Te ndryshme

Foshnjat e lindura para kohe do të jetojnë falë placentës artificiale

Një sistem revolucionar mund të imitojë kushtet e mitrës së nënës për t’u dhënë mundësinë foshnjave të lindura para kohe të mbijetojnë në javët e para, kur organet e tyre janë ende të pazhvilluara 

Rreth 15 milionë foshnje lindin para kohe çdo vit dhe thuajse 1 milion prej tyre vdesin, për shkak të problemeve në lindjen e parakohshme, raporton Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Për të përmirësuar normat e mbijetesës, kërkuesit kanë hulumtuar prej kohësh mundësitë e projektimit të një placente artificiale që imiton brendësinë e një mitre.

Placenta e bërë nga njeriu përdor një pompë për të qarkulluar gjakun nëpërmjet një mushkërie artificiale dhe për ta kaluar atë te foshnja, duke ofruar shkëmbim të gazit pa ventilimin mekanik.

Një shtatzëni normale zgjat rreth 40 javë, por në disa raste nënat lindin në javën e 37, fenomen ky që është vrastari numër një i foshnjave në SHBA.

Lindjet ekstremisht të parakohshme janë ato që ndodhin në javën e 28, që i vë foshnjat në një rrezik edhe më të lartë, pasi organet e tyre nuk mund të funksionojnë siç duhet.

Megjithëse zbulimi është ende në faza preklinike, kërkuesit e Universitetit të Miçiganit thonë se placenta artificiale “mban premtimin e rritjes dhe zhvillimit normal jashtë mitrës për foshnjat e lindura shumë shpejt, derisa ato të jenë gati për të jetuar normalisht”.

“Një nga rreziqet më të rënda për bebet që lindin jashtëzakonisht para kohe janë mushkëritë e pazhvilluara, të cilat janë shumë të brishta që të përballojnë edhe teknikat më të buta të frymëmarrjes”, thotë George Mychaliska, kërkuesi kryesor dhe drejtor i Qendrës për Diagnostikimin dhe Trajtimin Fetal.

“Nëse mushkëritë e bebes janë shumë të papjekura, ato nuk mund t’i ofrojnë trurit, zemrës dhe organeve të tjera oksigjenin e nevojshëm për të mbijetuar.”

Universiteti ka treguar se placenta e jashtme e kërkuesve të tij është deri më tani e suksesshme, pasi ka arritur të mbajë gjallë pesë qengja të lindur disa javë përpara normales.

“Ne menduam se do të ishte mirë të zgjidhnim problemin e lindjes së parakohshme, duke rikrijuar mjedisin ashtu si në barkun e nënës”, tha Mychaliska.

“Ndoshta duke i trajtuar bebet si një fetus dhe sikur të jenë ende në mitër, atëherë u japim atyre shansin për të jetuar”, shtoi ai.

“Kërkimi ynë është ende në fazën fillestare, por ne kemi kaluar me sukses disa teste, të cilat na japin shpresa të vërteta për revolucionarizimin e lindjeve të parakohshme.”

Placenta artificiale është projektuar rreth një sistemi të tillë që përdor një pompë për të qarkulluar gjakun nëpër mushkërinë artificiale dhe për ta kaluar atë më pas në sistemin e qarkullimit të gjakut.

Jetët e qengjave të lindur para kohe varen nga fakti nëse universiteti do të arrijë të sigurojë 2.7 milionë dollarë fonde për të vazhduar kërkimet.

Gjatë pesë viteve të ardhshme, skuadra shpreson të demonstrojë se një placentë artificiale mund të rikrijojë mjedisin e mitrës së nënës dhe t’u mundësojë të lindurve përpara kohe të jetojnë derisa të mund të mbështeten plotësisht në organet e tyre.

“Me një kuptim më të mirë të fiziologjisë së lindjes së parakohshme dhe me teknologjinë e përparuar, jemi tani në një pozicion që na mundëson sjelljen e kësaj qasjeje inovative, e cila është parashikuar pesë dekada më parë”, tha Robert Bartlett, një profesor i nderuar i kirurgjisë pediatrie.

Fakte rreth bebeve të lindura para kohe

Rreth 15 milionë bebe lindin para kohe çdo vit.

Kjo do të thotë se më shumë se një në dhjetë bebe nuk e arrijnë përmbushjen e ciklit të plotë të shtatzënisë. Rreth 1 milion fëmijë vdesin çdo vit, për shkak të problemeve të lindjes së parakohshme.

Shumë të mbijetuar përballen me aftësi të kufizuara, përfshirë paaftësinë për të mësuar apo problemet me shikimin dhe dëgjimin.

Në shkallë globale, lindja e parakohshme është shkaku i vdekjes së fëmijëve nën moshën 5 vjeç.

Në pothuajse të gjitha vendet, lindjet e parakohshme po shtohen.

Lindja e parakohshme ndodh për një shumëllojshmëri arsyesh.

Shumica e lindjeve të parakohshme ndodhin në mënyrë spontane, por disa ndodhin edhe prej lindjes natyrale ose cezariane, për arsye mjekësore ose jo.

Shkaqet më të zakonshme të lindjes së parakohshme përfshijnë shtatzënitë e shumta, infeksionet dhe problemet kronike, si diabeti dhe presioni i lartë i gjakut, megjithatë shkaku është i vështirë të identifikohet.

Ekziston gjithashtu mundësia e ndikimit gjenetik. Kuptimi më i mirë i shkaqeve dhe mekanizmave do të përparojë zhvillimin e zgjidhjeve për të parandaluar lindjet e parakohshme.

Aplikacioni

“Samsung” po punon mbi një aplikacion që mund të dërgojë mesazhe të regjistruara të prindërve përmes inkubatorëve të bebeve të lindura para kohe, të cilat janë ende në spital.

I quajtur Zëri i Jetës, aplikacioni i lejon prindërit të regjistrojnë rrahjet e tyre të zemrës dhe zërin në celular dhe ta luajnë audion në një boks të vogël në inkubator.

Kjo teknologji synon të ndihmojë prindërit të lidhen me fëmijët e tyre në javët e para thelbësore ose në muajt që pasojnë pas lindjes.

Nuk është ende e qartë se kur do të përfundojë teknologjia dhe kur do të hidhet në treg.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button