Sporti

FSHF refuzon kushtet e Serbisë

“Nuk mund të listojmë tifozët tanë dhe nuk kemi asnjë arsye për ta bërë një gjë të tillë”

foto e javesReagimi i ashpër i tifozëve të kombëtares shqiptare ndaj kushteve të vëna nga Federata Serbe e Futbollit (FSS) për ndeshjen Serbi-Shqipëri, ka bërë që FSHF-ja të pozicionohet në mbrojtje të tyre dhe të ndezë që tani duelin me serbët. Nga zyrat e këtij institucioni, dje është nisur një letër drejt FSS-së, ku shpjegoheshin arsyet pse refuzohej kërkesa e “skedimit” të tifozëve që do të udhëtonin drejt Serbisë dhe se nuk do të ndaheshin biletat në bazë të pasaportës që mbanin mbështetësit e kuqezinjve.

“Federata Shqiptare e Futbollit, i quan kushtet e vendosura nga ju, për praninë e tifozëve shqiptarë në Beograd, të parealizueshme nga ana jonë. Së pari, ne nuk mund të listojmë dhe të marrim të dhëna personale nga tifozët. Së dyti, ne nuk kemi asnjë arsye ta bëjmë një gjë të tillë. Dhe së treti, Federata Shqiptare e Futbollit, nuk ka infrastrukturën e nevojshme dhe as kohën në dispozicion, për të bërë të tilla regjistrime. Në praktikën tonë të komunikimit, me të gjitha federatat e tjera anëtare të UEFA-s dhe FIFA-s, për organizimin e ndeshjeve të futbollit (zyrtare apo miqësore), kushte të tilla nuk janë vendosur kurrë dhe me to, njihemi për herë të parë. Ekipi kombëtar shqiptar, është shoqëruar nga tifozët e tij, kudo në Europë, madje edhe jashtë kontinentit, si në Argjentinë apo SHBA. Për vetë situatën që ka kombi ynë, bashkëkombësve tanë, që jetojnë në Greqi, Gjermani, Angli, SHBA etj., nuk mund t’ua privojmë të drejtën për të ndjekur ndeshjet e kombëtares sonë”, shpjegon FSHF-ja.

tifozat-kuq-e-ziKjo e fundit, ndonëse ka përdorur një fjalor më pak të ashpër se ai që kanë përdorur grupimet e tifozëve, ka përçuar të njëjtën ide se kërkesat e palës serbe, thjesht po shërbenin për ta tensionuar më shumë këtë ndeshje. “Vënia e kushteve të tilla, mendojmë se ka ndikim jo të mirë, në krijimin e një fryme pozitive, bashkëpunimi dhe besimi reciprok, në organizimin e aktiviteteve futbollistike dhe jo vetëm. Ideja juaj, për organizimin e ndeshjes miqësore mes veteranëve të të dyja vendeve, e përshëndetur dhe e miratuar nga ana jonë, do të jetë një nga ato sinjale të uljes së tensionit dhe bashkëpunimit të sinqertë mes dy federatave, që së bashku do të përcjellim te tifozët”, shpjegon FSHF-ja, e cila më pas ka bërë të qartë se do të vazhdojë përgatitjen e ndeshjes normalisht, pa marrë në konsideratë kërkesat e bërë nga FSS-ja. “Për arsyet që përmendëm më lart, Federata Shqiptare e Futbollit kërkon pajisjen me bileta për tifozët shqiptarë, pa kushte. Biletat e vëna në dispozicion nga ana e federatës suaj, ne do t’ua shpërndajmë shoqatave të tifozëve tanë, për të ndjekur ndeshjen Serbi–Shqipëri, në Beograd më 14 tetor”.

Tashmë pritet përgjigjja e radhës nga pala serbe, e cila kërkesat e saj i ka motivuar si të nevojshme për të garantuar rendin para, gjatë dhe pas ndeshjes mes dy kombëtareve. Por nëse FSS-ja mbetet kokëfortë dhe nuk tërheq pretendimet që, sipas saj, janë ngritur nga policia serbe, rrezikohet që tifozët shqiptarë të udhëtojnë drejt Serbisë, por të mos lejohen të shkojnë në stadium për të ndjekur ndeshjen.

Kërkesat

Federata Serbe ka kërkuar skedimin e plotë të tifozëve të Shqipërisë që do të udhëtojnë për të ndjekur ndeshjen, si dhe të gjithë të jenë mbajtës të pasaportës shqiptare

Serbëve do t’u mungojnë Basta e Rukavina

Trajneri i kombëtares serbe, Dik Advokat, ka grumbulluar dje mbrojtësin e Torinos, Nikola Maksimoviç, për ndeshjet kundër Armenisë dhe Shqipërisë. Holandezi e ka marrë këtë vendim, pasi në grumbullimin e përfaqësueses së tij do të mungojnë dy lojtarë, që zakonisht kanë luajtur titullarë, Dushan Basta (Lacio) dhe Antonio Rukavina (Vijareal). Të dy këta futbollistë janë dëmtuar në ndeshjet e fundit me klubet e tyre dhe do të jenë të detyruar të qëndrojnë pushim për të paktën katër javë. Maksimoviç, i cili ka luajtur vetëm katër ndeshje me Serbinë, është kandidat për një vend në qendër të mbrojtjes, pasi Nastasiç dhe Mitroviç nuk janë titullarë në klubet e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button