Fondet IPARD drejt zhbllokimit? Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas në ‘pritje’ të operatorit
Dy ministra komunikuan për mediet vendimet e marra këtë të mërkurë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri me dije se është diskutuar për prokurimet publike dhe nevojën për një sistem më të qendërzuar dhe transparent.
Pyetje: Fondet e IPARD janë zhbllokuar? Keni diskutimet me Komisionin dhe a do të ketë një paketë fiskale?
Ibrahimaj: Presim finalizimin e procedurave për riakreditimin për dhënien e fondit IPARD. Patjetër është një procedurë që ka qenë e zgjatur, kemi pasur dokumentacione për të dorëzuar. Është në fazat finale. Presim që shpejt fondet të hapen! Shqipëria nuk ka qenë i vetmi vend me probleme me IPARD-in. Paketa fiskale është fushë përgjegjësie e Ministrisë së Financave.
Më tej, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, u ndal te investimi për eficiencën e energjisë në 50 shkolla publike.
“Nga njëra anë kemi rehabilitimin e këtyre shkollave, por edhe investimin në panele diellore për një performancë më të mirë energjetike. Ka një vlerë investimi prej rreth 22 milionë eurosh.”
Po ashtu, përmendi dy projekte të tjera madhore. Njëri për ujësjellësin e Durrësit dhe tjetri për zgjerimin e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve për zonën e Porto Romanos, Shkozetit dhe Spitallës.
Po si paraqitet situata në bypass-in e Elbasanit dhe në çfarë faze është hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas?
“Kemi lidhur kontratë për dy fazat e para dhe ka filluar avancimi i punimeve. Kam qenë para tre javësh për ta parë nga afër në terren. Një pjesë e shpronësimeve janë kryer dhe presim që punimet të vijojnë me ritme të mira”, tha ministri sa i takon bypass-it të Elbasanit.
Ndërsa për hekurudhën, ai theksoi se ditën e djeshme është zhvilluar një takim për përzgjedhjen e operatorit ndërkombëtar.
“Të gjitha kontratat janë të lidhura, për stacionet dhe elektrifikimin. Elementi kryesor lidhej me gjetjen e një operatori që do të sillte vagonët dhe do të operonte sipas të gjitha standardeve. Kemi mbi tre kompani që kanë shfaqur interes dhe duan të jenë pjesë e garës. Do të kemi më vonë finalizimin e këtij procesi”, përfundoi ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.