Fshati i fisëm Arbanasi, një ngulim historik shqiptar në Bullgari
Në vazhdën e shkrimeve për ngulimet e njohura shqiptare tutje trojeve tona kombëtare, kësaj radhe, mbas përshkrimit të Arnavutköy magjepsës buzë Bosforit në Stamboll, do të përqendrohemi te një tjetër ngulim madhor e plot histori të fisme shqiptare, më saktësisht në Bullgari, pranë ish kryeqytetit historik të këtij vendi, Veliko Tarnovos, fshatit Arbanas.
Fshati i fisëm Arbanasi ndodhet thuajse pikërisht në qendër të një grupi vendbanimesh, që përbëhet nga Veliko Tarnovo, Gorna Oriahovica dhe Liaskovec, në largësi rreth 4 km nga secili syresh. Ai gjendet në një pllajë (gjë që të kujton një tjetër ngulim tjetër të njohur të mërgatës mesjetare shqiptare, Piana degli Albanesi në Siçili, 10 km nga Palermo, me një vendndodhje të ngjashme) dhe pamje të mahnitshme nga fortesat mesjetare Carevec dhe Trepezica (vlen të theksohet, se edhe në kufirin e sotëm mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, pranë Shën Naumit dhe Tushemishtit në anën shqiptare, ndodhet një fshat me këtë emër, sërish Trepezicë, në maqedonisht Trpejca, që sipas pogradecarëve të vjetër, dikur banohej nga shqiptarë, ku akoma sot, shumë banorë kanë lidhje farefisnore në Shqipëri).
Fshati hamendësohet se është themeluar në shekullin XV nga shqiptarë ortodoksë të ardhur kryesisht nga Shqipëria Jugore, zona e Kosturit dhe Epirit, që merreshin me tregtinë e dhenve, që shpesh bashkë me dhentë e tyre rrugëtonin gjer në Danub dhe Vllahi dhe paskëtaj do ta shndërronin këtë zonë në vendbanimin e tyre.
Me një ferman të sulltanit Sulejman të Madhërishmit, fshati Arbanas i dhurohet dhëndrit të tij Rustem Pashës, Vezirit të Perandorisë Osmane, i cili gjithaq njihet për origjinën e tij shqiptare nga burimet historike dhe sakaq ngulimi arbëror në tokat bullgare shpejt kthehet në një fshat të spikatur me banorë të kamur të cilët tregtojnë dhen, mish, lëkurë, prodhime qumështi, bakër, sapun, qirinj, etj duke shkelur çdo cep të Perandorisë, por edhe Vllahinë, Hungarinë, Poloninë, Principatën e Moskës, duke vajtur gjer në Bagdad, Indi dhe Persi.
Faktikisht, shqiptarët ortodoksë, do të vendosen në disa ngulime në Bullgarinë Veriore, por me gjasë, ngulimi i parë i tyre do të jetë pikërisht Arbanasi pranë Veliko Tarnovos.
Janë pikërisht afresket dhe mbishkrimet e tjera kishtare të Arbanasit që dëshmojnë se ky ngulim themelohet diku nga mesi i shekullit XV. Ndërkaq, në dokumentet osmane të kohës, jo vetëm Arbanasi, por edhe ngulimet e afërta Gorna Oriahovica, Dolna Oriahovica dhe Liaskovec, quhen bashkërisht “Arnavud Kariyeleri”, pra “Fshatrat Shqiptarë”.
Një nga hipotezat për themelimin e fshatit, pohon se këto fshatra janë themeluar si pasojë e fushatave luftarake të sulltan Bajazitit në Arbëri në vitin 1492, e burimet osmane të kohës flasin për shumë robër arbërorë të marrë përdhunshëm në këtë periudhë.
Të drejtat e autonomisë së këtij rajoni ndërkohë, që konfirmohen edhe nga një ferman i sulltanit Mahmud II në korrik 1810, që dëshmojnë se “Qeverisja e brendshme dhe çështjet administrative të fshatarëve vendas janë krejtësisht të pavarura”, si dhe të tjera privilegje, ku për shembull të huajve, pavarësisht rangut të tyre, u ndalohet hyrja në trojet e këtyre fshatrave “të lira e të pavarura” dhe se të gjitha grindjet do të zgjidheshin “sipas të drejtave, dokeve, fesë dhe privilegjeve të popullsisë raja vendase”, të miratuara edhe nga disa sulltanë të tjerë, ngjajnë me trajtimin që kishin edhe zona të ndryshme në Jugun e Shqipërisë, si krahina e Himarës në fillim të shekullit XVIII.
Nga të dhënat mesjetare, në vitin 1751 Arbanasi të ketë patur 236 shtëpi të krishtera shqiptare e gjithashtu dëshmohet për praninë e shqiptarëve edhe në fshatrat e tjerë të zonës, si ishuj të izoluar mes një deti popullsie bullgare.
Për shembull, në Sibiu të Vllahisë në shekujt XVII-XVIII, mund të hasen emra tregtarësh nga Gorna Oriahovica, si për shembull, njëri syresh që quhet Gjoka Arbanasul.
Duke iu kthyer hipotezën e popullimit të Arbanasit dhe ngulimeve përreth pas plaçkitjeve të sulltan Bajazitit II në Arbëri në vitin 1492 (1492 është një vit historik, viti i rënies së Granadës në Spanjë, gjurmës së fundit arabe në gadishullin Iberik dhe zbulimit të Botës së Re, Amerikës nga Kristofor Kolombi, pra edhe ky migrim, qoftë edhe i detyruar i arbërorëve për në tokën bullgare, përputhet me prirjen e asaj periudhe historike), në kronikën osmane të Oruçit, plaçkitjet e Bajazidit II në Arbëri, përshkruhen fort besnikërisht.
E sipas Oruçit, pas pushtimit të fortesës së Tepelenës, ushtarët osmanë nisën të plaçkisnin fshatrat, pllajat dhe malet dhe “kapën çdo mashkull e femër, ua dogjën fshatrat dhe shtëpitë, shkatërruan dhe rrafshuan gjithçka”.
Gjithaq në një kronikë në Manastirin e Osogovës, në Maqedoninë Veriore, thuhet se në vitin 1492, sulltan Bajazidi Ii u nis nga Sofja dhe i plaçkiti arbërorët, të quajtur “Kryeleshët”. Ky emërtim “Kryeleshët” ndërlidhet pikërisht me krahinën labe të Kurveleshit në Shqipërinë Jugore. Në regjistrimet e para osmane të Arbërisë të viteve 1431-1432, kjo zonë quhet “Kirelash”. Nga gjysma e shekullit XV e gjer në vitin 1492 kjo krahinë ishte çliruar sërish para se të shtypej dhunshëm nga Bajazidi II.
Kështu rezulton më i pranueshëm shpjegimi se banorët e parë të Arbanasit, rreth njëqind e njëzet frymë, kanë qenë arbërorë, të sjellë nga osmanët nga fundi i shekullit XV duke i dhënë zonës emrin Arbanasi në shqip, Arnavutköy në turqisht (pikërisht, si edhe lagja e njohur në Stamboll) dhe Arvanitohori në greqisht (kujtojmë se edhe Piana degli Albanesi në Siçili, emrin në arbërisht e ka Hora e Arbëreshëve, ku Hora domethënë Qytet).
Në mesin e shekullit XIX, francezi Lezhan do të shkruajë “Arnavutköy apo Arvanitohori, ky shembull kaq grishës i aftësive kolonizuese të shqiptarëve të Epirit”.
Edhe një nga familjet më të njohura të këtij fshati, e njohur për tregtinë në Vllahi e Transilvani në shekullin XVII, ka mbiemrin Poliçani, njëlloj si qyteza e sotme në Shqipërinë Jugore.
Në regjistrin osman të gjysmës së shekullit XVI, në Arbanas hasen emra tipikë arbërorë si Leka, Andrea, Gjon, Deda, Skutar (Shkodër?!), etj, por edhe Zoto dhe Polo.
Në gjysmën e parë të shekullit XVI Arbanasi zhvillohet si ngulim i kamur blegtorësh, artizanësh dhe tregtarësh. Do të ndërtoheshin plot kisha, me afreske të mahnitshme, krejtësisht të pahasshme tjetërkund në Bullgari.
Ndërkaq, edhe vetë arkitektura e Arbanasit, të kujton fort Shqipërinë e Jugut, veçanërisht Gjirokastrën dhe Beratin, e një tjetër dëshmi e rëndësishme na vjen nga fakti se afresket e para të kishës së Shën Gjergjit në Arbanasi, janë vepër e mjeshtrit Nikolla, biri i Onufrit të madh, por gjithashtu përveç Nikollës, birit të Onufrit, në kishat e Arbanasit haset edhe emri i ndihmësit të tij, Joanit.
Sot Arbanasi është një fshat turistik në Bullgarinë Veriore, me 330 banorë (kurse në pikun e zhvillimit, pati arritur thuajse në 3000 banorë), ku bullgarët e pasur kalojnë pushimet dhe kanë vilat e tyre, fshat ku vizitori mahnitet nga hijeshia, historia dhe doket e këtij ngulimi unik me një trashëgimi shqiptare kaq të prekshme.
Në Bullgari, siç pohon edhe historiani bullgar Bojan Gjyzelev, falë të cilit kemi fatin të njohim edhe shumë të dhëna lidhur me praninë arbërore në Bullgarinë mesjetare, ngulime shqiptare ka patur edhe në Çervena Voda në zonën e Ruses buzë Danubit (tjetër përputhje interesante, pasi edhe në Shqipërinë Jugore kemi një qytezë, Çorovodën, me të njëjtën etimologji), në Poroishte (sërish të mbiuquajtur Arnavutköy), sot lagje e qytetit të Razgradit, si dhe në Dobrina e Devnia pranë qytetit të Varnës, nga ku rrjedhin shqiptarët e Ukrainës.
Mërgatë arbërore mesjetare, që nuk mund ta harrojmë kurrësesi.