Kronika

“Forca e Ligjit”, Xhafaj dhe Marku firmosin planin për “peshqit e mëdhenj”

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi, në luftën kundër krimit të organizuar.

Dy zyrtarët janë takuar paraditen e të premtes, ku dhe kanë firmosur dokumentin zyrtar të bashkëpunimit, sipas të cilës të dyja palët kanë hedhur në letër angazhimet dhe detyrat e tyre.

Veprat penale që u referohet marrëveshja janë ato të lëndëve narkotike dhe pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, korrupsioni, pasuria në sferën ekonomike, shoqërive tregtare, në fushën e tatim-taksave, sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve kriminale dhe vepra të kryera nga subjekte të posaçme të përcaktuara në nenin 135/2 të Kushtetutës.

Ky nen përfshin, veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.

Sipas këtij dokumenti Prokuroria e Përgjithshme merr përsipër të krijojë seksione të posaçme të përkohshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë, Gjirokastër dhe Lezhë.

Prokurorët që do të caktohen në këto Seksione të Posaçme do të kalojnë paraprakisht një proces verifikimi të pasurisë dhe integritetit nga Prokuroria e Përgjithshme, proces që do të realizohet në bashkëpunim me SHISH, ILDKPI dhe DSIK.

Brenda 5 ditëve tashmë Prokuroria e përgjithshme do të caktojë prokurorët në këto seksione ku një prej tyre do të jetë drejtuesi, ndërsa në Prokurorinë e Përgjithshme do të caktohet një prokuror/koordinator ndërmjet seksioneve të posaçme dhe Task-Force Speciale Qendrore.

Madje në marrëveshje thuhet më tej se për të shmangur nxjerrjen e sekretit hetimor, shërbimet e policisë gjyqësore do të dërgojnë materialet në seksione në mënyrë të drejt për drejtë, jashtë shërbimit postar.

Ndërsa detyrat e Ministrisë së Brendshme, që rrjedhin nga kjo marrëveshje janë përfaqësuesit e saj në Task Force Speciale Qendrore dhe Rajonale që do të bashkëpunojnë me prokurorët e Seksionit të Posaçëm.

Ministria do të sigurojë mbrojtje dhe siguri fizike për prokurorët dhe familjarët e tyre kur u vihet jeta në rrezik.

Secila palë merr përsipër të bashkëpunojë me qëllim zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga kjo marrëveshje. Për çdo rast të mos përmbushjes së detyrimeve çdo palë informon palën tjetër dhe marrëveshja hyn në fuqi dhe zbatohet deri në krijimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Posaçme.

Më poshtë dhe dokumenti i nënshkruar nga palët:

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button