandehurve, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar pafajësinë e tyre. Vendimi i sotëm është i shkallës së parë dhe si mbrojtja, ashtu edhe prokuroria kanë të drejtë të apelojnë./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.