Ekonomia

Fondi i Kuvajtit: 40 milionë USD për projektin e rehabilitimit të rrugës së lumit të Vlorës

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj nënshkroi të mërkurën marrëveshjen e financimit prej 40 milionë dollarësh me Zv. Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit të Kuvajtit për Zhvillim Ekonomik, Hamad Al-Omar, për projektin e “rehabilitimit të rrugës së lumit të Vlorës”.

“Me Zv. Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, zhvilluam sot një takim ku diskutuam projekte që janë të rëndësishme për vendin tonë dhe janë në përputhje me objektivat e Fondit për të mbështetur dhe garantuar zhvillimin ekonomik të vendeve anëtare, duke nisur nga projekti i sotëm dhe të tjerë potencialë”, tha ministri Ahmetaj.

Gjithashtu, shtoi ai, e njoha Al-Omar me trendin e konsoliduar të rritjes ekonomike dhe treguesve fiskalë përgjatë pothuaj tre viteve të fundit, reformat dhe politikat kyçe të ndërmarra në këtë drejtim. “Biseduam po kështu për zhvillimin e rajoneve në kuadër të ndarjes së re administrative dhe mundësisë së afruar për mirëadministrimin e rajoneve dhe garantimin e konvergjencës në rritjen ekonomike dhe të të ardhurave”, tha ministri.

Ministri Ahmetaj-marreveshje Foto Agim Dobi (4)Natyrisht që mbështetja e Fondit, theksoi Ahmetaj, është një instrument i rëndësishëm që do të na lejojë të realizojmë një sërë projektesh që i hapin rrugën zhvillimit të rajoneve, jo vetëm në aspektin e infrastrukturës, por edhe të rritjes së aksesit në tregje, reduktimit të kohës dhe kostove, promovimit të nën/degëve të turizmit si ekoturizmi apo agroturizmi etj.

“Qeveria shqiptare ka një bashkëpunim financiar të frytshëm me Fondin e Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab. Aktualisht, Fondi ka akorduar 6 marrëveshje kredie me një vlerë totale prej rreth 70.8 milionë dollarë, si dhe fonde për asistencë teknike me një vlerë prej 2.8 milionë dollarë, në fusha financimi kryesisht transporti dhe bujqësia, në drejtim të ujitjes”, bëri të ditur ai.

Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillim Ekonomik, Hamad Al-Omar gjate nenshkrimit te marrëveshjes Foto Agim Dobi (5)Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillim Ekonomik, Hamad Al-Omar theksoi se Fondi Kuvajtjan ka një sërë marrëveshjesh me qeverinë shqiptare, shuma totale e të cilave llogaritet 72 milionë dollarë. Ai vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare ndërsa siguroi se në të ardhmen Fondi do të rrisë mbështetjen për qeverinë shqiptare. “Në të ardhmen do të financojmë më shumë projekte”, deklaroi Al Omar.

Marrëveshja e huasë që u nënshkrua sot ka të bëjë me financimin e projektit për “rehabilitimin e rrugës së lumit të Vlorës”, një projekt i rëndësishëm me impakt në zhvillimin ekonomik e social të rajonit.

Kjo është një zonë me mbi 40,000 banorë, që jetojnë në rreth 60 fshatra, me një dendësi të madhe popullsie dhe veçanërisht në moshë të re. Bëhet fjalë për një zonë të varfër në terma të zhvillimit të infrastrukturës dhe shërbimeve të ofruara ndaj gjykojmë që ky projekt do të shërbejë si një arterie e rëndësishme që do të sjellë zhvillim ekonomik dhe social në zonë, përmirësimin e aksesit në rrugë dhe në tregje, rritjen e gamës dhe cilësisë së shërbimeve, zhvillim të ekoturizmit dhe agroturizmit dhe rritje të vendeve të punës.

Ministri Ahmetaj-marreveshje Foto Agim Dobi (1)Rikonstruksioni i rrugës do të krijojë një korridor të ri i cili është më tërheqës, më i sigurtë dhe lehtësisht i përshkrueshëm krahasuar me rrugën ekzistuese që lidh qarkun e Vlorës me jugun. Projekti përfshin punime civile për rikonstruksionin e rrugës kryesore ekzistuese Vlorë-Peshkëpi-Qeparo, si dhe zgjerimin e saj duke e shndërruar në një rrugë dy-kalimëshe me shpejtësi të rritur lëvizjeje. Projekti gjithashtu përfshin punime rehabilituese të strukturave të drenazhimit dhe pajisjeve të sigurisë dhe ndriçimit, edhe në kalimet e këmbësorëve në qytetet kryesore që shtrihen përgjatë rrugës si dhe sigurimin e shërbimeve të nevojshme të konsulencës për dokumentet e tenderit të projektit dhe supervizionin e punimeve.

Projekti parashikohet të nisë zbatimin gjatë këtij viti dhe të përfundojë në fund të vitit 2019. Sa i takon zbatimit, projekti do të bëhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ministria e Transporteve përmes Autoritetit Rrugor Shqiptar do të jetë përgjegjëse për mirëmbajtjen.

Ndërsa në termat e financimit, në bazë të studimit të fizibilitetit punimet për të gjithë rrugën në një gjatësi prej 94 km janë paravlerësuar në një vlerë prej rreth 64 milionë dollarë. Huaja e Fondit të Kuvajtit prej 40 milionë dollarësh me një periudhë maturimi 24 vjet, ku përfshihet dhe periudha pa pagesë e principalit prej pesë vjetësh, së bashku me një kontribut të qeverisë shqiptare do të përdoret për financimin e rehabilitimit të segmentit Vlorë – Ura e Peshkëpisë – Ura e Laskos – Qeparo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button