Ganimete Musliu lëshon mbledhjen e komisionit: Kërkon që ligji për Specialen të jetë prioritet
Deputetja e PDK-së refuzoi të votonte rendin e ditës së Komisionit për Administratë, duke thënë se Kuvendi nuk mund të vazhdojë punët rutinë ndërkohë që qytetarët kërkojnë ndryshim të ligjit për Dhomat e Specializuara.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, lëshoi sot mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, duke kundërshtuar rendin e ditës të paraparë për diskutim, siç njofton KosovaPress.
Musliu tha se Kuvendi i Kosovës nuk mund të vazhdojë punët rutinë në kohën kur qytetarët po kërkojnë që prioritet të jetë çështja e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ajo kërkoi që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës të jetë prioritet i Kuvendit.
Ajo theksoi se për këtë çështje nuk duhet të ketë dallime politike ndërmjet deputetëve, duke njoftuar se nuk e voton rendin e ditës dhe nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit.
Kryetari i komisionit, Albert Kinolli, tha se shpreson që së shpejti në Kuvend të procedohet amendamentimi i projektligjit për Dhomat e Specializuara, sipas informacioneve që ka marrë nga kryeministri. Ndërkohë deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se çështja e Dhomave të Specializuara nuk duhet të pengojë punën e këtij komisioni, pasi trajtimi i ligjit është në kompetencë të Komisionit për Legjislacion.
Largimi i Musliut vjen në një kohë kur presioni për ndryshimin e ligjit për Specialen po rritet në Kuvend dhe në rrugë, me protestat “Jo në emrin tim” që vazhdojnë çdo mbrëmje në Prishtinë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.