Fotografia: Ku është tani vajza ikonë e luftës së Vietnamit?
Edhe pa u vendosur në kontekst, imazhi i një vajze 9-vjeçare që vrapon lakuriq për të shpëtuar jetën është po aq goditës sa 43 vite më parë. Imazhi preku zemrat e njerëzve kudo në botë. Disa thonë se përshpejtoi fundin e luftës së Vietnamit.
“Gjithnjë e kam kujtuar atë ditë të tmerrshme kur vrapuam nga jeta në vdekje”, thotë Kim Phuc, vajza në atë foto të njohur. Tani 52 vjeçe, ajo jeton në të dalë të Torontos, një bashkëshorte, nënë dhe e mbijetuar e lidhur pazgjidhshmërisht me foton që dominoi faqet e para në vitin 1972, shtatë muaj përpara nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes në Paris, që çoi në tërheqjen e forcave të SHBA-së nga Vietnami Jugor.
Në fillim, thotë Phuc, ajo e urrente foton, sepse e vinte atë në siklet dhe i vinte inat me publicitetin që mori. Për të ishte personale: kapi një moment vuajtjeje, fytyra e saj e ngrirë në çaste pikëllimi pas një sulmi me napalm që e dogji dhe shpërfytyroi atë përjetë.
Në fakt, askush nuk do t’i vinte faj Phuc nëse përpiqej të distancohej nga imazhi. Por ajo nuk e bëri këtë. Pas një mundimi të gjatë, Phuc kuptoi se nëse dhembja dhe terrori që përjetoi atë ditë nuk do të fiksoheshin në foto, bombardimi do të kishte humbur në histori.
Ajo filloi të mendojë rreth asaj që fotografia mund të jepte në vend që të mendonte për ato që i privonte. Me kalimin e kohës foto u bë më shumë se një përshkrim i çastit, u bë një rrugë drejt paqes për të.
“Kuptova se nëse nuk mund t’ia mbathja nga ajo foto, atëherë duhej të punoja me atë foto për paqen, kjo ishte zgjedhja ime.” Është e lehtë të përfytyrosh vajzën e terrorizuar përpara kësaj gruaje të qetë dhe të ngrohtë që përfaqëson sot Kim Phuc.
Përveç se është një bashkëshorte dhe nënë, ajo është gjithashtu një mentore dhe ambasadore e vullnetit të mirë për Kombet e Bashkuara. Çdo vit Phuc udhëton botën për të treguar historinë e saj të mbijetimit për të rritur vigjilencën rreth brutalitetit të luftës.
Përveç punës te Kombet e Bashkuara ajo ka themeluar Fondacionin Ndërkombëtar Kim, një bamirësi që ndihmon fëmijët që vuajnë nga lufta, ashtu si ajo vite më parë. Misioni i saj është të ndihmojë shumicën e fëmijëve të paprivilegjuar që vuajnë prej luftës duke ndërtuar spitale, shkolla dhe shtëpi për fëmijët jetimë. Phuc thotë se ajo po planifikon të jetojë në shërbim të këtij misioni.
“Kjo është arsyeja përse jam kaq e lumtur që m’u bë ajo foto dhe që mund të punoj me atë foto për paqen.” Phuc dhe burri i saj kërkuan azil në Kanada më shumë se 20 vite më parë dhe kanë rritur atje dy djem. Phuc thotë se ajo është shumë e lumtur në shtëpinë e dytë dhe mirënjohëse që prindërit kanë mundur t’i bashkohen në Kanada.
Tani, thotë Phuc, ajo vajza e vogël e tmerruar në foto nuk po vrapon më. Ajo po fluturon.
Jeta e mëparshme
Në vitin 1972, Phuc jetonte në fshatin Trang Bang, në veri të Saigonit. Ajo dhe familja e saj ishin strehuar në një tempull teksa dëgjuan avionët që u fluturonin mbi kokë. Të trembur se do të bombardoheshin, ata vrapuan jashtë për të gjetur strehë në të njëjtin çast kur bombat shpërthyen kudo nëpër tempull. Bombat mbanin napalm, një lëng që ngjitet pas lëkurës dhe që shkakton të djegura të mëdha.
Phuc kujton nxehtësinë e madhe dhe dhembjen torturuese. Ajo i hoqi rrobat e djegura nga trupi dhe vrapoi.
Çaste më vonë, një fotoreporter i ri i “Associated Press” bëri foton e jetës. Nick Ut ishte vetëm 21 vjeç dhe tashmë i rrahur me vaj e uthull për fotot e luftës kur arriti në fshatin e Vietnamit Jugor.
“Pashë tymin e zi dhe vura re një vajzë të zhveshur që vraponte”, tha Ut për CNN këtë vit. Instinkti veproi. Fillova të bëj foto të saj dhe fëmijë të tjerë vazhduan të ecnin drejt meje.
Teksa Phuc afrohej, Ut pa pjesë të lëkurës që i binin. Ajo kishte zhveshur rrobat për të ndaluar të djegurën. Napalmi i kishte prekur qafën, shumicën e kurrizit dhe krahun e majtë.
“O Zot nuk mund ta besoj sa keq është djegur”, kujton Ut të ketë thënë. “Ula aparatin dhe u përpoqa ta ndihmoj”. Ai u hodhi ujë plagëve të saj dhe e mbuloi me një batanije. Ai mori Kimin dhe fëmijë të tjerë në makinën e tij për t’i çuar në spital.
Në makinë ajo përsëriste ‘po vdes, po vdes’ dhe unë nuk ia ndava sytë, i thashë do të mbërrijmë atje së shpejti.
Phuc kaloi më shumë se një vit në spitale. Familja e saj kishte frikë se nuk do të mbijetonte kurrë. Ajo bëri ndërhyrje të pafundme në lëkurë dhe operacione të tjera. Me kalimin e kohës plagët fizike iu shëruan. Megjithatë ajo nuk mund të gjente paqe. Donte të zhdukej, madje edhe të vdiste. Ajo mendonte se nëse do të vdiste nuk do të kishte përse të vuante mendërisht, fizikisht dhe emocionalisht.
Më pas ajo iu kthye fesë dhe kuptoi se donte të ecte përpara dhe të krijonte një familje. “Në atë pikë kuptova se mësova të fal”, thotë ajo.
*Burimi: CNN