Kronika

Fullani heq përgjegjësinë nga vetja: Gabuan njerëzit, jo sistemi dhe administratorët

Deklarata

Guvernatori, pas raportimit “sekret” në Kuvend: Autorët do të dënohen sipas ligjit

fullaniPak orë pas raportimit në Kuvend, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi se grabitja në Bankën e Shtetit është një ngjarje e rëndë, për të cilën përgjegjësit do të përgjigjen para dyerve të drejtësisë. “Në asnjë mënyrë nuk ka rënë sistemi i kontrollit, natyrisht kjo është një ngjarje e rëndë, që na ngarkon me përgjegjësi të gjithëve. Ne po nxjerrim përgjegjësitë tona, e rëndësishme është se nuk ka shkelje ligjore nga ana e Këshillit Mbikëqyrës dhe administratorëve. I gjithë seti legjislativ dhe rregullativ është i plotë dhe siguron administrimin, sipas të gjitha ligjeve, të Bankës së Shqipërisë. Ka ceduar elementi njerëzor, që do të dënohet, me ata që janë dërguar dhe njëkohësisht me gjithsecilin që ka bërë gabim në shkeljen e ligjit. Do të dënohen sipas ligjeve në fuqi”, tha Ardian Fullani, duke shtuar se, pavarësisht përmasave të mëdha, kjo ngjarje nuk hedh poshtë reputacionin e fituar nga institucioni që ai drejton, veçanërisht gjatë tetëvjeçarit të krizës financiare. Më tej bëri me dije se thesaret e sigurisë së lartë në BSH nuk janë prekur.

“Dua t’ju vë në dijeni menjëherë siç kemi dalë edhe me prononcimet tona për shtyp lidhur me çfarë është bërë. Ju kemi nisur një njoftim për shtyp lidhur me administrimin e vlerave monetare. Kjo është hartuar mbi bazë të plotë ligjore në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Infrastruktura teknologjike garanton monitorimin në kohë. Kontrollet janë kryer në vazhdimësi. Mospërputhja me rigorozitet e disa punonjësve me detyrën e tyre ka krijuar hapësirë për përvetësimin e parave. Prokuroria po kryen hetimet për të vendosur personat përgjegjës para ligjit. Garantojmë që ne do i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje, duke nxjerrë përgjegjësitë e gjithsecilit. Rezervat e parave kesh, që quhet thesar, të magazinuara në Bankën e Shqipërisë në ambientet e sigurisë së lartë, nuk janë prekur. Kombinimi i një sërë procedurash bëjnë të mundur pengimin e çdo tentative për t’i aksesuar”, u shpreh Fullani, ndërsa përmendi edhe raportimin e tij në Kuvend.

“Patëm një mbledhje shumë të rëndësishme me Komisionin e Ekonomisë, ku me mjaft përgjegjësi u diskutuan të gjitha problemet që lidhen me këtë çështje. U garantua bashkëpunim me Parlamentin, organet e prokurorisë dhe të gjitha institucionet. Banka Shqiptare ka bërë kallëzimin penal në prokurori për punonjësit që janë zbuluar dhe kanë përvetësuar vlera monetare.

Ka kryer inventarizimin e vlerës monetare kartëmonedhë. Banka e Shqipërisë po punon ngushtë me organet e prokurorisë për zbardhjen e të gjithë ngjarjes dhe marrjen në kohë hap pas hapi të të gjitha masave për ata që kanë shkelur detyrën, ata që kanë pasur për detyrë t’i ruajnë dhe kanë lejuar akte të tilla kriminale. Banka Shqiptare pret përfundimin e hetimeve”, vijoi guvernatori, ndërsa siguroi se BSH-ja i ka marrë të gjitha masat e menjëhershme që në momentin që u zbulua ky akt për të eliminuar pasojat e ngjarjes dhe rritur nivelin e kontrollit. “Banka i ka të gjitha instrumentet dhe po punon me devotshmëri në mënyrë që jo vetëm ta riparojë këtë dëm, por edhe të garantojë funksionimin normal bankar e financiar dhe të marrë masa që histori të tilla të mos përsëriten”, përfundoi Fullani.

Të dhëna

Përgjegjësia

Mospërputhja me rigorozitet e disa punonjësve me detyrën e tyre ka krijuar hapësirë për përvetësimin e parave. Prokuroria po kryen hetimet për të vendosur personat përgjegjës para ligjit

Thesari

Rezervat e parave kesh që quhet thesar, të magazinuara në Bankën e Shqipërisë, në ambientet e sigurisë së lartë, nuk janë prekur. Sistemi pengon çdo tentativë për t’i aksesuar

Related Articles

Nje koment

  1. Nuk e kuptoj kete sharlatan,qe s`po e kontrollon dot veten.”Gabuan njerezit,por jo administrata e bankes…” Po pse ata qe administrojne banken,nuk jane njerez,bile njerez qe gabojne ?! Ti je pikerisht kryeadministratori,qe po perpiqesh t`i bejsh bisht pergjegjesise.Ne se do te ishe vertet burre i ndershem (personalisht kam shume rezerva),ti duhet t`i hapesh rruge hetimit,te japesh doreheqjen dhe te shmangesh cdo lloj presioni ndaj punonjesve,me autoritetin e nje gjel-deti te fryre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button