Ekonomia

Fondet jepen nga BE, bujqësia shënon zero në investime

Zamir Alushi

investime_ne_vendbanime_rurale

Ministria e Bujqësisë, një nga institucionet më të financuara nga buxheti i shtetit, BE dhe Banka Botërore, nuk arrin të realizojë projektet, edhe pse janë të siguruara paratë. Këto e pohon indirekt ministria në një dokument me titull “Monitorimi i realizimit të buxhetit të 3-mujorit të parë të vitit 2014”, dërguar Ministrisë së Financave. Për vitin 2014 janë alokuar si fond investimesh gjithsej 3285 milionë lekë, nga të cilat 925 milionë lekë financim i brendshëm dhe 2360 milionë lekë nga jashtë. Në fakt, buxheti i përgjithshëm vjetor i Ministrisë së Bujqësisë është 7.899 milionë, ndërsa është realizuar 924 milionë lekë. Rreth 39,5% të totalit të shpenzimeve faktike, të kryera gjatë 3-mujorit të parë vitit 2014, e zënë shpenzimet për programin “Menaxhimi i peshkimit” dhe “Planifikim menaxhim administrim”, zë 21% ndaj totalit të faktit. Por edhe pse pagat i marrin në rregull dhe dietat i shpenzojnë sipas planit, ekipi nuk arrin t’i thithë këto para dhe t’i çojë përpara projektet. Tabelat financiare, në kolonën e fundit, aty ku lexon “realizimi faktik”, janë të mbushura më shumë me fjalën “Aspak”, ose “Pjesërisht”, shumë rrallë ka ndonjë objektiv të përmbushur dhe të regjistruar me përshkrimin “Plotësisht”. Kështu, sipas konkluzioneve të këtij monitorimi, realizimi 3-mujor rezulton 1% investime të brendshme ose 4 milionë lekë, 16% financim i huaj ose 369 milionë lekë ose në total niveli i realizimit është 11%.

Investimet

Buxheti i investimeve në bujqësi është shpërndarë në pesë programe buxhetore, kryesisht si bashkëfinancim i projekteve të huaja. Programi “Planifikim, menaxhim dhe administrim” ka 9 milionë lekë si plan, nga të cilat janë çelur 5,1 milionë lekë, realizimi i të cilit ishte 0, mbasi ishte në fazën e tenderimit. Për programin “Siguria ushqimore” janë planifikuar 593 milionë lekë investime, nga të cilat 448 milionë lekë janë financim i huaj, por janë realizuar 53 milionë lekë ose 12%. Ndërkaq janë planifikuar 145 milionë lekë për kostot lokale dhe TVSH për programet e BE-së IPA 2010, IPA 2013, por janë realizuar 4 milionë lekë ose 3%. Programi “Infrastruktura e kullimit dhe ujitjes”, e ka planin për investime 1.225 milionë lekë, nga të cilat 769 milionë lekë janë financim i huaj dhe 456 milionë lekë financime të brendshme. Deri në prill ishin çelur 384 milionë lekë. Objektet e investimit të brendshëm, për shkak të çeljes me vonesë të tyre, ishin përgjithësisht në fazën e prokurimit dhe së shpejti pritet fillimi i punimeve, thuhet në raportin e monitorimit. Gjithashtu, vazhdojnë pagesat për projektin e Bankës Botërore, për rehabilitimin e 11 digave dhe skemave ujitëse. Projekti i Burimeve Ujore dhe Ujitjes financohet nga kredia e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) në shumën 31 milionë euro, granti SIDA në shumën 3.4 milionë euro dhe qeveria shqiptare 6.2 milionë euro për mbulimin e TVSH dhe kosto lokale. Kredia është bërë efektive më 13 maj 2013 dhe granti më 23 gusht 2013. Objektivat e Projektit janë: i) Hartimi i kuadrit strategjik për menaxhimin e burimeve ujore në nivel kombëtar dhe në basenet e lumenjve Drin-Buna dhe Seman dhe ii) përmirësimi i performancës së infrastrukturës ujitëse në një sipërfaqe prej 46,000 hektarësh, ku përfshihen rezervuarët: P’lan, Vranisht, Tregtan në Rrethin e Kukësit; Murriz Thana në Lushnjë; Kurjan dhe Zharrëz në Fier; Belesova, Duhanas, Staravecka e Slanica në Berat; dhe Koshnica e Leminot në rrethet Devoll e Korçë. Në projekt parashikohet edhe studimi i skemës ujitëse të fushës së Xarrës në Rrethin e Sarandës. Për vitin 2014 janë në proces tenderimi dhe zbatimi 22 kontrata. Por, si ecën realizimi në terren? Rehabilitimi i digave është në proces tenderimi në një kontratë të vetme, parashikohet të lidhet në korrik 2014. Po në këtë periudhë parashikohet të lidhen kontratat edhe për shërbimin e mbikëqyrjes së punimeve, studimin i fizibilitetit dhe projektet e zbatimit, përgatitjen e planeve të menaxhimit socialo-mjedisor, pajisjen me mjete të bordeve të kullimit.

“Zhvillimi rural”, 2% e planit

Programi “Zhvillimi rural duke mbështetur prodhimin bujqësor, blegtoral, agroindustrial dhe marketingun” ka në plan investime në 808 milionë lekë, nga të cilat financimi i huaj është 643 milionë lekë, ndërsa financim i brendshëm është 165 milion lekë. Realizimi financiar si 3-mujor është 2% , ku përfshihen kosto lokale e TVSH për projektet me financim të huaj. Por buxheti total është më i madh për këtë program. Për vitin 2014 iu alokuan gjithsej 2689 milionë lekë, dhe përkatësisht. Realizimi i këtyre fondeve për 3-mujorin e parë të vitit 2013, është 3%. Kështu për vitin 2014, u alokuan fonde për buajt prej 3 milionë lekësh në tre qarqe të vendit, në Lushnjë, Elbasan, Tiranë. Sipas raportit të monitorimit, po punohet me plotësimin e kartelave dhe certifikatave veterinare të tyre. Disbursimi i fondeve fillon në 6-mujorin e dytë të vitit.

Vetëm një workshop për tre muaj

Ky ndoshta është rekordi i përtacisë së kësaj ministrie.  Fuqizimi i kapaciteteve të Ministrisë së Bujqësisë është planifikuar përmes implementimit të projekteve të huaja që veprojnë në këtë fushë. Për vitin 2014 janë planifikuar të veprojnë në këtë program:  Projekti IPA 2011; IPA 2012, si dhe IPA Adriatica. Gjithashtu janë çelur dhe fondet për tre projekte të reja në kuadër të protokollit italian: Fuqizimi i AZHBR-së, mbulimi i rreziqeve në bujqësi, si dhe Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullinjve në Shqipëri. Deri në prill ishte  kryer vetëm një disbursim fondesh nga projekti IPA Adriatika për organizimin e një workshop-i.

Investimet

Asnjë lek punë në infrastrukturën rurale

Përmirësimi i infrastrukturës rurale nga Projekti MMP dhe SDRMA konsiston në ndërtimin e rrugëve rurale, stallave të bagëtive, skemave ujitëse, si dhe dhënien e granteve konkurruese përmes një procedure seleksionimi. Kjo do të realizohet përmes disbursimit të fondeve të projektit, si dhe mbështetjes me kosto lokale e TVSH nga fondet buxhetore. Procesi për tremujorin e parë 2014 ishte në fazat e para të përzgjedhjes së granteve konkurruese dhe në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për çeljen e procedurave të tenderimit. “Janë kryer deri tani pagesat e prapambetura nga viti i kaluar për objektet në vazhdim, si dhe kontratat e lidhura”, thuhet në raportin e monitorimit.

Fushë-Krujë

Dixhitalizimi i regjistrit, shpenzimi kryesor është dieta

Për vitin 2014, për programin “Menaxhimi i qëndrueshëm i tokës bujqësore” nga buxheti i shtetit janë parashikuar 21 milionë lekë shpenzime operative. Deri në prill 2014 rezulton që nga programi janë shpenzuar 102.000 mijë lekë kryesisht për dieta. Objekti i punës është krijimi i sistemit të informacionit për tokën dhe integrimi i saj në “GIS” për 70000 hektarë tokë, nga të cilat 40000 hektarë tokë bujqësore.  Gjithashtu ky projekt duhet të bëjë dixhitalizimin e Regjistrit të Tokës Bujqësore në 41 komuna  dhe bashki në shtatë qarqe të vendit. Realizimi i këtij produkti po kryhet nga Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë, në bashkëpunim me zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe komunave  ose bashkive, sipas qarqeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button