Fundi i turpshëm i idhullit të demokracisë Sali Berisha

Ishin vitet dhe muajt kur që nga Moska dhe në të gjitha shtetet ”vasale” komuniste të Evropës, diktaturat komuniste u shpërbënë për t’i lënë vendin transformimeve demokratike. Kishim mbetur komuniste vetëm Kina, Koreja e Veriut dhe Shqipëria. Thënia e shtypit Evropian : Shqipëria nuk duhet të vonohet për të kapur trenin e fundit për në Evropë, ishte një thirrje e duhur dhe në kohë që edhe ne shqiptarët të reflektonim. E dinim mirë këtë. Nuk lëviznim se diktatura të gjakoste keqas. Populli ishte në pritje të çastit të duhur. Ai erdhi edhe pse pasardhësi i Enver Hoxhës, diktatori Ramiz Alia nuk ishte gjakësor si mësuesi i tij. Edhe ai vetë kishte menduar për disa ndryshime, por gjithmonë me luhatje dhe me vonesë. Ndërkohë punëtorët paguheshin me 70 përqind. Në dyqane mund të merrje në kryeqytet vetëm 5 vezë në javë. Mishit i qe zhdukur vula me kohë. Tirana, si e preferuar, merrte 1 kile mish në muaj për familje. Mish thuajse i skaduar i ardhur deri nga Argjentina. Nuk kishte ku të shkonte më keq… Shkodra dhe Kavaja dhanë shenjat e para. Ishte dhe hyrja masive në dyert e ambasadave, sidomos asaj Gjermane, që tronditën themelet e diktaturës. Frikës iu tha: TUTJE LARG!.. Dhe erdhëm te revolta e studentëve. Erdhëm te kërkesa këmbëngulëse për pluralizmin për të qenë edhe ne si gjithë Evropa. Populli u ngrit si uragan për të mbështetur studentët. Diktatori u detyrua të pranonte kërkesat e tyre. Në krye të popullit kryengritës printe doktori komunist Sali Berisha. Ai u zgjodh edhe Kryetari i Partisë Demokratike. Ishte udhëheqësi i një populli që kishte 50 vjet nën thundrën e të vetmes parti diktatoriale. Figura e tij dhe dashuria e popullit për udhëheqësin e tyre arriti kulme të paimagjinueshme. Ai ishte zëri dhe shpresa e gjithë popullit, përveç atyre që mbetën komunistë. Doktori ishte shpëtimtari ynë. Në zemrat tona zuri një vend nderi. Po jap vetëm një fakt nga jeta ime. Kur ai më arrestoi dhe me ndërhyrjen e Ambasadorit të SHBA-së Ryerson, më mbajti në arrest shtëpie, erdhi dhe vëllai im i madh të më takonte. Sa u ul pranë meje, në vend të më pyeste pse më kishin vënë prangat, me sa fuqi kishte thirri: ” Rroftë Sali Berisha! Sali Berisha të marrsha të keqen!” Heshta nga që nuk doja të prishesha me vëllanë . Gati si tërë populli dhe ai betohesh për doktorin. Në atë ditë të trishtueshme për mua, ai ”shkelmoi” vëllanë për idhullin e demokracisë. Ishte një adhurim dhe dashuri për njeriun që mendohej se solli demokracinë. Për këtë nuk i mbajta dot mëri. Si i persekutuar nga diktatura ,te Sali Berisha ai shikonte idhullin e demokracisë aq të munguar dhe të dëshiruar. Ai dhe tërë populli në atë kohë nuk e dinte se Sali Ram Berishën e kishte thirrur në Komitetin Qendror të Partisë Ramiz Alia .Si komunist dhe sekretar partie besnik që ishte, e ngarkoi me detyrë që të vihej në krye të revoltës së studentëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.