FRANCË – 1 800 të arrestuar pas protestave të dhunshme, humbje prej qindra milionë eurosh
PARIS, 18 tetor /ATSH-AFP/ – Franca po përballet me pasojat e protestave të dhunshme të djeshme, gjatë të cilave u arrestuan 1 800 persona, u plaçkitën qindra dyqane dhe u dogj bashkia historike e qytetit të Limoges.
Sipas Federatës së Tregtisë dhe Shitjes me Pakicë, rreth 1 500 biznese u dëmtuan, me humbje të vlerësuara në qindra miliona euro.
Ndërkohë, rreth 500 efektivë policie, zjarrfikës dhe punonjës të urgjencës u plagosën gjatë trazirave.
Në Paris, autoritetet raportuan dje 855 arrestime, ndërsa 557 persona vijojnë të mbahen sot në paraburgim, rreth një e treta e të cilëve të mitur.
Një 17-vjeçar humbi dorën e djathtë pasi i shpërtheu një granatë e përdorur për kontrollin e turmave, në qytetin e Saint-Étienne.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, deklaroi se po zhvillohen hetime për identifikimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve për aktet e dhunës dhe plaçkitjet.
Protestat u zhvilluan në kuadër të një mobilizimi mbarëkombëtar kundër kostos së jetesës.
Sipas Ministrisë së Brendshme, në to morën pjesë 550 000 persona, ndërsa sindikata CGT pretendoi se numri arriti në 800 000.
Ngjarjet kanë shkaktuar përplasje politike në vend.
Qeveria dhe liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, kanë fajësuar grupet e së majtës ekstreme, ndërsa lideri i së majtës ekstreme, Jean-Luc Mélenchon, ka akuzuar autoritetet për përshkallëzimin e tensioneve.
Presidenti Emmanuel Macron pritet t’i drejtohet kombit sot në mbrëmje, ndërsa kryeministri Sébastien Lecornu do të drejtojë nesër një mbledhje urgjente të ministrave, për të shqyrtuar ndihmën për bizneset e dëmtuara dhe masat kundër autorëve të dhunës.
Pakënaqësia kryesore lidhet me rritjen e kostos së jetesës, e ndikuar pjesërisht nga lufta në Lindjen e Mesme dhe rritja e inflacionit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.