Frika nga terrori sjell rënien e turizmit në “qytetin e kuq” të Petrës
Kriza e Petrës është pjesë e një rënieje të thiktë në turizëm teksa ekonomia e Jordanisë paguan një çmim për trazirën rajonale dhe rolin e profilit të lartë në betejën e drejtuar nga SHBA-ja kundër militantëve Islamikë në vendin fqinj.
Përfshirja e Jordanisë në koalicionin anti-Shtet Islamik tërhoqi vëmendjen botërore më herët këtë vit, kur ndërmori sulme ajrore ndaj shënjestrave në Siri, pasi militantët dogjën për vdekje një pilot ushtarak jordanez të futur në një kafaz.
Me imazhe pikëlluese, lufta dukej se kishte ardhur afër dhe turizmi vuajti, edhe kur mbretëria u përpoq të ruante imazhin e vet tradicional si një oaz i qetësisë në një rajon të dhunshëm. Video e flijimit të pilotit të publikuar nga militantët në shkurt, çoi në një seri anulimesh të prenotimeve nëpër hotelet jordaneze, thonë zyrtarët e turizmit vendas.
Industria e turizmit, mbështetur nga qeveria, tani po përpiqet të joshë vizitorët me ulje çmimesh, përfshirë heqjen e disa tarifave në aeroport. Por një rikuperim i shpejtë shfaqet i dyshimtë, teksa Siria dhe Iraku fqinj po zhyten më thellë në dhunë dhe militantët e Shtetit Islamik vazhdojnë të kontrollojnë zona të mëdha në të dyja vendet.
“Nuk jemi optimistë për 2015-n”, tha Ahmad Amarat, menaxher i hotelit me 95 dhoma “Rruga e Mbretit” pranë Petrës, i cili u mbyll katër muaj më parë, pasi norma e prenotimeve ishte 28 për qind në 2014-n krahasuar me 95 për qind në 2010-n.
Telashet e turizmit janë vetëm një nga disa sfidat me të cilat përballet ekonomia e Jordanisë që prej shpërthimit të kryengritjes së “Pranverës Arabe” në 2011-n, edhe pse vetë mbretëria përjetoi pak trazira.
“Destabiliteti në rajon ndikoi indikatorët ekonomikë, kryesisht turizmin, si dhe investimet e huaja direkte”, tha zëdhënësi i qeverisë Mohammed al-Momani. Njëkohësisht, qindra mijë refugjatë nga lufta civile e Sirisë, tani në vitin e pestë, kanë tensionuar shërbimet publike.
Sidoqoftë, “ekonomia e Jordanisë po performon pak më mirë sesa mesatarja rajonale, me 3.4 për qind rritje të parashikuar për 2015-n, krahasuar me 1.2 për qind rritje të arritur në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore në 2014-n”, tha Banka Botërore.
Përpara “Pranverës Arabe”, industria e turizmit të Jordanisë po shkonte mirë, me 8.2 milionë vizitorë në 2010-n. Në 2013-n, ai numër kishte rënë në 5.4 milionë, sipas Bankës Botërore.
“Rënia u thellua këtë vit, kur numri i vizitorëve ra në 50 për qind në dy muajt e parë të 2015-s”, tha Abdel Al Razzaq Arabiyat, drejtor menaxhimi i Bordit të Turizmit të Jordanisë.
Kriza kërcënon mijëra vende pune në turizëm, një humbje që Jordania mezi mund ta gëlltisë. Norma zyrtare e papunësisë është afro 12 për qind, pavarësisht se papunësia aktuale besohet të jetë më e lartë, veçanërisht mes të rinjve jordanezë, duke krijuar terren potencialisht pjellor për ekstremizëm.
“Në Petra, një zonë e trashëgimisë botërore e mbrojtur nga UNESCO, numri vjetor i vizitorëve ra nga 800 000 në 2010-n, në 400 000 vitin e shkuar”, tha Yassar al-Majali, menaxher i përgjithshëm i Lidhjes së Hoteleve në Jordani.
“Rreth gjysma e vizitorëve aktualisht vijnë për udhëtime ditore më tepër sesa për të qëndruar gjatë natës”, tha ai. “Në Uadi Mousa, një qytet me 25 000 banorë, më i afërti me Petrën, 10 nga 38 hotele ishin të detyruara të mbylleshin, përfshirë nëntë gjatë vitit të shkuar, ndërsa të tjerë kanë pakësuar stafin”, tha Khaled Nawafleh, kreu i Lidhjes së Hoteleve në Petra.
“Qyteti ka humbur 1500 vende pune në turizëm”, tha ai.
Hussam Hamadeen, një baba 37-vjeçar i tre fëmijëve, e humbi punën si recepsionist, pasi hoteli “Rruga e Mbretërve” u mbyll. Ai kërkoi pa sukses për një punë në dy zona të tjera turistike, kryeqytetin Aman, 250 kilometra në veri dhe në portin e Detit të Kuq, Aqaba, 130 kilometra në jug.
Tani ai është në shtëpi, duke shpenzuar kursimet. “Kushdo këtu po bën të njëjtën gjë. Ne nuk e dimë se çfarë do të na ndodhë brenda disa muajve kur të na mbarojnë paratë”, tha ai.
Nawafleh tha se po e mbante hotelin e tij “Amra Palace” të hapur për momentin, edhe pse vetëm 20 për qind e dhomave janë të zëna, krahasuar me 60 për qind në marsin e shkuar.
Qendra e vizitorëve të Petrës, me dyqane suveniresh të sajuara rreth një sheshi, është zakonisht e tejmbushur në këtë kohë të vitit. Në ditët e sotme, vetëm disa dhjetëra njerëz ecin përreth sheshit, ku ndodhet edhe dyqani i dhuratave “Indiana Johnes”, ku u xhirua një skenë e filmit në fund të viteve 1980.
Disa nga udhëtarët individualë, përfshirë dy amerikanë që japin mësim në një shkollë ndërkombëtare në Arabinë Saudite, thanë se jetesa në rajon i ka ndihmuar të matin shqetësimet për sigurinë.
“Ndonjëherë duket se gjërat po acarohen. Unë nuk jam i frikësuar të jem në Arabinë Saudite gjithashtu”, tha një 35-vjeçar, mësues nga Çikago.
Noor Muqadam, 47 vjeç, nga Mumbai, Indi, por me bazë në Dubai, tha se ai kishte prenotuar një udhëtim në Petra në janar, përpara se video e pilotit jordanez të postohej online. Pas kësaj, ai u shqetësua për sigurinë në Jordani, por kolegët e siguruan se vendi ishte i sigurt.
Qeveria e Jordanisë është përpjekur shumë për të kthyer turistët. Janë ulur tarifat dhe taksat për të joshur vizitorët dhe kompanitë e udhëtimit. Ajo që po ndodh tani është se besnikët e Petrës kalojnë netët në zonat përreth dhe bëjnë udhëtime ditore në zonën e kuqe me bukuri të pakrahasueshme. E gjitha kjo prej ekstremizmit islamik që ka gjunjëzuar rajonin.
*Burimi: Adelaide Now